Kreu i PD, Lulzim Basha ka komentuar takimin me të rinjtë në Kukës të cilin e zhvilloi pak më parë pasditen e sotme.
Basha thotë se kryeministri Rama i preu në besë studentët e Kuksit duke i mbyllur filialin e Universitetit.
Ai gjithashtu konstaton se prej 7 vitesh rinia kuksiane është lënë në harresë po nga Edi Rama. Basha siguron se prioriteti i tij kryesor në qeveri do jetë t’u krijojë të rinjve mundësitë në Shqipëri.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
Rinia kuksiane është lënë në harresë prej shtatë vitesh nga Edi Rama. Gjatë një bisede me të rinj kuksianë, u ndalëm tek një nga problemet më të rënda të Kukësit sot, largimin e brezit të ri.
Gjendja ekonomike, pamundësia për të vazhduar studimet universitare dhe papunësia, i kanë detyruar shumë të rinj të largohen nga vendi.
Rama i preu në besë studentët e kësaj treve, duke mbyllur filialin e Universitetit të Tiranës. Shumë prej të rinjve nuk e vazhdojnë dot shkollën e lartë, pasi e kanë të pamundur ta përballojnë koston e studimeve dhe jetesës në Tiranë. Është e pafalshme që këta të rinj nuk kanë mundësi të shkollohen dhe të punësohen.
Kjo trevë i ka të gjitha, burimet njerëzore, natyrore, infrastrukturën dhe energjinë për t’i mundësuar një jetë të mirë banorëve të saj dhe për të ofruar mundësi punësimi për të rinjtë.
Shqipëria është e bekuar me një rini të mrekullueshme, e cila shkëlqen kudo në botë ku i jepet mundësia të studiojë apo të punojë. Detyra jonë është t’i krijojmë asaj këto mundësi në Shqipëri. Ky për mua është prioriteti kryesor.
Ne do t’u krijojmë studentëve mundësinë për 10 mijë praktika pune 1-vjeçare të paguara nga shteti. Do të investojmë në lidhjen e arsimimit me tregun e punës dhe sipërmarrjen. Përparësi e veçantë në qeverisjen e ardhshme është mbështetja financiare nëpërmjet stimujve fiskal e sipërmarrjeve të të rinjve si dhe e bizneseve që ofrojnë vende pune me paga dinjitoze për të rinjtë.
Bashkë me të rinjtë, ne do ta ndryshojmë fatin e vendit dhe do ta kthejmë Shqipërinë në vendin e mundësive për çdo të ri dhe të re shqiptare.