“Merkel mbron trashëgiminë e saj në Ballkan”

1
265

Konferenca e Ballkanit që zhvillohet të hënën në Berlin ka tërhequr fort vëmendjen e shtypit gjerman. Mjaft gazeta i kushtojnë vëmendje sidomos çështjes së Kosovës – toni sundues – jo ndryshim kufijsh në Ballkan.

Një artikull i përbashkët i tre politikanëve gjermanë, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic( SPD), dhe Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) me titull “Jo ndryshime kufijsh në Ballkan botohet të hënën nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Aty deputetët e Bundestagut theksojnë se të dy presidentët, ai i Kosovës, Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiq kanë propozuar këmbimin e territoreve përgjatë vijës etnike për të zgjidhur konfliktin mes të dy vendeve. “Ne e refuzojmë këtë propozim, sepse zonat e përcaktuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm nacionalistësh që mendojnë në kategori racore, që e kanë çuar njëherë rajonin në luftën më të përgjakshme të historisë europiane të pasluftës. Propozimi është antikushtetues dhe vendos pikëpyetje mbi multietnicitetin e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë mosndarjen e vendit.”

Më tej  tre politikanët gjermane theksojnë, se ky propozim do të ishte kapitullim para vlerave europiane. “Prandaj ky propozim duhet të hidhet poshtë qartësisht.”…”Ne kemi mësuar, se paqja e vërtetë është  e munder, vetëm me ato shoqëri, që e gjejnë forcën tek pluralizmi, toleranca, mosdiskriminimi dhe të drejtat e veçanta për pakicat. Për çështje etnike nuk mund të ketë zgjidhje territoriale. Ky parim mbetet për ne i patundur.”

Ndërsa gazeta tjetër gjermane, Süddeutsche Zeitung nën titullin “Eksperimente shpërthyese” shkruan se në debatin për një zgjidhje të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë u fut në axhendën e ditës edhe ndryshimi i kufijve, e sipas kësaj qetësia do të vendosej, nëse veriu i Kosovës i banuar me serbë do të bashkohej me Serbinë dhe zonat e banuara me shqiptarë do të shkonin si këmbim tek Kosova. “Por këtu duhet të bien këmbanat e alarmit.” Autori vlerëson qëndrimin e qartë të kancelares Merkel në këtë çështje. “Është merita e Angela Merkelit që gati e vetmja ishte që që nga fillimi doli kundër kësaj. Sepse kush vë në pyetje kufijtë, ndez sërish fitilin në fuçinë e barutit Ballkan. Ai rrezikon, madje provokon shpërthimin e konflikteve të reja në shtetin e tre etnive, Bosnje-Hercegovinë, deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e fortë shqiptare. Në mënyrë të panevojshme konfirmohen në fund me konceptin e ndryshimit të kufijve ata nacionalistë, të cilët në luftërat e viteve 90-të, megjithë brutalitetin nuk mundën të arrinin qëllimin e tyre të shteteve homogjene etnike.”

Edeh gazeta Die Welt i kushton vëmendje konferencës së Ballkanit. Nën titullin “Merkel mbron trashëgiminë e saj në Ballkan”, theksohet se kancelarja synon të pengojë ripërcaktimin e kufijve në rajon. “Shqetësimi për një nga rajonet më të pastabilizuara të Europës është konstante e politikës së jashtme të Merkelit….Që nga fillimi Merkel ndoqi një politikë konsekuente në Ballkan….Berlini e kuptoi vonë, se Vuçiq me një fushatë të zgjuar ia doli të bënte për vete për idenë e këmbimit të territoreve të ngarkuarën e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, një liberale e majtë. Italianja dëshiron që ta kurorëzojë me një projekt të madh mandatin e saj që po shkon drejt fundit, e që mund të interpretohet si hap drejt pajtimit në rajon. Por në zyrën e kancelares i tremben të kundërtës: Një ndarje e plotë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk mund të arrihet. Çdo ndryshim kufijsh do të çonte në një debat të ri për ndryshime të tjera, në akte kërcënuese, armatim, në rastin më të keq edhe në luftë. Merkel punon me durim për të kundërtën…Por a është Merkel aq e fortë, që t’i japë fund debatit për kufij të rinj? Përgjigjen për këtë do ta japë takimi të hënën.

Frankfurter Allgemeine Zeitung i kushton po të hënë një analizë me titull “Trump, Kosova dhe loja me median” zhvillimeve në Ballkan para Konferencës së Berlinit.

Para disa javësh presidenti serb Aleksandar Vuçiq mori një letër nga Uashingtoni. Donald Trump uronte për festën kombëtare dhe shtonte, se sipas qëndrimit amerikan, njohja e dyanshme duhet të jetë baza e çdo procesi normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një korrigjim i habitshëm i pozicionit amerikan, sepse në vitin 2018, këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton kishte thënë, se nëse Serbia dhe ish-provinca  e saj e pavarësuar ndërkohë do të binin në ujdi për zgjidhjen e konfliktit, Uashingtoni nuk do t’i pengonte….Por a mendon kështu edhe presidenti serb? ‘Ky është qëndrimi i tij e ai nuk mund të pranohet prej nesh kaq thjesht. Por ne e kemi regjistruar interesin e tij, ta zgjidhim  këtë temë kaq të vështirë për ne’, komentoi Vuçiq deklaratën e Trumpit.” DW

 

 

la/sdd,welt/faz

1 Koment

Comments are closed.