Kanë rinisur kërkimet për gjetjen e trupit të Jan Prengës, i cili u mor peng dhe u vra në 17 janar të këtij viti në Kamës.
Kërkimet kanë nisur nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, me ndihmën e FNSH-së, me një qen gjurmues.
Raportohet se kërkimet janë përqendruar në fshatin Pjezë në Shijak. Për vrasjen e Jan Prengës deri tani në pranga kanë rënë 6 persona.
Hetuesit kanë arritur në përfundimin se Jan Prenga që u rrëmbye pranë banesës së tij në Kamëz, më 17 Janar të këtij viti, u çua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit. Sipas fotove nga kamerat e sigurisë, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën. Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit.
Për ngjarjen janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri, Festim Bixhdili dhe Ardian Doçaj. Sipas hetuesve, familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jan Prenga kishte humbur jetën.