Ministria e Shëndetësisë ka llogaritur fondin 600 mln lekë për furnizimin e spitaleve me mjete mbrojtëse anti-covid, por disa kompani kanë ofruar 100 mln lekë në një prej tenderëve të këtij viti. Për Aranita Brahajn, drejtore e Open Data Albania, ky tender dhe drejtimi i situatës së pandemisë në vend demonstrojnë për keq menaxhim nga ana e qeverisë.
Në muajin korrik Agjencia e Prokurimeve publike ka shpallur një tender me fond limit 600 mln lekë, ose 5 milionë euro për blerje artikujsh për masa mbrojtëse në përballimin e situatës pandemike. Në garë u futën 12 kompani, ndërsa procedura u shqyrtua në fund të muajit shtator, ku u kualifikuan 5 kompani nga 10 që paraqitën ofertë ekonomike.
Në vlerë, gjysma e këtyre ofertave nuk i kalonin 200 mln lekë. Sot, kur kontrata për furnizimin e spitaleve me mjete mbrojtëse, sipas prokurimit në fjalë nuk është lidhur ende, e kualifikuar është vetëm një kompani. Kjo e fundit ka marrë dritën jeshile nga Komisioni i Prokurimeve Publike, pas ankesës që është shqyrtuar një javë më parë.
Aranita Brahaj, drejtore e AIS, tregon për Euronws Albania, se procedura për këtë kontratë ka qenë e gabuar që në fillim, pasi llogaritjet nuk janë bërë sipas direktivave nga jashtë.“Direktivat që kanë qenë nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë në rastin e blerjeve Covid, ka qenë që të krijohen ekipe ndërinstitucionale që të krijojnë mundësi për blerje të zgjuara dhe eficente në kohën e duhur”, tha znj. Brahaj.
Sipas Brahajt, alternativa më serioze për prokurime në kohë fatkeqësish duhet të ishte i ndryshëm nga procedurat standarde.
“Kosto të parashikuar me marzh fitimi, pra nësë njësia sot në bursë ose në tregje, është në këtë vlerë të caktuar, atëherë le ti shtojmë edhe një vlerë me marzh të kënaqshëm fitimi për kompaninë që ofron këtë mall, por të mos kemi një cmim fiks i cili në korrik është shumë I lartë, por në muajin dhjetor mund të jetë sa gjysma ose sa çereku”, thekson ajo.
Pra, fondi limit aq i lartë, tashmë pasohet me keqmenaxhimin e fondeve financiare. Për Brahajn, kontrata e kërkuar në korrik në rastin më të mirë mund të lidhet në dhjetor, ndërsa ky rast lexohet edhe si shembull i keqmenaxhimit të pandemisë.
“E kanë vendosur me një pikëpamje afatshkurtër, e cila të bën të shohësh vetëm situatën e korrikut, pa e parë në këndin afatgjatë, atëherë edhe KPP ka bërë të njëjtin gabim, duke mbrojtur standardet kundrejt këtij fondi limit. Jemi në një situatë që e gjithë pandemia është keqmenaxhuar. Qeverisja dhe Ministria e Shëndetësisë kanë pasur qëndrime të ngushta dhe joobjektive. Nuk kanë tentuar të krijojnë komisone smart për të bërë blerje të zgjuara në kohë reale”, deklaroi znj. Brahaj per Euronews Albania.
E gjithë paketa e kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, përmban 9 artikuj, si çizme plastike, Doreza, Maska respiratore, Syze mbrojtëse, Veshje, Kapuç etj, ndërsa siguron për një vit furnzimin e spitaleve rajonale.
1.Çizme plastike mbrojtëse,
2. Doreza Nitrili madhesia M pa pudër,
3.Maska respiratore FFP3/FFP2 (N95),
4.Syze mbrojtëse,
5. Veshje e padepërtueshme brendshme/jashtme me një përdorim,
6. Kapuç mbulues i kokës, qafës,
7.Kostum veshje spitalore,
8. Ekran mbrojtës i fytyrës,
9. Doreza të gjata jo sterile, nitrile