Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Dedja, në 29-vjetorin e themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist (FRESSH) ka kërkuar nga drejtuesit aktual të PS që të mos tallen me historinë. Ish-themeluesi i FRESSH shprehet se Partia Socialiste e sotme nuk ka asnjë lidhje me idealet eurosocialiste. Dedja shton se FRESSH që dikur hoqi dogmat e marksizmit përpara se një akt të tilla të bënte PS, sot kontrollohet nga pasardhësit e Bllokut.
“Ju që nuk keni asnjë lidhje me FRESSH, Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar, mos na hapni barkun sot me histori idealesh dhe urimesh. FRESSH është një kujtim i bukur i të kaluarës. FRESSH guxoi dhe hoqi marksizmin nga programi përpara se ta bënte partia-mëmë, ndërsa sot fantazma e PSSH, Rilindja Mavi kontrollohet nga pasardhësit e Bllokut famëkeq dhe bijtë e marksistëve dogmatikë të PSSH.
Si ish-anëtar dhe ish-deputet i FRESSH përulem me respekt para themeluesve të Janarit 1992!”,- shkruan Taulant Dedja në një reagim në Facebook. Dedja ka publikuar edhe fotografi, me një pjesë të anëtarëve dhe drejtuesve të FRESSH në vitin 1992.