Gjykata e Tiranës është blinduar ditën e sotme, pasi po zhvillon seancën me të arrestuarit gjatë protestës së dytë dhe të tretë në kryeqytet, kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia.
Seanca ka nisur prej orës 09:30, ku pritet të njihen me masën e sigurisë 42 të arrestuar.
Fillimisht, para trupës gjykuese kanë dalë 8 protestues dhe më pas grupi tjetër. Siç raporton gazetarja Bezat, ndryshe nga herët e tjera, Gjykata e Tiranës është blinduar me forca sigurie, jo vetëm ata që janë zakonisht në gjykatë, por ka punonjës shtesë në dyer, që nuk lejojnë askënd të futet brenda.
Emrat e të arrestuarve thirret me megafon për t’u futur brenda dhe për t’u njohur me veprat penale, ndërkohë që jashtë ambienteve të gjykatës ka edhe familjarë të të arrestuarve, që presin vendimin.