Dhjetra qytetarë kanë dalë në protestë mëngjesin e sotëm në Tiranë, për shkak të mospërfundimit në kohë të punimeve në një pallat, për të cilin kanë dhënë paradhënie një pjesë të parave.
Kompania në fjalë sipas Fax News është Star construction, ndërkohë që punimet e pallatit duhet të kishin përfunduar në vitin 2019. Çështja e këtij konflikti që ka nisur mes investitorit dhe ndërtuesit të pallatit ndodhet tashmë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ndërkohë që Bashkia e Tiranës nuk u jep leje banorëve që të kryejnë ndërhyrje në pallat.
Janë dy biznesmenë që janë të përfshirë në ndërtimin e pallatit, ndërkohë që banorët thonë se janë të detyruar që të qendrojnë me qera, në një kohë që kanë dhënë para për blerjen e banesave në këtë pallat në ndërtim. Biznesmenët që janë të përfshirë në konflikt janë Sino Llanaj dhe Albert Allmuça.
Njëri prej personave që është transportuar drejt spitalit është biznesmeni Sino Llanaj, ndërsa konfliktin e ka pasur me biznesmenin tjetër që ka bërë një pjesë tjetër të ndërtimeve në këtë pallat. Ai ka mbetur i lënduar si pasojë e përlasjes me punonjësit e sigurisë të kompanisë që ruan pallatin, që i përkasin firmës së Allmucës.
Në këtë pallat që ka dy investitorë, një pjesë e banorëve kanë hyrë në shtëpitë e tyre, dhe pjesa tjetër ndodhet ende në mëshirë të fatit.
Kompania ka marrë leje për shtyrjen e punimeve deri në vitin 2022. “Ne kërkojmë që të bëjmë vetë pjesën që ka mbetur në banesat tona. Kemi marrë borxhe, dhe i kemi blerë ato shtëpi, nga 80 mijë euro, kemi paguar 60 mijë dhe ato e kemi marrë borxh”, shprehet një tjetër prej qytetarëve.
“Berti i ka futur në godinë të gjithë banorët e vetë, ne rrimë ende këtu në rrugë”, thonë banorët.