ADA HAZIZOLLI/ Do të mjaftojnë vetëm 30 minuta për të mësuar nëse jeni apo jo të infektuar me COVID-19. Kur kemi hyrë në muajin e 10-të pandemisë dhe zërat për rritjen e nivelit të testimeve janë shtuar, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendimin për të përfshirë testet e shpejta të antigenit, të cilat do të nisin të aplikohen duke nisur nga kjo e hënë.
Gjatë një komunikimi dje, Manastirliu tha se janë 100 mijë teste gati për t’u vendosur në funksion.
“Ashtu sikurse e kemi thënë dhe përcaktuar bazuar në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit, në funksion të kufizimit të përhapjes së infeksion it, kemi marrë të gjitha masat në kohë për përfshirjen e testimit të shpejtë të antigenit. Kemi siguruar në kontratën e parë 100 mijë teste të shpejta të antigenit, teste të cilat janë të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që janë tashmë të disponueshme në vendin tonë, gati për t’u vendosur në funksion të testimit diagnostik dhe hetimit epidemiologjik. Testimi i shpejtë i antigenit do të nisë nga dita e hënë, fillimisht në Tiranë dhe do të jenë epidemiologët që do ta kryejnë në kuadër të hetimit epidemiologjik në vatrat e evidentuara, të cilat do të vlerësohen prej tyre dhe që kanë një rëndësi kyçe për transmetimin e infeksionit, bazuar në udhëzuesin e miratuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”, tha Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tha se për përgjigjen e testit do të mjaftojnë vetëm 30 minuta.
“Testi i antigenit që është siguruar është thuajse 100% efektiv. Mund të ketë edhe teste të tjera të shpejta, por nuk identifikojnë antigenin. Pra, kjo është e rëndësishme. Ky test përdoret për qëllime diagnostifikuese. Ajo çfarë është e rëndësishme tjetër është se ky test duhet të kryhet atëherë kur kemi një ngarkesë virale të lartë, brenda 5 ditëve të para të sëmundjes. Nëse do të kemi një person përtej 5 ditëve të para, atëherë do të bëhet testi PCR. Ka një efikasitet gati 100%. Kjo e afron atë me PCR dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Përgjigjet merren brenda 30 minutave dhe kjo është një lehtësi shumë e madhe për hetimin epidemiologjik në kohë reale”, tha Bino.
TESTET
Testet e shpejta do të nisin të kryhen fillimisht në Tiranë dhe pas datës 20 dhjetor do të nisin të shtrihen në të gjithë vendin. Planifikimi për të bërë testimin e shpejtë të antigenit do të bëhet nga mjeku i familjes, sipas fashave orare të sistemit të ekzaminimit elektronik, gjë që lehtëson organizimin, shmang grumbullimet dhe siguron parametrat e grupuar të mbrojtjes së shëndetit.
“Pikat e testimit do të bëhen të njohura në ditët në vijim dhe do të mbulojnë një numër të caktuar banorësh, sipas një ndarjeje gjeografike që tashmë është bërë në funksion të mbulimit të nevojave, në funksion të testimit diagnostik dhe hetimit epidemiologjik në terren. Prej datës 20 dhjetor, testet e shpejta të antigenit do të vihen në dispozicion dhe të spitaleve rajonale për rastet e urgjencave të dyshuara, përpos testimit që aktualisht bëhet me metodën klasike të PCR”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.
KAPACITETET
Rritja me shpejtësi e numrit të të infektuarve në javët e fundit ka sjellë mbingarkesë në 4 strukturat COVID. Manastirliu tha se gjithsej janë 1600 shtretër, duke përfshirë edhe spitalet rajonale. Por sfida që kanë shumë vende sot, të cilat po përballen me valën e dytë të COVID, është forcimi i reparteve të terapisë intensive. Për herë të parë, ministrja tha informacion për numrin e respiratorëve në ndihmë të pacientëve në gjendje të rënduar.
“Kemi dyfishuar kapacitetet me shtretër në dy struktura të reja në Tiranë, dhe sot kemi 550 shtretër në funksion në 4 spitalet COVID, 1600 shtretër për përballimin e situatës me përfshirjen sipas skenarëve në spitalet rajonale. Sistemi ynë shëndetësor në fillim të kësaj epidemie numëronte rreth 200 respiratorë dhe ventilatorë nëse i referohemi muajit mars. Sot, në sistemin tonë, në spitalet Covid dhe në spitalet tona rajonale kemi 483 respirator invazivë dhe jo invazivë, respiratorë transporti të dedikuar pikërisht në funksion të mbështetjes të terapive intensive në strukturën tonë spitalore në të gjithë vendin”, vuri në dukje Manastirliu. Panorama