BallinaIntervista“Koha s’pret, duhen realizuar detyrat para fundit të vitit”- Ambasadori i BE:...

“Koha s’pret, duhen realizuar detyrat para fundit të vitit”- Ambasadori i BE: Sistemi i ri për Shengenin në 2021-shin? Ja si qëndron e vërteta

spot_img
spot_img

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, për Deutsche Welle komenton procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe flet për paketat e ndihmave për pandeminë dhe rimëkëmbjen nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

DW: Z. Ambasador, të martën Ministri Gjerman i Shtetit për Evropën Michael Roth u bëri thirrje kolegëve të tij të aprovojnë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe së fundmi, Presidenca Gjermane e Bashkimit Evropian përsëriti synimin e saj për të mbajtur brenda dhjetorit Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ndërkohë Shqipëria nuk ka përmbushur një nga kriteret kryesore, që është krijimi i Gjykatës Kushtetuese. A do të ndikojë ky kriter te kjo konferencë?

Luigi Soreca: Mendoj se Këshilli i Përgjithshëm dërgoi një sinjal shumë të fortë për faktin se puna duhet të vazhdojë për të dy vendet deri në ditën e fundit të Presidencës Gjermane. Si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, shtetet anëtare janë të gatshme të miratojnë atë që ne e quajmë kornizën e negociatave. Këto janë rregullat e lojës për të dy vendet për vitet në vijim deri në momentin kur do të fillojnë negociatat. Një prej shteteve anëtare e ka bllokuar, për fat të keq, këtë miratim për Maqedoninë e Veriut, ndërsa teksti i kornizës negociuese për Shqipërinë është pranuar nga të gjithë. Pra, nëse do të ketë ndonjë zgjidhje të mosmarrëveshjes dypalëshe në lidhje me Maqedoninë e Veriut, atëherë të dy kornizat negociuese ende mund të miratohen ende para fundit të vitit. Ky është objektivi i Presidencës Gjermane, ky është objektivi i Bashkimit Evropian.

Thirrja e Konferencës Ndërqeveritare është tjetër gjë, miratimi i kornizës negociuese është kushti për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare. Për të thirrur Konferencën Ndërqeveritare për Shqipërinë, siç e dini që nga marsi i këtij viti, janë identifikuar disa kushte. Ka disa prej tyre që ende duhet të plotësohen, dhe kjo është e qartë, kjo është arsyeja pse unë them se mesazhi është që puna duhet të vazhdojë. Kjo është thënë nga Ministri Roth, kjo është thënë nga Komisioneri Varheley dje në takim. Çfarë pune duhet bërë për të vazhduar? Së pari, siç përmendët Gjykata Kushtetuese. Javët e fundit kam bërë disa herë thirrje që Këshilli i Emërimve në Drejtësi të përshpejtojë punën në lidhje me vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve në tri pozicionet e hapura. Me sa kam kuptuar në ditët në vijim do të ketë takime të Këshillit – KED – dhe është e rëndësishme që KED të dalë me një listë që do t’u dërgohet dy autoriteteve emëruese, Presidentit të Republikës dhe Parlamentit për emërime.

A është e mundur kjo para fundit të vitit? Po, nëse puna përshpejtohet. Dhe ky është mesazhi që unë do të doja t’i dërgoja edhe një herë KED-it që po bën një punë të shkëlqyer, e cila gjithashtu mund të kontribuojë më tej për të ecur përpara. Është përmendur gjithashtu zbatimi i Ligjit Zgjedhor. Unë mendoj se kjo çështje ka dy nën-elemente, njëri ka të bëjë me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili siç e dini do të publikohet më 10 dhjetor dhe do të ndihmojë për të dhënë qartësi në lidhje me çështjen mbi të cilën ka një mosmarrëveshje politike midis qeverisë dhe opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare. Çështja u ngrit nga Presidenti, siç e dini. Tjetra është zbatimi konkret i Ligjit Zgjedhor në funksion të zgjedhjeve, të cilat do të zhvillohen më 25 prill. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për sa u përket përgatitjeve teknike. Kohët e fundit jam takuar me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjithashtu jam i kënaqur të njoftoj se dy ekspertët që Bashkimi Evropian ka premtuar në momentin e miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit kanë filluar të punojnë me Komisionin për identifikimin biometrik, që është një nga përfundimet shumë të rëndësishme të Marrëveshjes së 5 qershorit. Kështu që këto gjëra duhet të zhvillohen, duhet të përshpejtohen. Le të shohim se ku jemi deri në fund të vitit para se të mbarojë Presidenca Gjermane. Dhe ky është mesazhi që del nga takimi i djeshëm, sipas mendimit tim dhe ne e mbështesim plotësisht atë.

DW: Por ka ende disa zëra kritikë, për shembull, Holanda. Në Parlamentin holandez ka disa zëra kritikë kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë. A e dëmtojnë ato këtë proces?

Luigi Soreca: Unë nuk do të spekuloj për pozicione specifike të parlamentarëve. Unë do të komentoj vetëm pozicionin e qeverisë, që e ka thënë qartë në letrën e saj drejtuar parlamentit dhe më pas në një tjetër deklaratë që ka nxjerrë Ambasada Holandeze këtu në Tiranë, se ata janë në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit, pra për të pasur Konferencën Ndërqeveritare nëse dhe kur të plotësohen kushtet. Dhe ky është pozicioni që është shprehur nga qeveria. Ne mendojmë se kështu është, kjo është ajo që qeveria holandeze ka thënë. Ne pajtohemi me faktin se nëse nuk plotësohen kushtet nuk do të ketë Konferencë Ndërqeveritare, kjo është e sigurt dhe prandaj është shumë e rëndësishme që puna të vazhdojë, siç thashë më parë, pa pushim për të siguruar që të gjitha detyrat e shtëpisë që duhet të bëjë Shqipëria të bëhen para fundit të vitit.

DW: Dhe le të flasim për detyrat e shtëpisë dhe zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Prill 2021. Sipas mendimit tuaj, a është kjo klimë politike një tjetër ndëshkim për këtë proces? Tashmë fushata thuajse ka nisur…

Luigi Soreca: Po, vërtet, klima ka pësuar rritje së fundmi sa i takon ‘temperaturës’, por kjo është normale, mendoj, në çdo vend, para se të shkohet në zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Komisioni Evropian në Raportin Vjetor të botuar në 6 Tetor, thotë se duhet rivendosur dialogu politik në vend. Kjo do të thotë që ne shpresojmë se duke ecur drejt zgjedhjeve, partitë ndërsa sigurisht ndjekin interesat e tyre politike, çka është e natyrshme në çdo demokraci, gjithashtu do të përqendrohen në atë që unë e quaj emëruesin e përbashkët minimal, për të cilin të gjithë bien dakord, që është integrimi në BE. Le të përqendrohemi dhe të sigurohemi që kur bëhet fjalë për integrimin në BE, secila palë mund të gjejë një mënyrë për ta ndihmuar Shqipërinë për të ecur përpara. Sigurisht që ndarjet janë të natyrshme dhe në Shqipëri kjo është padyshim një prirje, por unë si Ambasador i BE-së dua t’i bëj thirrje të gjithëve që të përqendrohen tek emëruesi i përbashkët minimal, që është integrimi në BE.

DW: Le të kthehemi pak te reforma në drejtësi. Ju keni një formim gjyqësor, le të themi, dhe për qytetarët shqiptarë drejtësia shihet si shumë e rëndësishme. Javën e kaluar Komisioni Evropian miratoi një paketë 103.3 milionë euro për të mbështetur rrugën evropiane të Shqipërisë dhe në mënyrë specifike 8.7 milionë euro për të mbështetur ONM-në. Ka shumë paketa që janë dhënë vitet e fundit, por asnjë rezultat konkret, dhe perceptimi i qytetarëve është se askush nuk ndëshkohet. Cili është mendimi juaj, perceptimi i BE-së, a ka kjo reformë ritmin e duhur, a po ecën përpara?

Luigi Soreca: Më lejoni të them një fjalë për paketën e miratuar javën e kaluar, siç e përmendët. 103.3 milionë euro për vitin e ardhshëm, 2021. Është shumë e rëndësishme që opinioni publik të kuptojë solidaritetin që Bashkimi Evropian po i jep Shqipërisë në një moment krize. Këto janë donacione, këto nuk janë hua. Prandaj kjo do të thotë që janë grante që do të përdoren gjysma për rimëkëmbjen ekonomike pas tërmetit dhe Covid dhe gjysma tjetër për ato që ne i konsiderojmë përparësi të integrimit evropian: qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, ndihma e institucioneve të reja për të punuar, SPAK, NBI, dy këshillat, Prokurori i Përgjithshëm. Struktura e integrimit në BE është e rëndësishme. Për çfarë bëhet fjalë? Ta ndihmojmë ndërkaq Shqipërinë të veprojë sikur të ishte një shtet anëtar, duke ndihmuar administratën publike për të miratuar dhe për të marrë pjesë në programe që normalisht janë të kufizuara vetëm për shtetet anëtare. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u thënë. Në lidhje me ONM-në, 8.7 milionë euro janë për fazën e dytë të ONM-s, dy vitet e ardhshme që ONM-s i duhet të bëjë. Është shumë e rëndësishme që ONM-ja të vazhdojë të punojë, institucionet e vetingut po bëjnë një përparim të qëndrueshëm. Siç e dini 800 gjykatës duhet të vlerësohen, 603 çështje janë hapur dhe rreth 300 janë mbyllur. A mjafton kjo? Sigurisht që jo. ONM duhet të përforcohet, ashtu siç duhet të përforcohet e gjithë reforma në drejtësi. Unë e quaj këtë nevojë për një test efikasiteti, duhet të sigurohemi që tani që të gjitha institucionet do të ngrihen, pasi të jetë krijuar Gjykata Kushtetuese, ne duhet të shohim burimet njerëzore dhe financiare dhe hartën gjyqësore në vend për të kuptuar se si të riorganizohet mënyra e përdorimit të burimeve, në një mënyrë që ndërsa Shkolla e Magjistraturës përgatit magjistratët e rinj, drejtësia të zbatohet. Dhe jam shumë i kënaqur të vë në dukje se në buxhetin e miratuar të hënën nga Parlamenti i Shqipërisë, sugjerimi ynë për të pasur më shumë burime për institucionin e vetingut është arritur. 18 këshilltarë, 12 për KPK-në dhe 6 për KPA-në do të rekrutohen ditët në vijim për të forcuar kapacitetin e institucionit të vetingut për të përshpejtuar ritmin.

DW: Jeni i kënaqur me punën që është bërë deri tani? Përveç këtyre paketave dhe këtyre mjeteve që po jepni për ta ndihmuar këtë proces?

Luigi Soreca: Reforma në drejtësi është shumë e vështirë, është e komplikuar. Unë e njoh gjyqësorin, e di ç’do të thotë të ndryshosh mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në një vend. Është më e afërta me sovranitetin e një vendi. Po merr kohë, ndoshta më shumë nga sa prisnim. Tani është koha jo për t’u kthyer pas, por për të shkuar përpara dhe për të përforcuar burimet në dispozicion për të përshpejtuar ritmin.

DW: Zoti Ambasador, duke nisur nga janari 2021 hyn në fuqi një sistem i ri për udhëtimin në Zonën Shengen. Fillimisht ky lajm u interpretua si rikthim i regjimit të vizave për Shqipërinë. A i penalizon ky sistem qytetarët shqiptarë?

Luigi Soreca: Jam shumë i lumtur që ma bëtë këtë pyetje, sepse kjo më lejon të sqaroj, shpresoj njëherë e mirë, se çfarë është ky lajm i rremë. Nuk ka ndryshim në sistemin Shengen më 1 janar 2021. Nuk ka ndryshim nga liberalizimi i vizave në detyrim për viza më 1 janar. Ajo për të cilën po flasim është që në fund të vitit 2022, do të futet një sistem i ri autorizimi elektronik, jo vetëm për shqiptarët, por për 62 vende në mbarë botën, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Australinë. Shtetasit e këtyre vendeve që duan të hyjnë në zonën Shengen do të duhet të hyjnë në internet me pasaportat e tyre të vlefshme, duhen vetëm pak minuta, duhet të fusin të dhënat e tyre dhe pas pak minutash do të marrin një autorizim elektronik.

Kostoja është 7 euro, por nuk do të zbatohet për njerëzit që janë nën 18 vjeç. Me këtë autorizim elektronik, pa shkuar në asnjë konsullatë, në asnjë ambasadë, do të shkojnë te porta hyrëse, do të kalojnë kontrollin dhe do të hyjnë në Zonën Shengen. Pra, nuk ka penalizim për shqiptarët, nuk ka viza. Më lejoni të kujtoj se në më pak se një muaj do të festojmë 10-vjetorin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Kjo është e rëndësishme dhe sapo të mbarojë pandemia, shqiptarët do të përfitojnë përsëri plotësisht nga regjimi pa viza. Pra, lajme të rreme, dhe më lejoni të them, faqe të rreme interneti. Më lejoni t’u them shqiptarëve që të kenë shumë kujdes, të mos bien pre e mashtrimeve në rrjet. Ka disa faqe interneti që u kërkojnë shqiptarëve që udhëtojnë në BE të aplikojnë në faqet e tyre. Mos e besoni këtë, këto janë të rreme. Asgjë nuk do të ndodhë deri në fund të vitit 2022.

DW: Zoti Ambasador, vitin e fundit Shqipëria ka kaluar momente të vështira dhe një prej tyre ishte tërmeti i 26 nëntorit, dhe së fundi ashtu si e gjithë bota, po kalon periudhën e pandemisë. Më lejoni t’ju pyes në fillim në lidhje me situatën e pandemisë. Ju keni keni qenë tek spitali Covid4, duke dhuruar pajisje mjekësore për autoritetet shqiptare, por ky spital ende nuk po funksionon. Si po e përdorin autoritetet shqiptare ndihmën e BE-së dhe a do të vazhdojë kjo ndihmë?

Luigi Soreca: Shikoni, ne po jetojmë një periudhë shumë të vështirë në Shqipëri dhe në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian e ka mbajtur premtimin dhe me gjithë problemet në shtetet anëtare, kemi treguar një solidaritet të lartë kundrejt Shqipërisë. Ju e dini se më shumë se 50 milionë euro janë vënë në dispozicion të Shqipërisë që prej marsit për ta ndihmuar vendin të kapërcejë pandeminë. Një nga mënyrat e ndihmës ishte sigurimi i menjëhershëm i pajisjeve mjekësore. Janë 4 milionë euro që deri tani janë shpenzuar pothuaj të gjitha. Covid 4, me sa kuptoj, ende nuk është aktiv, por është pajisur me një pjesë të pajisjeve që ka dhënë Bashkimi Evropian. Di se janë 100 shtretër, 10 shtretër për repartet e kujdesit intensiv dhe 10 respiratorë gati. Por do të jetë qeveria që do të vendosë se kur do të hapet.

Tre spitalet e tjerë Covid janë plotësisht të pajisur me gjithë ndihmat që BE-ja dhe sigurisht donatorë të tjerë, i kanë dhënë Shqipërisë. Ndaj mendoj që gjithë ndihma e siguruar tashmë po përdoret në tre spitalet e hapura dhe kur qeveria të vendosë, tek i katërti. Do të ndalemi këtu? Jo. Gjatë ditëve të tjera do të kemi dy dhurime të tjera, njëri është një skaner CT për Spitalin “Nënë Tereza” dhe tjetri është më shumë se 25.000 paketa të shpejta testimi që do t’u mundësojnë autoriteteve të kryejnë më shumë testime. Kjo do të përmbyllë shumën prej 4 milionë eurosh. Do të ndalemi këtu? Jo, sigurisht. Në çastin kur do të na kërkohet, ne do të jemi gati të sigurojmë ndihmë shtesë, veçanërisht në fushën e testimit. Po diskutojmë për këtë me qeverinë. Kjo është për pajisjet mjekësore, pastaj 46 milionët e tjera do t’i shkojnë rimëkëmbjes ekonomike dhe janë pjesë e paketës që ju përmenda më parë.

DW: Po donacionet dhe huatë për tërmetin, a po i monitoron BE-ja se si përdoren ato? 

Luigi Soreca: Sigurisht, për ne ekzistojnë ato që quhen vlerat e BE-së. Më 17 shkurt, vlera e BE-së që treguam ishte solidariteti. Konferenca e Donatorëve tregoi një ndjenjë të jashtëzakonshme solidariteti ndaj Shqipërisë. Komisioni Evropian u zotua të siguronte 115 milionë euro donacione. Ne e bëmë këtë, paratë u ndanë me gjithë krizat në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe kjo është kontraktuar tashmë me UNDP-në. E cila ka tani autoritetin për t’i shpenzuar këto 115 milionë euro në Shqipëri, sigurisht, në konsultim të ngushtë me ministritë e përfshira, duke filluar me Ministrinë e Rindërtimit në dy fusha. Njëra fushë është arsimi, 75 milionë euro po përdoren ndërkaq për rindërtimin e shkollave. 22 shkolla janë duke u pajisur, 4 shkolla, 2 në Krujë dhe 2 në Durrës po ndërtohen ndërsa flasim, dhe 40 shkolla të tjera shpresoj të rindërtohen deri në gjysmën e vitit të ardhshëm.

Ajo që dua të them lidhur me vlerat, është që për ne vlera e transparencës, e përgjegjshmërisë, është shumë e rëndësishme. Fakti që ne punojmë, BE-ja dhe Kombet e Bashkuara, në konsultim me qeverinë, por me menaxhimin e fondeve nga UNDP-ja, na mundëson të kemi transparencë dhe përgjegjshmëri të plotë për fondet. Të gjithë mund të hyjnë në faqen e internetit të UNDP-së dhe të shohin cilat janë shkollat e financuara. 40 milionët e tjerë lidhen me kulturën. Siç e dini ne kemi shpallur programin “BE për Kulturën” në shtator, që do të ndihmojë restaurimin e rreth 45 siteve kulturore që janë dëmtuar nga tërmeti. Kultura është e rëndësishme, arsimi është i rëndësishëm, është e ardhmja e vendit. Të dyja kanë ndikim ekonomik. Sa më shumë site kulturore të jenë të aksesueshme, aq më shumë do të ketë zhvillim ekonomik vendor, aq më shumë turistë, aq më shumë ekonomi, aq më shumë pasuri për Shqipërinë. Kjo ishte ajo që doja të sqaroja dhe për pyetjen tuaj, ne besojmë se mes ndihmës për tërmetin dhe Covid-in, BE-ja si donatori më i madh në Shqipëri tregoi edhe një herë sa i rëndësishëm është ky vend për Bashkimin Evropian si anëtar i ardhshëm i tij. /DW/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular