Nëse kemi kaluar Covid-19 për sa kohë jemi të imunizuar?! Kjo është pyetja që vazhdon të mundojë ata që kaluan rishtazi virusin e shumë të tjerë që përballen me rrezikun.
Studimi më i fundit që ka zgjatur për 241 ditë, ose tetë muaj, ka vërtetuar që përgjatë gjithë kësaj kohe, personat e marrë në studim për antitrupat. Lajmin e mirë e jep mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti.
“Ne mund ta injorojmë natyrën, por megjithatë jemi pjesë e saj dhe ajo nuk mban mëri. As nuk harron. Kështu ndodhi edhe me debatin mbi kohëzgjatjen e imunitetit kundër Sars Cov-2, te personat që e kalojnë atë. Mirëpo natyra bën punën e saj, pavarësisht nga paaftësia jonë për të njohur, kuptuar, tejçuar dhe kujtuar mësimet e saj! Ne mund të harrojmë, por natyra kujton. Kështu vepron edhe sistemi ynë imunitar. Kujton!”, shkruan eksperti i shëndetit publik në një postim të gjatë në rrjetet sociale, duke e mbështetur paragrafin e mësipërm me studimin më të fundit, rezultatet e të cilit dolën dy ditë më parë në prestigjiozen “Science Immunology”.
“Në studimin e freskët nga shtypi, autorët e institucioneve të shquara kërkimore australiane demonstrojnë qartësisht se të gjithë individët krijojnë qeliza B kujtese kundër Sarscov-2. Qelizat B të kujtesës ishin të pranishme deri në fund të studimit (242 ditë)”. Sipas Alimehmetit, ky është studimi më i gjatë i zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së imunitetit kujtesë deri më sot, pasi vetë pandemia ka zgjatur rreth dhjetë muaj deri më sot dhe autorët kanë studiuar ecurinë e imunitetit për tetë muaj deri tani. Kjo gjetje, për numrin 2 të Fakultetit të Mjekësisë, është lajm shumë i mirë, veçanërisht për personat që e kanë kaluar infeksionin në mënyrë natyrore, i cili mund të jetë edhe sinjal pozitiv për programin e vaksinimit. “Pra, ne, miqtë e mi mund të mos e njohim plotësisht apo të zgjedhim ta harrojmë natyrën, por kjo e fundit na njeh mirë dhe kujton… kujton gjithmonë”, citon Alimehmeti duke kujtuar rrjedhën e debateve në këto muaj mbi kohëzgjatjen e imunitetit te personat që e kalojnë virusin.
Sipas tij, e gjithë biseda u fokusua në mënyrë të mysët vetëm mbi praninë dhe nivelin e antitrupave qarkullues “IgM” dhe “IgG”, interesi iu kushtua kohëzgjatjes së pranisë së tyre në gjak, çka solli panik që ky nivel binte pas disa muajsh.
E gjitha kjo, duke harruar dhe lënë pas mënyrën se si funksionojnë mekanizmat imunitarë. Studimi foli ndryshe. Në gjithë kohëzgjatjen e tij, sistemi imunitar e njohu virusin.
Në kushtet kur nuk jemi në gjendje të masim imunitetin, sipas mjekut, mohuam vetë atë, duke e zeruar. Por këtë gjë nuk e bëri natyra, “pavarësisht nga natyra jonë për të njohur, kuptuar, tejçuar dhe kujtuar mësimet e saj”, nënvizon Alimehmeti.