BallinaEkonomiBuxhetin 2021, ekspertët flasin “Zërin e Amerikës": Pa skenar alternativ dhe jorealist!...

Buxhetin 2021, ekspertët flasin “Zërin e Amerikës”: Pa skenar alternativ dhe jorealist! Qeveria: Rimëkëmb ekonominë

spot_img
spot_img

Në Shqipëri buxheti i vitit 2021 ka marrë vëmendje të veçantë si pasojë e momentit të vështirë ekonomik që po kalon vendi, për shkak të tërmetit të një viti më parë dhe pandemsë së Kovid 19. Qeveria thotë se ka hartuar një buxhet ambicioz që parashikon rimëkëmbje të ekonomisë. Ekspertët janë skeptikë dhe thonë se optimzimi i qeverisë, sikur të ishte një vit normal, nuk ka asnjë bazë reale. Pak kohë më parë pjesë e këtij debati u bë dhe Presidenti Ilir Meta i cili e ktheu për rishqyrtim në Parlament projektbuxhetin e vitit 2021, me arsyen kryesore se nuk merr në konsideratë pasojat e pandemisë ndërsa shumica qeverisëse e rrëzoi dekretin, duke e cilësuar të pambështetur këtë argument.

Shqipëria po mbyll një vit tejet të vështirë ekonomik pas goditjes së dy krizave të njëpasnjëshme, ajo e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e Kovid 19 e cila ende vijon. Kjo situatë ka sjellë parashikimet e qeverisë, të FMN dhe BB për rritjen ekonomike që variajojnë nga afërsisht – 6% në minus -9% nga 4.1% që ishte parashikuar për vitin 2020. Rritja ekonomike në buxhetin e vitit 2021 parashikohet me 5.5%, ndërsa prtishmëritë e FMN janë 4%.

“Është një buxhet i cili duket që nuk është realist, ka të ardhura të fryra, shpenzime të fryra, sidomos investime të fryra. Pra në vitin 2021 qeveria ka parashikuar nivelin më të mirë të mbledhjes së të ardhurave tatimore në historinë e tranzicionit, gjë që nuk ndodh në një periudhë normale dhe jo më në periudhë krize”- i tha Zërit të Amerikës Neritan Sejamini, Drejtues i emisionit “Me pak fjalë” në Euronews Albania.

 

 

Të ardhurat parashikohet të rriten me 10% krahasuar me 2020-ën, me një peshë me 18.3% në PPB, duke ruajtur një mesatare të viteve të fundit. Ekspertët thonë se krizat i përkeqësojnë treguesit ekonomikë. Ndërsa qeveria mendon se, përmes nismave fiskale të cilat ulin disa detryime për biznesin e vogël që përbën rreth 90% të totalit të binzesve, do të çlirojë në konsum afërsisht 50 milionë dollarë. Optimizmi i qeverisë mbështetet edhe në ruajtjen e nivelit të investimeve, në uljen e informalitetit apo dhe në shtyrjen e pagesës prej 45 milion dollarësh për kontratat e partnerieteve publike private për të ardhmen, që përbën rreth 1 të tretën e detyrimit vjetor të qeverisë për këto kontrata.

“Ne projektojmë buxhete në bazë të kalkulimeve tona dhe të disa parakushteve. Masat e marra mund të nxisin konsumin vitin tjetër. Thamë investimet publike nuk u ndërprenë këtë vit, dhe vitin tjetër shkojnë në 121 miliard lekë, është 7.2% e PBB, niveli i investimeve në vitin tjetër, në rindërtim, infrastructure. Sigurisht të gjitha këto do të përkthehen në rritje ekonomike, sepse do të rritet edhe punësimi, do të rritet edhe konsumi”- tha për Zërin e Amerikës Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Eksperti Adrian Civici, vlerëson pozitivish disa aspekte të buxhetit për vitin e ardhshëm, si rritjen e buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë, synimin për të ulur borxhin publik nga 80.1 në 78.6%, por shpreh shqetësim, se disa elementë në buxhet lidhen me zgjedhjet e pritshme politike te 25 prillit.

“Në Shqipëri është bërë traditë që gjithmonë vitet elektorale nuk kanë rezultuar pozitive për ekonominë, dhe nga ana tjetër politika shqiptare i përdor, sidomos instrumentin e taksave, si element elektoral për të joshur kategori të ndryshme sociale apo biznese. Mendoj që dhe këtë vit ky fenomen është evidentuar”- argumentoi për Zërin e Amerikës Adrian Civici, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Zyrtarët i mohojnë zërat kritikë se buxheti optimist lidhet me qëllime elektorale, dhe thonë se politikat e uljes së taksave apo të rritjes së pagave duke veçuar ato me 40% për personelin shëndetësor apo dyfishimin ndihmës ekonomike, janë vijim i politikave të mëhershme. E megjithatë ekspertët janë kritikë.

“Të krijohet ideja sikur mund të kemi një shoqëri pa taksa. Dhe kjo politikë taksash që propozojnë të dyja palët si qeveria ashtu dhe opozita nuk ka asnjë mundësi që të mbijetojë në një kohë afatgjatë. Jam i bindur që kushdo të vijë në qeverisje në prill të 2021-it, do t’u duhet t’i rishikojë këto premtime taksash dhe t’i ndryshojë përsëri”-u shpreh Neritan Sejamini, Drejtues i emisionit“Me pak fjalë” në Euronews Albania.

FMN ka qenë mjaft e rezervuar në parashikimet për vitin e ardhshëm dhe kërkon kujdes nga qeveria, nëse borxhi publik rritet në 88% nga 80.1 që pritet të jetë në fund të vitit. Ministrja e Financave Anila Denaj nuk shpreh shqetësim për këtë skenar të FMN.

“Ky është një skenar që nuk do të aprovohej në parlament. Por nuk do të shkojë një skenar i tillë. Nëse të ardhurat nuk materializohen ne i rishikojmë të ardhurat siç kemi bërë këtë vit. Bllokojmë disa shpenzime në infrastrukturë, rialokojmë PPP, çdo gjë do të shtyhet por ne nuk do të rrezikojmë rritje borxhi dhe mungesë likuiditeti”- shpjegoi Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Por ekspertët kanë pikëpyetje për një buxhet të hartuar në kushte të vështira ekonomike, kur kriza e Kovid 19 vijon dhe pasojat e tërmetit kanë lënë një faturë mbi 1 miliard euro.

“Ajo që edhe shumë ekspertë të tjerë e kanë vënë në dukje, është një buxhet pa skenar alternativ, në sensin që mund të presim edhe në janar edhe në shkurt ngjarje të tjera, dhe mund të jemi të detyruar që duke filluar që në tremujorin e parë të kalojmë në rishikime të buxhetit”- u shpreh Adrian Civici, Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Pandemia e Kovid19 në Shqipëri është në pikun saj. Infektimet janë shtuar. Numri i viktimave është rritur 3 herë në krahasim me muajt e verës. A rrezikon ekonomia shqiptare një mbyllje të dytë pas asaj në pranverë, dhe a bën pjesë kjo në skenarët e qeverisë.

“Një mbyllje tjetër do të ishte një skenar shumë i vështirë. Si qytetare që jetoj përditë në këtë vend mendoj që kujdesi për parandalimin e infeksionit është shtuar. Dalja e vaksinës në disa vende, nisma që ka marrë qeveria shqiptare për ta siguruar atë, janë masa, që besoj se do të ulin infeksionet, por mbi të gjitha do të ulin dhe rrezikun për mbylljen e plotë të ekonomisë”- tha Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Pavarësisht gjithë skenarëve të pritshëm për vitin 2021, një gjë është e sigurt që Shqipëria po mbyll një prej viteve më të vështira me një rritje ekonomike – 6%, pas vitit 1997 kur rritja ekonomike ishte -10%. Projekti buxhetor ambicioz i qeverisë për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e saj me 5.5% shihet më skepticizëm nga ekspertët që parashikojnë një rimëkëmbje në rastin më të mirë pas 3 apo 4 vitesh./VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular