Ish-ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, i cili mori postin menjëherë pas luftës civile në vend, kur zgjedhjet u fituan nga e majta e udhëhequr nga Fatos Nano ka treguar disa të pathëna dhe hodhi dritë mbi ngjarjet e kohës.
I ftuar me emisionin “Real Story”, ne News 24, Ceka hodhi akuza të rënda në adresë të ish-kryeministrit Nano, për të cilin tha se ishte i pari që u afrua me botën e krimit, duke i hapur rrugë që të vepronte edhe në mes të Tiranës.
“Kam ikur në prill ’98 si ministër, më pak se 1 vit qendrova. Jam përballur me një polici që s’kishte as mjete, një situatë e paimagjinueshme ku gjithë vendi ishte jashtë kontrollit, ku nuk udhëtoje dot as nga Tirana drejt Elbasanit. Por brenda 2 muajsh u vendos rregulli, nisën çarmatimet. Sollëm një imazh të ri të një qeverie disa partiake ku u përfaqësua një shtresë e gjerë e popullsisë, ku çdo njeri shihte punën e tij.
Unë nuk kam dhënë dorëheqje, ishte Nano ai që vendosi të bëjë disa ndryshime në qeveri. Kujtoi se u stabilizua vendi dhe ndryshoi kursin e qeverisjes. Ai është i pari që u afrua me botën e krimit. Kjo e çmobilizoi policinë, rriti kredibilitetin e opozitës, i hapi rrugë krimit të vepronte edhe në mes të Tiranës, përfshi pastaj edhe vrajsen e Azem Hajdarit. E majta shqiptare në vend të ishte përfaqësuese e një morali europian, ka përfaqësuar tendencat e djathta të Amerikës Latine”,- tha Ceka.