Dy vëllezër nga Tirana dhe një 29-vjeçar nga Dibra janë arrestuar pasi organizonin trafikun e klandestinëve nga Lindja e Mesme.
Tre të arrestuarit merrnin klandestinët nga kufiri Shqipëri-Greqi, drejt Tiranës e më pas në Kukës kundrejt përfitimeve monetare.
Ata u arrestuan në Tiranë, teksa synimi i trafikimit ishte që të nxirrnin klandestinët për në vendet e BE.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 5.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, dy prej tyre vëllezer.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 5, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Brothers”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve :
F.M., 25 vjeç, F.M., 25 vjeç, (vëllezer), të dy banues në Tiranë dhe E.T., 29 vjeç, banues në Dibër.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se në kohë të ndryshme organizonin trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme, nëpërmjet kufiri Shqipëri-Greqi, në drejtim të Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, kundrejt përfitimit monetar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.