BallinaOP EDIsh-kryebashkiaku i Vlorës: Qeveritarë, mos i poshtëroni më njerëzit me lëmosha për...

Ish-kryebashkiaku i Vlorës: Qeveritarë, mos i poshtëroni më njerëzit me lëmosha për hir të zotit!

spot_img
spot_img
Nga Gezim Zilja
Ish-Kryetar i Bashkisë Vlorë
Mos i poshtëroni më për hir të zotit!
Ka tridhjetë vjet që përsëritet kjo maskaradë: Për krishtlindje, për bajram, për pashkë, për vit të ri, kur ka përmbytje, kur bie tërmet një herë në njëzet apo tridhjetë vjet. Deputetë, ministra, zv/ ministra kryetarë bashkish, kryetarë qeverie, presidentë, biznesmenë, mafiozë, trafikantë, e lloj lloj parallinjsh pasi kanë larë, masazhuar e parfumosur bythët e majme, të shoqërur shpesh nga gratë e tyre budallaqe e fëmijë të stërfryrë si gjela Peqini, i shikon hipur mbi makina luksoze me bagazhin plot dhurata e ushqime. Nuk harrojnë të marrin me vete kamerat e televizoneve kombëtarë ( leri ata privatë) që të filmojnë minuta të tëra fytyrat, duke shpërndarë me duart e tyre ( edhe zonja Makbeth i kishte më të pastra) për pleqtë e mjerë të azileve dhe fëmijët varfanjakë migjenianë të shek të XXI, majmunë leshi, arinjë plastikë e ushqime magazinazh, që qentë e macet, që mbajnë nëpër shtëpia as që ua hedhin sytë. Dhe ju o pensionistë, që falënderoni kryeministrin me zemër në dorë për pesëmijë lekë e zini rradhë që në mëngjes pa pyetur as për covid e as për sëmundje, kini pak më shumë dinjitet! Nuk janë paratë e kryeministrit dhe qeveritarëve more të mjerë! Janë paratë tuaja, janë djersa e gjaku juaj i dhjetëra viteve, që derdhët për një jetë më të mirë e që shpesh u shkoi kot, për dhjamë qeni. Jo më shumë se pesëmbëdhjetë vjet më parë ishte e ligjëruar paga e trembëdhjetë për gjithë punonjësit e pensionistët. Vetë e vunë e vetë e hoqën horrat e qeverive që shkojnë e vijnë sepse duhet të vidhnin më shumë nga paratë tuaja. A ia vlen të kërruseni aq shumë e të falëndëroni bejlerët e qeverive kur shumë më shumë ata u detyrohen, e shumë më shumë pa u ngopur vazhdojnë të vjedhin? Dhe ju qeveritarë të neveritshëm i jepni fund kësaj maskarade të fëlliqur me dhurata plastike, makarona, miell e sheqer, e pesëmijëlekëshe shpërblim. Ia morët shpirtin këtij populli e tani po i merrni dhe nderin e dinjitetin. E keni katandisur të “lumturohet “ kur ju nxirrni një vendim për shpërblim qesharak edhe pse ato nuk janë paratë tuaja.
Keni plot 8760 orë, 365 ditë, 48 javë, 12 muaj çdo vit, për të menduar e punuar për njerëzit e thjeshtë,për ata që përbëjnë ashtin e ekzistencës së shtetit, që ngrihen çdo mëngjes e punojnë në fusha, male, dete, në magazina, fasoneri, administratë, shkolla, spitale e kudo mbi dhe nën tokë, që me punën e tyre mbajnë gjallë atë që quhet shoqëri njerëzore dhe shtet. Edhe nëse mendoni që me fonde shtetërore ( se ju kurrë nuk u del nga xhepi i fryrë asnjë qindarkë për të varfërit) mund të shpërndahen dhurata njerëzve në nevojë, s’ka pse shkon vetë kryetari i qeverisë, ministri apo kryetarët e neveritshëm të bashkive. Çoni një nëpunës të thjeshtë të institucionit, mos ua merrni erzin këtyre mjeranëve e mos ua zini miellin në grykë, sidomos, mos kërkoni me ngulm frazën poshtëruese që del nga goja e uritur e fëmijëve të pafajshëm: Faleminderit zoti kryeministër, faleminderit xhaxhi kryetar. Nuk keni të drejtë, as të shpërndani si dikur sulltaneshat monedha floriri robinjave të haremit , shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit e tu dorëzoni njerëzve personalisht çelësat. Nuk i keni ndërtuar me paratë tuaja o zuzarë! Janë paratë e tyre ose të taksapaguesve të shteteve bujare. Ju i poshtëroni duke nënkuptuar: kryeministri, kryetari i bashkisë, qeveria ju dhanë shtëpi të re (edhe të vdekurit dridhen atje në varr kur dëgjojnë këto bëma) prandaj ju duhet të na jepni votën. Asnjë nga ju nuk ka aq para sa të ndërtojë qoftë dhe një kotec pulash të vetme me rrogën që merr. Ju jeni shërbestarë të popullit dhe si të tillë duhet të silleni! Mos harroni se tridhjetë vjet më parë shumica juaj laheshit me sapllak, e ndërronint brekët e kanotieret një herë në javë, gatuanit nëpër VC tuaja të ngushta, në furnela vajguri, shkonit në punë me biçikleta me kopertona gjithë mballoma e komerdare që nuk kishte vend të vendosje një pullë, e zgarën e ndryshkur, ku vendosnit dy feta bukë lyer me gjizë, mbështjellë me gazetë, të veshur me ato pardesytë dalëbojë, kthyera te rrobaqepsi, e në fund të pesëmbëdhjetëditëshit prisnit të merrnit rrogën për të blerë atë bukën përzier me patate e marmalatën e zezë, që kishte ditë që mungonte në shtëpi. Tani që jeni fryrë më paratë e këtij populli fatkeq mos e poshtëroni më dhe mos i merrni dhe erzin! Kjo është më tepër se e neveritshme.
PS : Dhuratat për bamirësi janë bërë e do të bëhen. Po s’është e nevojshme të dalësh në foto, tv apo gazetë!? Nuk është gjesti i duhur për të fituar famë apo respekt. Pastaj kur bamirësia bëhet më paratë e shtetit kjo quhet poshtërsi, ligësi, turp.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular