Eshtë publikuar dëshmia e nje qytetar babai i të cilit ka ndërruar jetë menjëherë sapo ka dalë nga spitali infektiv në Tiranë.
Fax News ka siguruar denoncimin e familjarëve të të moshuarit me inicialet Ll.G në kryeqytet, të cilët kanë pretendime se stafi mjekësor i Spitalit Infektiv ka treguar neglizhencë pasi ka ndërruar jetë vetëm 30 minuta pasi ka lënë spitalin.
I moshuari kishte rezuluar pozitiv me Covid-19 më 17 Tetor të këtij viti, dhe pas përkeqësimit të shëndetit, familjarët e kanë dërguar në spital. Ai është mbajtur për disa ditë nën kontroll të vazhdueshëm pasi kishte probleme serioze edhe me frymëmarrjen. Pas disa ditësh Ll.G është negativizuar por vijonte të vuante nga problemet me frymëmarrjen dhe mbajtja e oksigjenit ishte e detyrueshme.
Por pavarësisht kësaj, mjekët kanë vendosur për nxjerrjen e tij nga spitali, duke e shoqëruar për në banesë. Burime bëjnë me dije se ka arritur në gjendje të pavetëdijshme, i ftohur dhe me shenja të dobëta jete. Familjarët kishin kërkuar nga Infektivi një ambulancë e cila ka mbërritur bashkë me oksigjenin, por kanë qenë shumë vonë, pasi 74-vjeçarin e kanë gjetur të vdekur.
Në denoncimin e bërë në polici, më datë 29 Tetor, i biri i viktimës, pohon se i ati është braktisur në banesë nga personeli i ambulancës që e ka sjellë nga spitali dhe se pajisja e oksigjenit nuk ka punuar.
Ll.G 74 vjeç ka mësuar se është i infektuar më datë 11.10.2020 pasi ka shfaqur disa simptoma dhe i është bërë tamponi. Vlera e oksigjenit nisi ti binte, thonë familjarët derisa arriti në gjendje kritike për jetën. Ndërsa më datë 23 Tetor kanë nisur edhe kontaktet me mjekët e Spitalit Infektiv duke marrë rekomandime.
Dy ditë më vonë, më 25 dhe 26 Tetor, mjekët iu kanë komunikuar familjarëve se gjendja e të moshuarit ishte përmirësuar po ashtu edhe niveli i oksigjenit. Mjeku që e kishte në monitorim, E.P., ka këshilluar që pacienti të rikthehej në banesën e tij më datë 27 Tetor, pasi ishte negativizuar, por që duhej të merrte trajtim të mëtejshëm mjekësor në shtëpi për pasojat që i ka lënë virusi.
Pasditen e 27 Nëntorit ambulanca e Infektivit e ka dërguar Ll.G, në banesë.
“Babai ka ndërruar jetë 30-40 minuta pasi ka mbërritur me ambulancë. Kam dyshime se ka humbur jetën nga neglizhenca në trajtimin mjekësoor, dyshim i bazuar edhe në të dhënat që janë shkruajtur në fletë-daljen nga spitali ku përcaktohet se niveli i oksigjenit është në nië nivelin 86-88%, në momentin që është bërë dalja nga spitali. Këtë nivel oksigjeni ata e konsiderojnë se pacienti është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi babai nuk duhej të dilte nga spitali pa u shëruar dhe nuk kuptoj se si menjëherë pas daljes nga spitali, ai ndërroi jetë në banesë“, shprehet djali i të ndjerit jashtë kamerave.
Teksa denoncimi i bërë në polici i është nisur organit të akuzës, burime bëjnë me dije së çështja është marrë nën hetim, por akoma nuk ka një vendim përfundimtar nëse qëndrojnë apo jo pretendimet e familjarëve të të ndjerit.