Basha: 25 prilli do sjellë një model ndryshe qeverisje. Unë i pari kryeministër që nuk është shkolluar në komunizëm
Nisida Tufa: Zoti Basha, e keni bërë me dije që në krye të herës se ekonomia ka qenë një shtyllë e fortë, por nga ana tjetër duam të dimë më shumë edhe për ekipin tuaj, për ekzekutuesit e këtij programi, përveç ju që jeni në krye. Gjithsesi në vijim të pyetjeve të mija flasim pak për zgjedhjet që ju keni bërë. Në krye të listës për Lezhën ju keni vendosur një akademik shumë të njohur me shumë influencë siç është zoti Mark Marku. Është pikërisht zoti Marku që pak muaj më parë ishte në pjesën e Komisionin Përzgjedhës së kandidatëve për Deputetë për t’u vendosur në lista për Partinë Demokratike. A ka konflikt interesi këtu, në rastin e Mark Markut?
Lulzim Basha: As në rastin e Mark Markut nuk ka konflikt interesi dhe as Komisioni nuk është më në ekzistencë. Komisioni e përfundoi punën e tij.
Nisida Tufa: Po aman është ai një prej individëve që ka përzgjedhur, ka vendosur në një filtër.
Lulzim Basha: Pa diskutim, në qoftë se do të kishte ndodhur në një moment të tillë pa diskutim që unë do të kisha kërkuar përjashtimin e çdo anëtari që dëshironte të konkurronte.
Nisida Tufa: Pra vendimi është marrë më pas?
Lulzim Basha: Mark Marku është propozuar masivisht nga strukturat e Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës dhe gëzon një mbështetje do të thoja unanime nga drejtuesit dhe strukturat por dhe nga qytetarët pikërisht për ato atribute që ju thatë
Nisida Tufa: Konsiderohet përjashtim rasti i Markut?
Lulzim Basha: Jo, ka anëtarë të komisionit që kanë përjashtuar vetë çdo ambicie politike. Natyrisht që gjatë kohës që komisioni ka qenë në punë do të ishte e pa mendueshme që të kishte një dualitet të tillë, por puna e komisionit tashmë ka muaj që ka përfunduar dhe figura të tilla si Mark Marku siç e thatë vetë një intelektual i spikatur, një akademik, një njeri i përkushtuar ndaj të drejtës por edhe një njeri me përvojë politike vjen jo thjesht dhe vetëm si zgjedhje e drejtuesve të Partisë Demokratike, e imja, po edhe si propozimi i bazës dhe një kërkesë e vetë demokratëve të Lezhës, për të drejtuar betejën politike në një qark ku ne presim një rezultat jashtëzakonisht të thellë ndaj Partisë Socialiste e cila ka dështuar në çdo aspekt, padiskutim ka dështuar dhe me emërimet e drejtuesve politikë të atij qarku që kanë rekordet më të zeza të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gazetarja: Po teksa jemi duke folur për këtë kam dy pyetje në vijim zoti Basha. Fillimisht ju thatë që ka vetë anëtarë të komisionit që e kanë përjashtuar veten nga përfshirja në lista. Është rasti ndoshta për të folur për Nishanin, Rulin, Mustafain. Mund të jenë edhe këta pjesë të listës së Partisë Demokratike?
Lulzim Basha: Unë sot ku ndodhem, mund të ju flas që proçesi i emërimit të koordinatorëve po ndodh me konsultim me gjithë bazën e anëtarësisë dhe padiskutim ka raste, ku njerëz, po e thëm dhe këtë rast si zoti Marku, ju është kërkuar të japin kontribute, kanë pranuar të japin këtë kontribut.Kjo do të thotë që nuk paragjykoj asgjë por, natyrisht vendimet përsa I përket listës së deputetëve do të kalojnë përmes institucioneve të Partisë Demokratike që janë kryesia dhe këshilli kombëtar.
Gazetarja: Zoti Basha po deputetë, të cilët janë skualifikuar nga puna e komisionit, nga vetë anëtarët e komisionit që kanë vendosur a do të mund të jenë në listën tuaj si pjesë e atij 20 përqindëshit?
Lulzim Basha: Edhe për këtë kemi pasur një, përgjigja ime nuk ndryshon. Janë vendimet e kryesisë dhe të Këshilllit Kombëtar ato që do të finalizojnë listën tonë. Një gjë ju garantoj: Lista e Partisë Demokratike në këto zgjedhje do të jetë një listë kuruese por, e pakonkurrueshme me kundërshtarin tonë politik, sa i përket integritetit, aftësive, përvojës, por dhe risive dhe energjisë për t’u përballur me të keqen për të triumfuar mbi të keqen dhe ç’është më e rëndësishmja nesër për të garantuar shërbimin e plotë ndaj njerëzve, sepse siç ju thashë 25 Prilli nuk do të jetë thjesht dita e një triumfi të madh popullor kundër të keqes që e vuri poshtë këtë vend për 8 vite dhe e keqja është Edi Rama. Dështimi është Edi Rama. Premtimthyesi është Edi Rama, prandaj jemi në këtë situatë. Po do të jetë dita edhe e ndryshimit të modelit të qeverisjes .Politikës do t’i kthehet fytyra njerëzore. Jo arroganca, jo shpërfillja, jo cinizmi, jo pandjeshmëria.Nuk i sheh vuajtjet e familjarëve. Nuk i sheh zgripin në të cilën ka çuar sipërmarrjen. Nuk i sheh lotët e nënave tek përcjellin fëmijët e tyre në emigracion dhe vazhdon tamtamet e sukseseve imagjinare, që në fakt janë sukseset siç ju thashë vetëm të një grushti ministrash që janë pasuruar e stërpasuruar. Pra do të jetë ndryshimi i qeverisjes. Kjo është sfida ime dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse bashkë me 25 Prillin e 2021 po vjen dhe një ndryshim tjetër. Unë do të jem i pari kryeministër që nuk është arsimuar në komunizëm, që është rritur dhe brumosur me një model perëndimor të formimit, që beson në vlerat fondamentale të shoqërive të lira siç është respekti për individin, siç është fuqia e mundësisë. Ne themi liria, liria çfarë është liria? Është fuqia e mundësisë që pavarësisht nëse vjen nga një familje me prindër të paprivilegjuar apo vjen nga një familje e privilegjuar, shoqëria të japë mundësinë të ecësh përpara sipas aftësisë, sipas talentit dhe unë jam produkt i kësaj. Kam pasur mundësinë që në Perëndim, përmes aftësive të mia të çaj përpara. Por sot, dy dekada pasi unë e kam përjetuar këtë, qindra, mijëra të rinj shqiptarë për fat të keq, ka një fat të keq dhe një fat të mirë ka dy anë kjo monedhë, për fat të keq atë që nuk e arrijnë dot në vendin e tyre e arrijnë dhe shkëlqejnë në vendet ku emigrojnë. Përmendim artistë me famë botërore nga Dua Lipa tek Rita Ora apo Ava Max me prindër nga Shqipëria, sportistë, shkencëtarë, sipërmarrës, administratorë të zotë të cilët kanë arritur majat në shoqëritë perëndimore dhe këta janë vetëm maja e ajsbergut se shumë e shumë të tjerë kanë arritur me talentin e tyre, me fuqinë e tyre të ndërtojnë një jetë normale dhe më shumë se normale në shoqëritë perëndimore. Pyetja Nisida është pse nuk e bëjnë dot këtë në vendin tonë? Prandaj ju them që 25 Prilli do të sjelli një model ndryshe, një qeveri ndryshe që këto mundësi t’ia japë çdo fëmije dhe çdo të riu shqiptar, kjo është qeveria ime.