Kryeministri Edi Rama në takimin me qytetarët e Malësisë së Madhe nuk kurseu ironitë dhe sulmet për kundërshtarët politikë. Ai tha se ata po tentojnë të bllokojnë reformën në drejtësi dhe procesin e çeljes së negociatave. Rama nënvizoi faktin se pavarësisht përpjekjeve penguese të opozitarëve, reforma zgjedhore dhe integrimi nuk do të ndalohen dot. “Më ka ardhur keq, që sot kam pasur në rrugë dy grupe njerëzish për të krijuar pikërisht ato trazime në anë të rrugës. Më vjen keq për të gjithë ata njerëz që kanë të drejtën që mos të jenë dakord me ne dhe me qeverinë. Kanë të gjithë të drejtën që mos ta votojnë kurrë Partinë Socialiste, por duhet ta kuptojmë se fajin e kanë prijësit e tyre të dëshpëruar.
Nuk fitojnë dot me PS përballë, e dinë fare mirë se këtu në Malësi të Madhe nuk kishin asnjë shans që të fitonin dhe e dinë nga ana tjetër dhe ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund reformën në drejtësi dhe po punojmë për hapjen e negociatave. Ata po përpiqen të pengojnë këto objektiva kaq të qartë, por as njërin dhe as tjetrin nuk do e pengojnë dot.
Ne do të bëjmë në këto katër vite për Malësinë e Madhe sa nuk është bërë gjitha ato vite në këtë komunitet. Ne do të bëjmë edhe më shumë për njerëzit e kësaj zone, që kursimet dhe djersën e tyre e investojmë në vendin e tyre. Këta të PD thonë: Për punë votojmë socialistët, për rrëmujë jemi ne. Ja tek e keni. Vjen këtu dhe nuk shkon atje për të bllokuar rrugën”-tha Rama në Malësinë e Madhe.
Rama tha se Partia Socialiste ka dëshirë t’i ketë në garë, pasi sipas tij fitorja me “gola do të ishte më e mirë se ajo në tavolinë 3-0”. Teksa konfirmoi Tonin Marinajn si kandidat për bashkinë e Malësisë së Madhe, kryeministri Rama rikujtoi edhe ligjin e nënshkruar nga PS, PD dhe subjektet e tjera, duke treguar se kush përpiqet t’i dhunojë zgjedhjet e pret burgu.
Shefi i qeverisë nuk kurseu batutat me banorët e zonës, ndërsa ironizoi mbështetësit e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit duke iu rekujtuar se zgjedhjet do të mbahen në qershor dhe nuk do të ketë qeveri tranzitore.
“Ata kanë vendos të mos hyjnë në zgjedhje. Natyrisht që ne do të donim t’i kishim në garë, sepse fitorja do të ishte më e mirë me gola dhe jo kur e merr 3:0 në tavolinë. Këtë ne nuk e duam. Unë kam marrë votat nga ju, dhe i kam marrë për të bërë punën dhe jo për të punësuar Lulin. E la edhe atë punë që kishte. Ai kërkon njerëz që t’i bien murit me kokë. Kjo është e pakuptimtë dhe qesharake. Ata që i shkojnë pas Monikës besojnë në filxhan dhe është e vështirë që t’i bindësh. Problemi është me këta që nuk besojnë në filxhan.