BallinaAktualitetPashkët/Mesazhi i kryepeshkopit Anastas: Shpresë për të mposhtur padrejtësitë

Pashkët/Mesazhi i kryepeshkopit Anastas: Shpresë për të mposhtur padrejtësitë

spot_img
spot_img

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për Pashkë.

Ngjallja e Krishtit, thotë ai në mesazhin e urimit fuqizon shpresën se do të mposhten përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, interesat e errëta që zakonisht ecin së bashku me gënjeshtrën tinëzare dhe arrogancën e egër dhe e vrasin paqen.

MESAZHI I PLOTE
Shpresë pa kufi

Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Duke u gëzuar në shpresë”, le të thërresim:
Krishti u Ngjall!

Ngjallja, vëllezërit e mi, na ofron shpresë të pamasë. Kjo shpresë buron nga lajmi i gëzuar se u mund vdekja, armiku i paepur i njeriut. E mundi Krishti. “Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është fitorja jote, o hadh? U ngjall Krishti dhe ti u munde”, thërret shën Joan Gojarti dhe, bashkë me të, e gjithë Kisha Orthodhokse: “…U ngjall Krishti dhe jeta qytetërohet… Sepse Krishti, duke u ngjallur së vdekurish, u bë kulloshtra e të fjeturve. E Atij është lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin”.

Ngjarja e Ngjalljes së Krishtit ndriçon me dritë jetëprurëse tërë jetën njerëzore. Madje, edhe në kushtet më të vështira, përvoja paskale na jep forcë “që të mos kemi shpresë në veten tonë, po në Perëndinë që ngjall të vdekurit” (2Kor. 1:9). Mendja njerëzore nuk e percepton dot mrekullinë. Por zemra e kupton këtë të vërtetë dhe gufon duke psalur “Krishti u Ngjall!”. Në të njëjtën kohë, Ngjallja na forcon shpresën për të përballuar si fitimtarë çdo energji vdekjeprurëse që hidhëron jetën tonë. Ajo fuqizon shpresën se do të mposhten përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, interesat e errëta që zakonisht ecin së bashku me gënjeshtrën tinëzare dhe arrogancën e egër dhe e vrasin paqen, duke e çuar shoqërinë njerëzore në mjerim dhe dekadencë. Veçanërisht, gjatë së Kremtes së tërëndritshme të Pashkës, shpresa përhapet si rreze drite shpëtimtare në të gjitha drejtimet. Ajo ndriçon qenien e besimtarëve, prek në mënyrë mistike edhe ata shpirtra vullnetmirë që ndodhen në dyert e besimit.

Shpresa e krishterë nuk buron nga një optimizëm abstrakt, nuk ka lidhje me ndonjë iluzion utopist. Ajo mbështetet në sigurinë se ekziston Perëndia i Gjithëpushtetshëm, Krijuesi dhe Përkujdesësi i gjithçkaje, Perëndia personal i dashurisë, i Cili kaq shumë e deshi botën, “sa dha Birin e tij, të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Shpresa e Ngjalljes nuk i referohet ndonjë ideje abstrakte, por është e lidhur ngushtë me një Person, Perëndinjeriun Jisu Krisht, i Cili pësoi me dëshirën e Tij tortura të tmerrshme, u kryqëzua dhe e mposhti vdekjen. Përshëndetja “Krishti u Ngjall”, nuk tregon që u ngjall Perëndia- Hyjnia nuk vdes- por që u ngjall Perëndinjeriu Jisu Krisht dhe, së bashku me veten e Tij, ngjalli natyrën njerëzore, të cilën e mori prej “Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari”.

Apostull Pavli na shpjegon: “Tani Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur. Sepse, sikurse vdekja erdhi me anë njeriu, kështu edhe ngjallja e të vdekurve është me anë njeriu. Sepse, sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin” (1Kor. 15:20-22).

Kisha ecën përpara me këtë shpresë pa kufi duke psalur himnin triumfal të Ngjalljes: Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën u fali. Në mënyrë të vazhdueshme, ajo thotë me ngazëllim lavdërues: “Qoftë i bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, i cili, sipas përdëllimit të tij të shumtë, na lindi përsëri në një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish” (1 Petr. 1:3). Kjo shpresë u jep fuqi të gjitha gjymtyrëve të saj, ne të gjithëve, në përpjekjen tonë të përditshme për të duruar hidhërimet e shumëllojta, shpifjet, sëmundjet, dështimet, varfërinë, dhimbjen e thellë që shkakton largimi nga kjo jetë i njerëzve tanë të dashur. Gjithashtu, shpresa paskale na fal fuqi dhe na ngushëllon se me anë të ndriçimit të Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur do të gjenden daljet shpëtimtare nga rrugët e shumëllojta pa krye: politike, kishtare, personale dhe sociale, që na mundojnë. Pra, ecim përpara “duke u gëzuar në shpresë, duke duruar në shtrëngim e duke qëndruar në lutje” (Rom. 12:12).

Sigurisht, ekzistojnë parakushte konkrete për aktivizimin e kësaj shprese. Së pari, është besimi tek ato që na ka zbuluar Krishti, tek ato që Kisha ungjillëzon në mënyrë të pandërprerë, të cilat kanë autoritet të përjetshëm dhe të përbotshëm. Dhe së dyti, bindja se Krishtit të Ngjallur iu dha “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé” dhe për pasojë, historia nuk formësohet nga planet dhe veprimet e të fuqishmëve të kohës, por se fjalën e fundit e ka Perëndia i përjetshëm i drejtësisë dhe i dashurisë. Krishti i Ngjallur premtoi praninë e Tij të përhershme në jetën tonë: “Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës” (Matth. 28:20).

Paqja dhe gëzimi ecin bashkë me shpresën e Ngjalljes. “Paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje” (Filip. 4:7), ashtu siç e përcaktoi Krishti para pësimit të Tij: “Paqen time po jua jap juve; jo siç e jep bota, jua jap juve” (Jn. 14:27). Ashtu siç na e ofroi Ai pas Ngjalljes së Tij, si karakteristikë të përhershme të nxënësve dhe të apostujve të Tij: “Paqe mbi ju. Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju” (Jn. 20:21).

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi! Le ta përmbledhim këtë përshëndetje ngjallësore me fjalët e apostullit të kombeve: “Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi dhe paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Rom.16:13). Ose, duke e interpretuar lirisht me fjalët tona këtë varg: Perëndia i shpresës le të mbushë shpirtrat e të gjithëve me gëzim dhe paqe që burojnë nga besimi. Që, me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, të kemi shpresë të pashterur. Jo thjesht pak shpresë, por shpresë që të derdhet dhe të teprojë, që të mund t’ua ofrojmë edhe të tjerëve. Dhe të gjitha këto, do të kryhen jo me anë të aftësive tona, por me praninë dhe hirin e Shpirtit të Shenjtë.
Le të urojmë që, Zoti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur, Kreu i Kishës sonë, të na dhurojë neve dhe të tjerëve këtë shpresë të pafund paskale.

Krishti u Ngjall!

Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin Jisu, Shpëtimtarin tonë,

Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular