BallinaIntervista“Basha lider ndryshe”-Neritan Ceka: Rama kryeministri më i keq! I dhamë timonin...

“Basha lider ndryshe”-Neritan Ceka: Rama kryeministri më i keq! I dhamë timonin dikujt që s’di të ngasë makinën! Po realizon porosinë e…

spot_img
spot_img

Neritan Ceka, një prej figurave qendrore të pluralizmit politik, është vëzhgues i mprehtë i asaj se çfarë ndodh çdo ditë në vendin tonë. Pas 30 viteve nga rrëzimi i diktaturës, z.Ceka flet me keqardhje për distancën e madhe nga BE për shkak të krizave politike, ndërsa demokracinë shqiptare e krahason me një demokraci latino-amerikane.

Ish-themeluesi i PD-së thotë për “Gazeta Shqiptare” se gjithçka e kontrollon një njeri i vetëm, Edi Rama, përmes marrjes së të gjitha pushteteve.

Neritan Ceka vëren me shqetësim se “në formë piramidale bëhet klonimi i tij jo vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në arrogancën, cinizmin dhe arbitraritetin, me të cilin mbulohet gjithmonë mungesa e aftësisë dhe profesionalizmit”. “Rama vjen nga një traditë që shtrihet midis monumentit prej bronzi të Enver Hoxhës dhe shtatores prej dru ulliri të Haxhi Qamilit”, – thekson Ceka.

Opozitës së kryesuar nga Lulzim Basha, ish-themeluesi i PD-së i kujton se, më shumë se rotacionin politik, e djathta duhet të synojë një model të ri pushteti. Lulzim Bashën e quan një politikan të tipit europian, një qytetar në politikë dhe, sipas Neritan Cekës, ai është e kundërta e liderit të pozitës së sotme.

Z.Ceka, Shqipëria ka 30 vite pluralizëm, por pse po vuan akoma për demokracinë? Përse nuk po e bëjmë dot Shqipërinë si gjithë Europa?

“Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” ka qenë më tepër një ëndërr sesa një program. Realisht kemi qenë gjithmonë shumë afër Europës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe si qytetërim e mentalitet, por kemi qenë shumë larg si organizim komunitar. Në një vend ku komuniteti përbëhet nga individë që luftojnë për ekzistencë, ku ka pasiguri për të nesërmen, ku prona është objekt i vazhdueshëm i grabitjes, ku administrata shikohet si instrument për të përfituar nga kjo grabitje dhe ku infrastruktura ishte njëqind vjet prapa asaj të Europës, ka qenë gjithmonë e vështirë, për çdo qeveri, që të bënte një program për “Shqipërinë si gjithë Europa”.

Sidoqoftë janë bërë hapa të mëdhenj, si anëtarësimi në NATO dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së. Realisht gjysma e shqiptarëve janë bërë pjesë e BE-së, sigurisht si emigrantë. Nga ana tjetër duhet të pranojmë, se për shkak të qëndrimeve aspak profesionale të politikanëve shqiptarë, vetëm brenda tri dekadave të fundit ne kemi humbur më shumë se dhjetë vjet distancë nga BE-ja për shkak të krizave politike, më e rënda e të cilave ishte ajo e vitit 1996-1997. Në fakt, këto vitet e fundit, në vend të shkojmë drejt BE-së, jemi bërë një demokraci latino-amerikane. Nuk gjej model tjetër që ta krahasoj.

A janë të uzurpuara edhe sot liritë dhe të drejtat e shqiptarëve?

Nuk ka dyshim që në një vend ku nuk ka ndarje pushtetesh, ku një parti e vetme kontrollon pushtetin ekzekutiv, atë legjislativ dhe gjyqësor, ku edhe pushteti lokal është njëpartiak, nuk mund të flitet për garanci për të drejtat dhe liritë themelore. Natyrisht, nuk vepron neni 55 i Shqipërisë së Enverit, por ka dy mekanizma që e zëvendësojnë atë. I pari është presioni që bën pushteti njëpartiak përmes vendeve të punës, që janë nën kontrollin e tij.

Rreth 100.000 punonjës të shërbimeve publike trajtohen si një rezervat i partisë në pushtet, që i kontrollohen mendimet, lëvizjet, simpatitë etj. Mekanizmi i dytë është vetëkontrolli, i trashëguar edhe ky nga sistemi komunist. Jo vetëm atyre që paguhen nga shteti, por të gjithë qytetarëve u është dërguar mesazhi virtual që, duhet të mendojnë si i pari, të duan të parin, të admirojnë gjestet, mënyrën e të folurit, të veshjes, të mbajtjes së mjekrës dhe mustaqeve etj. Kështu, në formë piramidale bëhet klonimi i tij jo vetëm në pamjen e jashtme, por edhe në arrogancën, cinizmin dhe arbitraritetin, me të cilin mbulohet gjithmonë mungesa e aftësisë dhe profesionalizmit.

Si e konsideroni strukturën e ndërtuar nga kryeministri Edi Rama përgjatë 7 viteve të mandatit qeverisës?

Është realizimi i porosisë së sh. Enver: “Parti u bëftë bota!” Një deputete del para dritareve të zyrës së kryeministrit dhe në ekstazë thërret “Ja ky burri këtu, Skënderbeu!” dhe pas dy ditësh emërohet ministre. Një çinovnik i komiteteve të partisë së kohës së komunizmit, që nuk di asnjë gjuhë përveç dialektit krahinor, ekstazohet gjithashtu dhe thërret: “Ne jemi larg shefit se toka me Hënën!”

Dhe kjo ndodh në një qytet që në tri dekadat e fundit ka strehuar të paktën dhjetëmijë intelektualë të laureuar në universitetet elitare europiane dhe amerikane. Ky është vendi i panairit të çudirave virtuale të propaganduara çdo ditë nga daullexhinjtë e Pallatit të Ëndrrave, por realisht i rrumpallës së një administrate që ka vetëm një funksion: të rilindë çdo katër vjet të njëjtën pjellë – plakushin Rilindje.

Shqiptarët i dhanë timonin 7 vite më parë, por a diti Edi Rama ta ngasë makinën?

Në fakt, 7 vite më parë i dhanë kazanin e drogës, kriminalitetit parlamentar dhe korrupsionit të PP-ve, ndërsa timonin ia dhanë pas katër vitesh, një njeriu që ende nuk ka mësuar të ngasë makinën. Le të shpresojmë që vitin e ardhshëm të paktën të ngasë biçikletën në korsitë e Lali Erit!

Përse nuk mundi Edi Rama të bëhej dot përgjatë gjithë kësaj kohe edhe kryeministri juaj?

Unë i përkas një familjeje që i ka shërbyer Shqipërisë pavarësisht se cili ishte regjimi. Im gjysh, Hysen Ceka, hapi shkollat e para shqipe në Shpat të Elbasanit dhe ishte drejtori i parë i shkollës së parë unike në qytet më 1908, edhe pse ishte ende pushtimi turk; im atë studioi arkeologji në Vjenë, mbikëqyri me fanatizëm misionet e huaja arkeologjike në vend dhe organizoi ekspeditën e parë arkeologjike dhe muzeun arkeologjik në vitin 1948 në Tiranë, edhe pse gjatë asaj periudhe sundoi mbreti Zog, apo diktatori Enver.

Unë vazhdoj të punoj si arkeolog edhe pas daljes në pension, pavarësisht se në pushtet janë trashëgimtarët e Enverit. Në veprimtarinë time, Rama është kryeministri më i keq për sa i përket gjithçkaje që kanë punuar të tre brezat e familjes sime. Rama vjen nga një traditë që shtrihet midis monumentit prej bronzi të Enver Hoxhës dhe shtatores prej dru ulliri të Haxhi Qamilit.

Nga kjo rrjedh edhe modeli i qeverisjes së tij, që përmblidhet në restaurimin e pushtetit të përmbysur komunist me sjelljen e bijve dhe nipave të skotës së Enverit dhe mentalitetin anadollak dhe rrumpallë të babë Haxhiut. Ai i takon një lloji politikanësh të tipit musolinian, që mendojnë se historia fillon dhe mbaron me ta, se para tyre nuk është bërë asgjë dhe se asgjë nuk do të mbetet për t’u bërë pas tyre.

Rezultati më i dukshëm është Tirana, që u kthye në një qytet të pabanueshëm, por edhe e gjithë Shqipëria, që po zbrazet dita-ditës. Rama jo vetëm nuk u bë kryeministri im dhe i miqve të shumtë të viteve ‘90, por as edhe i socialistëve të vërtetë, që janë një vlerë e veçantë e jetës politike dhe karakterit europian të pushtetit demokratik në Shqipëri. Shpresoj se kalimi në opozitë i PS-së do të jetë një shans për europianizimin e plotë të saj. Ky do të ishte urimi më i mirë që do t’i bëhej për Vitin e Ri 2021!

Pavarësisht se të gjithë janë kundër Edi Ramës, në gjykimin tuaj, çfarë po e bën atë rezistues?

Unë mendoj se nuk janë të gjithë, sepse ka grupe të ndryshme shoqërore që e mbështesin. Në radhë të parë janë gjithë ish-operativët e Sigurimit të Shtetit, ish-anëtarët e skuadrave të pushkatimit, ish-gardianët e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit, ish-kuadrovikët e Partisë së Punës, ish-brigadierë të kooperativave, dhe shumë isha të tjerë që kanë pasur si model të pushtetit atë që u bën dëm të tjerëve, pavarësisht se nuk u bënte ndonjë të mirë të madhe atyre.

Dhe pushteti i sotëm bën pikërisht këtë gjë, pra çdo ditë shpik diçka që të dëmtojë ata që punojnë, në radhë të parë biznesin e mesëm dhe të vogël, përgjithësisht gjithçka që mund të formojë dhe konsolidojë qytetarin e mesëm, mbështetësin e votës së lirë dhe të pushtetit demokratik.

Një klasë e mesme e pakonsoliduar, e dëmtuar vazhdimisht nga mekanizmat e pushtetit, që nga doganat deri te policitë e panumërta partiake, është shansi i çdo autoritari për të qëndruar gjatë në pushtet. Iluzioni i pushtetit është se me furçat që i bëjnë, se ai është Skënderbeu, apo astronauti i instaluar në Hënë, krijon përshtypjen se është kryetari i isha-ve, kur në fakt është shërbëtori i tyre. Sepse janë ata që përfitojnë nga droga, korrupsioni dhe shfrytëzimi i formave të legjitimuara të kriminalitetit.

A ka kushte sot Shqipëria për të zhvilluar zgjedhje të barabarta?

 Personalisht dyshoj se nuk i ka për disa arsye. Së pari për krijimin e një infrastrukture ligjore dhe administrative të kontrolluar direkt nga selia mavi. Së dyti, mosndëshkueshmëria e “peshqve të mëdhenj” që u dekonspiruan nga regjistrimet lidhur me zgjedhjet në Dibër, gjë që inkurajon vazhdimin e kësaj rruge.
Së treti, nga Prezenca e OSBE në Tiranë, që përzgjodhi si bashkëkryetar të Komitetit Politik për Reformën Zgjedhore pikërisht kryebanditin e vjedhjes së votave në Dibër.

Për fat të keq, përvoja e gjatë e raporteve që kjo Prezencë jep për zgjedhjet në Shqipëri, që rezultojnë gjithmonë “me të meta të theksuara, por më të mira se ato paraardhëse”, kanë krijuar mendimin se, sa të jetë kjo Prezencë në Shqipëri, nuk do të bëhen kurrë zgjedhje të lira e të ndershme.

Nga se janë të rrezikuara zgjedhjet e 25 prillit?

Para së gjithash janë të rrezikuara nga mosbesimi në lirinë e votës. Shumë qytetarë nuk shkojnë në votime nga neveria që kanë për ata që bëjnë numërimin e votave. Është njësoj si të çosh në ato ambiente Kuranin, apo Biblën, që ta përdhosin njerëz pa din e pa iman. Së dyti, është presioni ekzistencial, pra i kërcënimit se mund të humbin vendin e punës, normalitetin e biznesit, karrierën e tyre dhe të familjarëve etj.

E treta, nga oportunizmi i aleatëve tanë europianë dhe amerikanë, të cilët asnjëherë nuk e kanë paralajmëruar seriozisht pushtetin për ndërprerje të bashkëpunimit dhe mbështetjes në rast manipulimi të zgjedhjeve dhe mosndëshkueshmëri të manipuluesve. Stabiliteti në shkëmbim të institucioneve demokratike është një nga politikat më të gabuara të aleatëve tanë, që kanë pasur si pasojë shkatërrimin e institucioneve dhe si rrjedhim edhe të stabilitetit. Mjafton të kujtojmë 1997-ën!

A është Presidenti më afër këtij rreziku, paralajmërimit për manipulimin e votave, të cilin po ua bën prezent shqiptarëve në mënyrë të përsëritur, ndërkohë që opozita vazhdon të jetë e sigurt se do të jetë fituesja e 25 prillit ndërsa PS-ja synon mandatin e tretë qeverisës?

Natyrisht, presidenti ka të gjithë informacionin e mundshëm, edhe nga shërbimet që i raportojnë të gjitha hollësitë e përgatitjes së manipulimit, apo shtrembërimit të zgjedhjeve. Unë nuk besoj të përsëriten skena të ngjashme me ato të 26 majit 1996, apo të Dibrës e Durrësit, por nga frikacakët do të kemi gjithmonë të papritura. Sepse ata që fusin duart e fëlliqura në aktin më të shenjtë të qytetarëve, që është votimi, e bëjnë nga frika se do të përgjigjen për paudhësitë e tyre në pushtet, nëse e humbasin atë.

Sipas jush, ku duhet ta gjejë opozita burimin e votave?

Normalisht e gjen te pakënaqësia ndaj pushtetarëve, që kanë qenë zullumqarët më të mëdhenj të këtij shekulli. Por kjo nuk mjafton, sepse pakënaqësia krijon vetëm iluzione, dhe nga një votë kundër nuk lind një pushtet i shëndetshëm. Mendoj se opozita më shumë se rotacionin, shumë të nevojshëm për çdo pushtet demokratik, duhet të synojë një model të ri pushteti, me një imazh të ri të drejtuesve të opozitës së sotme dhe pozitës së ardhshme, por edhe një elektorat të ri, plus atij tradicional. Ky është elektorati që pamë në protestat e dhjetorit, që kërkojnë një Shqipëri tjetër me vizion dhe shpirt europian. Ata duhen motivuar dhe bindur se ndryshimi nuk vjen duke djegur pemën e Vitit të Ri, as duke thyer llambat e semaforëve, por duke u bërë pjesëmarrës në qeverisje përmes votës dhe përfaqësimit dinjitoz në parlament.

Opozitës i duhet votëbesimi i shqiptarëve. Cila strategji e rikthen atë në pushtet?

Ka vetëm një strategji, që është programi dhe premtimi elektoral për një Shqipëri normale, pa arrogancë, arbitraritet dhe pushtet personal, që janë kanceri i Shqipërisë ku jetojmë. Popullit i duhet Republika e Tretë, një shtet i bazuar në të drejtën dhe parimet europiane të qeverisjes. Të gjithëve ne, qytetarëve shqiptarë, na duhet të sigurohemi në radhë të parë që opozita nuk do të identifikohet me PD-në dhe aleatët e saj, me masën anonime të anëtarëve e militantëve që kanë zënë radhën për të marrë zyrat e atyre që drejtojnë sot korrupsionin, drogën, dhunën dhe padrejtësitë e pushtetit. Duhet promovuar modeli i një opozite që përbëhet nga kushdo që mendon se pushtetit aktual i ka ngecur ora, se është bërë jo vetëm i dëmshëm, por edhe i rrezikshëm për ekonominë, kulturën, identitetin kombëtar dhe për vetë integritetin shtetëror.

Cila formulë e çon opozitën drejt fitores së 25 prillit? Cilat janë disavantazhet dhe avantazhet e saj?

Besoj se i kam sqaruar më sipër prerogativat, ndërsa formula më e mirë është ftesa për të gjithë shqiptarët për të kontribuar për një Shqipëri ndryshe, me votën dhe përkushtimin patriotik. Mendoj se në këto zgjedhje nuk bëhet fjalë vetëm për pushtetin, por kryesisht për shtetin, për Republikën.

Çfarë vendi duhet të kenë në PD, figurat e reja që do vijnë përmes procesit të përzgjedhjes së kandidatëve nga anëtarësia e partisë?

Nuk besoj se figurat e reja mund të vijnë përmes përzgjedhjes nga forumet lokale të PD-së, të cilat nuk mund të dalin nga rrethi i militantizmit të tyre, apo nga ndikimet familjare e miqësore. Ka ende kohë që të thirren pranë liderit një grup njerëzish të rinj, që do të përfaqësojnë Shqipërinë që jetojmë, si dhe diasporën që jeton me të.

Nuk është e nevojshme që ata të ftohen për t’u bërë deputetë, por si aktorë në pjesën politike të ekzekutivit, ku do të ketë nevojë për përvoja dhe ide të reja. Nga ana tjetër, një fondacion i tipit “Konrad Adenauer” do të ishte i domosdoshëm për të përthithur një pjesë të mirë të atyre që kanë kontribuar vërtet për opozitën në vite dhe mund të kthehet në një think tank për programimin e së ardhmes.

A duhet ta shqetësojnë PD-në partitë e reja që janë regjistruar në Gjykatë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, si ajo e Topallit, e Hajdarit, apo më herët e Patozit? A besoni se ato do të rreshtohen përkrah opozitës para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit?

Gjëja më e pavend që do të bënte PD-ja dhe opozita në përgjithësi do të ishte që të luftonte kundër këtyre partive. Mendoj se ato kanë vendin e tyre në një vend demokratik dhe duhen parë edhe si aleatë të ardhshëm, nëse mund të arrijnë të futen në parlament. Kjo vlen edhe për ata, nëse duan të konsiderohen vërtet si opozitë.

Si e shikoni kthesën e Genc Rulit apo Besnik Mustafajt për të hedhur pas të shkuarën me qëllim bashkimin e fuqive të demokratëve kundër një qeverie tashmë të konsumuar nga pushteti?

Nëse ata do shkonin në një fondacion pranë PD-së, kjo do të ishte me të vërtetë një kontribut. Kam përshtypjen se asnjëri prej tyre nuk ka qenë me të vërtetë anëtar i PD-së, por vetëm i ekzekutivit të krijuar prej saj. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk konkurron dot me disa figura të reja të PD-së, ku unë do të veçoja Jorida Tabakun.

A frymëzon shpresë dhe besim për shqiptarët Lulzim Basha?

Jam shprehur gjithmonë se te Lulzim Basha shoh një lider që ndryshon nga tipi i politikanëve që kanë marrë pushtetin në tri dekadat e fundit dhe që kanë dhënë përshtypjen se drejtonin një vend me të paktën 100 milionë banorë, me vendin e katërt në GDP, me të ardhurat më të larta në rajon etj., etj. Basha është politikani që e di se do të drejtojë një vend ku janë regjistruar katër milionë shqiptarë, por kanë mbetur vetëm dy, nga të cilët një milion kanë bërë edhe ata gati valixhet për të ikur.

Një shtet që ka mbetur katër herë në klasë për të hapur negociatat me BE-në; që mban gjithmonë njërin nga dhjetë vendet e fundit në botë për gjithçka që është pozitive dhe është nga dhjetë të parët për gjithçka negative. Një vend ku politikanët vlerësohen nga fjalimet, por jo nga veprat; ku deputet zgjidhet i forti, i dhunshmi, i dënuari dhe jo i mençuri, i kulturuari dhe i ndershmi; ku shitet dhe blihet vota pikërisht nga partitë politike që duhet ta mbrojnë e respektojnë atë. Në këtë optikë, nuk them që Basha është një engjëll politik, por kam bindjen që është politikan i tipit europian. Është një qytetar në politikë dhe i pari që ka një program për të ardhmen e modelit europian.

Thjesht, një program që synon krijimin e klasës së mesme, që është garancia e demokracisë, armiku i megalomanisë në politikë. Pra është e kundërta e liderit të pozitës së sotme. Edhe opozita në përgjithësi, ndryshe nga pushteti, ka një program shumë të mirë elektoral, që synon pikërisht krijimin e shtresës së mesme përmes masave mjaft të studiuara financiare dhe ekonomike. Duket qartë që është një program i hartuar nga specialistë që e kanë studiuar shumë mirë ekonominë dhe mundësitë reale të Shqipërisë.

Basha po bën një punë kolosale për ta çuar këtë program te njerëzit e interesuar, që nga të rinjtë, te fermerët, biznesi i vogël, e deri te pensionistët, që janë më të interesuarit. A frymëzon shpresë dhe besim Basha? Për këtë ai duhet t’i drejtohet Biblës, që është programi i parë modern i të gjitha lëvizjeve qytetëruese për ndryshim. Për të realizuar ndryshimin, nuk mjafton një lider, por duhet një lidership, një panel i ri figurash, të zotët që të përballojnë problemet e mëdha të një vendi të vogël.

Kjo është ajo që unë personalisht pres nga Basha në finishin e rrugëtimit të tij drejt Kryeministrisë. Si shumë shqiptarë që kanë kontribuar për ndërrimin e një vendi demokratik, pa pasur asnjë ambicie personale politike, asnjë përfitim të padrejtë nga pushteti që kanë ushtruar, asnjë tifozëri për partinë kryesore opozitare, pres një kryeministër që e shikon zyrën e tij në atë ndërtesë si kalimtare, si një zyrë si të gjitha të tjerat e paguara nga taksapaguesit shqiptarë, ku hyn në orën 8:30 dhe largohet në orën 17:00 për të bërë detyrat e bashkëshortit dhe të prindit; që sjell në Tiranë modelin e kryeministrit dhe vartësve të tij nga vendi ku ka studiuar dhe që nuk do të humbë më asnjë qytetar nga ata dy milionë që i kanë mbetur Shqipërisë. /Valentina Madani Gsh.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular