Me “Rilindjen”: Shqiptarë të varfër, qeveritarë të pasur. Ja ç’do të ofrojë PD me ardhjen ne pushtet

0
259

Nga Jorida Tabaku

Alternativa ekonomike që ka propozuar mazhoranca socialiste që në vitin 2014 ka qenë “Takso më shumë dhe merr borxh!”. Politikën e marrjes së borxhit, qeveria e shiti si një përpjekje për të shlyer borxhin e prapambetur ndaj bizneseve, por e vërteta qe që ky borxh u përdor për të ngjyrosur fasadat e godinave qeveritare dhe për të ndërtuar sheshet e qyteteve që përditë e më shumë boshatiseshin nga qytetarët.

Një borxh i marrë sot është padyshim një taksë e vendosur nesër. Prandaj, qeveria vazhdoi të rriste barrën fiskale duke shpikur lloj-lloj mënyrash për të detyruar qytetarët të paguajnë borxhin e marrë. Kur fasadat përfunduan dhe u vu re mungesa e rritjes ekonomike, thithjes së investimeve të huaja apo edhe rritjes së mirëqenies; qeveria morri borxh duke projektuar krijimin e PPP-ve. Ajo doli në treg për të marrë një tjetër borxh me shpresën që do të kënaqte oligarkët por edhe do të pasuronte qeveritarët përmes skemës së PPP-ve.

Projekti ambicioz i vjedhjes së 1 mld eurove përmes PPP-ve (që sot ka shkuar në 2,2 miliardë) si dhe përvetësimit të pronave publike dhe private përmes ligjeve speciale, u aplikuan në tokën e djerruar të ekonomisë vendase. Shqiptarëve iu është rritur barra fiskale me një vlerë prej 1,9 mld eurosh ndërsa brenda një dite që prej vitit 2014 janë mbyllur 188 biznese. Me një barrë fiskale më të rëndën në rajon, me një politikë fiskale aspak premtuese për të thithur investime si dhe me një borxh të rritur në kufijtë e 82%, qeveria vazhdoi skemën e qartë të pasurimit të vetes dhe varfërimit të qytetarëve.

Produktet e kësaj skeme mund t’i dallojmë lehtësisht nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Sipas një studimi të BSH për vitin 2013 rreth 53% e mikrobizneseve (pra dyqaneve që kanë 1-4 të punësuar) kanë deklaruar rënie të xhiros dhe të ardhurave. Shumica e ndërmarrjeve nuk mund të marrin kredi, ndërsa vetë bankat kanë ulur dhënien e kredive për bizneset dhe individët.

Qartësisht paratë që përdorin shqiptarët për të mbajtur familjet e tyre gjenden në tregun e zi. Sipas një tjetër raporti të Bankës së Shqipërisë 30% e kredisë së marra nga familjet shqiptare raportohet të jetë nga tregu i zi. Të dhënat e këtij raporti tregojnë rritjen e huasë nga tregu i zi si dhe mospagimin e mallit (pra efektin e listave).

Nga viti 2014 kur në Shqipëri u implementuan politikat fiskale rilindase gjendja ekonomike është përkeqësuar ndonëse rajoni ka pësuar ndryshime. Mrekullia mbi tokë që premtoi rilindja u shua që në muajt e parë edhe pse propaganda e rrogës së 13 vazhdoi të jehonte nga ekranet televizive. Qëllimi është shumë i qartë; pasurohen oligarkët, pasurohen qeveritarët dhe pjesa tjetër mbetet në kushtet e skllavërisë. Huaja në të zezë janë në fakt lëmosha që grupet rreth të parëve jep ndaj shumicës së shqiptarëve.

Ajo çfarë opozita propozon është e lidhur ngushtë me si e shohim ne qytetarin. Politika fiskale me taksa të ulëta është oferta për një Shqipëri ku liria për të bërë biznes incentivohet. Ne nuk dëshirojmë të taksojmë punën dhe punëdhënësin shproporcionalisht pasi jemi të bindur që paraja qarkullohet më mirë dhe i shërben mobilitetit të qytetarëve kur është pranë tyre dhe jo në xhepin e madh dhe me vrima të qeverisë.

Taksat e ulët prej 0,5% të xhiros është oferta që opozita i jep mikro-bizneseve familjare që vuajnë sot kontrollet tatimore, dhunën edhe presionin e qeverisë, taksat e larta dhe mungesën e konsumit. Lufta ndaj oligarkisë është në fakt betejë që nis me ndihmën ndaj bizneseve të vogla, të atyre bizneseve familjare që luftojnë përditë me një sistem që punon kundër tyre.

Shqiptarët varfërohen dhe taksohen përditë e më shumë për të paguar borxhet që qeveria merr në emrin e tyre dhe i shpenzon për qejfet personale. Partia Demokratike ofron të kundërtën; uljen e taksave dhe shpenzimin e borxhit në shërbim të qytetarëve dhe të mirës publike.