BallinaKryesore“Si i përdhunonte femrat me pistoletë në dorë ‘Toger Baba’. Fundi tragjik...

“Si i përdhunonte femrat me pistoletë në dorë ‘Toger Baba’. Fundi tragjik i grave që e kundërshtuan”

spot_img
spot_img

Së fundmi, gjithë ç’ka parë a dëgjuar nga bashkëvuajtës të tjerë, Tanush Kaso, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, e ka treguar në librin “Krimet e komunizmit; një histori e plotë për Mirditën”.

Në tregimet e tij, kanë qenë gjithnjë torturat që u bëheshin femrave. Cilët ishin policët në qelitë e Hetuesisë, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat me dhunë fizike e përdhunime? Çnderimet me forcë nga kryepolicët dhe rastet e vdekjeve që u jepnin fund vuajtjeve pa motiv. Kaso u lind në Tiranë, në vitin 1934. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në qytetin e Tiranës, shërbeu për disa vjet si arsimtar në fshatrat e kryeqytetit e të Peshkopisë.

Më 1961, teksa vazhdonte të punonte si arsimtar në fshatrat e Tiranës dhe ndiqte me korrespodencë Fakultetin e GjuhëLetërsisë në vitin e tretë, u arrestua “me akuzën e pjesëmarrjes në një grup armiqësor kundër pushtetit, që kishte si qëllim krijimin e një partie social-demokrate”.

Më 11 gusht 1962, me vendim nr. 113, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor “për tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë të tundshme e të patundshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë. Pas kryerjes së dënimit, u shtrëngua të punonte punë nga më të rëndat… Kjo është vetëm një pjesë e dëshmive të tij, nga më të rëndat.

PJESË NGA LIBRI

Në vitin 1945-1946, në Mirditë vepronin rreth pesëqind të arratisur antikomunistë, të ndarë në çeta të vogla. Kjo përbënte rrezik për regjimin e Tiranës, i cili e vuri si detyrë parësore zhdukjen e tyre me çdo mjet e mënyrë të mundshme.

U përzgjodhën elementët që do të vepronin atje, midis atyre që kishin dhënë prova të barbarisë së tyre mbi fshatarësinë e Jugut, veçanërisht mbi atë të lumit të Vlorës, të Kuçit e Bolenës, ku kishin ndeshur në qëndresën e armatosur të çetës së Lahe Nuros e të Izet Vrazhdos dhe ku kishin ushtruar një terror të paparë në historinë e atyre vendeve duke mos kursyer as pleqtë, gratë dhe foshnjat e djepit.

Një nga ato kafshë me fytyrë njeriu ishte edhe një i quajtur Hodo Habibi, nga fshati Kuç i Kurveleshit. Edhe pse pa kurrfarë tradite familjare dhe i pashkollë, për ‘meritën’ e barbarisë së treguar në reprezaljet komuniste, atij i kishin dhënë gradën ‘toger’ i Forcave të Ndjekjes dhe dyqind ushtarë nga pas.

U vetëquajt Toger Baba dhe kështu nisën ta thërrisnin të gjithë: vartësit, eprorët dhe populli. Të paktë ishin ata që e dinin se ai quhej Hodo Habibi dhe se ishte nga Kuçi i Kurveleshit. Kryekrimineli Mehmet Shehu i kishte dhënë të ngjashmit të vet kompetenca të plota dhe njëfarë ‘Carta Bianca”, që i lejonte të bënte çfarë të donte mbi ‘popullin armik’ të Mirditës katolike.

I dehur nga fuqia që i kishin dhënë, ai nisi veprimtarinë e tij në Mirditë, me fushatën e çar matimit. Urdhëroi që dyert e çdo shtëpie mirditore të liheshin hapur, ditën dhe natën, deri në një urdhër të dytë, mbasi do të ushtroheshin kontrolle të befasishme nga Forcat e Ndjekjes, për armë dhe për të arratisurit politikë. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë në Mirditë, që nga krijimi i saj.

Por, shpejt u pa se qëllimi i toger Hodos kishte qenë i dyfishtë: të kryente detyrën qeveritare dhe njëkohësisht të përmbushte epshet e tij shtazore, duke përdhunuar gra e vajza të pambrojtura. Bashkë me ‘trimat e tij’, ai grabiste edhe sende me vlerë, që ruheshin nëpër sepetet e shtëpive fisnike, të zotët e të cilave ishin pushkatuar ose ndodheshin në arrati.

Siç shkruan heroi i rezistencës antikomuniste, Nikoll Mëlyshi, në faqet 279-280, të librit të tij “Ngjarje Historike: ‘U kërcente grave në shtrat, për t’i shnderue me përdhunë, tue i friksue me kobure në dorë; u kishte marr ftyrën shumë femnave, por nuk guxonte as kurrkush me ba ankesa, se do t’i delte shpirti pre drunit të ‘Babajt’.

Kur delte drita, i mblidhte katundarët në nji shesh në qendër të katundit dhe i urdhnonte qi të bashin nji zjarr të madh me dru shumë e mandej i zhvishte popullin lakuriq dhe i lidhte të gjithë me konop dorë për dorë rreth e përqark atij zjarri dhe kapte drun dhe u binte shpinës, qi të afrohen zjarrit e të digjen.

Mandej, kur lodhej vet, i zgjidhte dy ose tre ma të fortit dhe iu jepte dajakun në dorë e i urdhëronte të silleshin ata mbi shokët e vet të lidhun duersh. Ndonjiher i zgjidhte të gjithë dhe i bante me forcë të sjellin me dru njani me tjetrin; dhe kur shifte se ndonjani nuk po e përdorte krejt fuqinë e drunit, atëherë Babaj atë njeri e shtronte përdhe dhe ia nxirrte shpirtin me dru.

E kur togeri kishte ba qejfin e tij me të rrafunat, e qi kur fillonte bora me akull, po kështu i zdeshte burrat dhe i detyronte të hyjshin në ujë të ftoftë të lumit Fan i Vogël. Ky barbar i popullit, kur hynte nëpër pyje, gjoja për ndjekje t’arratisunish, merrte me vete si udhëhekëse dy ose tri gra ma të mirat dhe mbasi i shkërdhente 10-15 ditë, i lironte gratë e shkreta dhe shkoshin në shtëpijat e tyne të turpnume dhe të laskaryueme e të levrozueme nga përdhunimi i toger Babës”.

FUNDI TRAGJIK I GRAVE QË KUNDËRSHTUAN TOGER BABËN

I pari i vendit, kryekomunisti Bardhok Biba, dhe komunistët e tjerë mirditorë, nuk reagonin fare, por i miratonin në heshtje veprimet antiligjore dhe çnjerëzore të Toger Babës me shokë. Këto çështje ata nuk i ngrinin as në mbledhjet e organizatës bazë të Partisë dhe as nuk i raportonin në Komunitetin Qendror. Ndërsa fshatarëve u kishte hyrë frika në palcë dhe nuk guxonin të hapnin gojën se i priste vdekja pa gjyq. Kështu ishin pushkatuar prej tij: Gjok Marka Ndreca, Marka Preng Zefi, Marka Ndrec Bajraktari, Ndue Nikoll Ndoka, Frrok Nikoll Ndoka e shumë të tjerë.

Vetëm gruaja e këtij të fundit mori guximin ta kundërshton te me fjalë të ashpra togerin e kuq, kur ai urdhëroi që ajo të zhvishej lakuriq përpara të gjithë të pranishmëve. Ajo e kërcënoi se do të shkonte në Tiranë dhe do ta raportonte tek Enver Hoxha. Emri i “Komandantit legjendar” e bëri të mendohet Toger Babën dhe e prapësoi urdhrin e dhënë. Mbasi bëri një mijë të zeza në krahinën e Fandit, në tetor të vitit 1946, ai me forcat e veta u shpërngul dhe shkoi në Bajrakun e Spaçit.

Sapo u vendos në Kodër të Spaçit, arrestoi të gjithë burrat e atij vendi, rreth dyzet vetë. I zhveshi lakuriq, i lidhi me litar dorë përdore dhe i nisi në këmbë për në katundin Mushtë të Bjeshkëve të Munellës që ishte tri orë larg. Aty, i futi në stallë lopësh me baltë e mbeturina, ku kaluan natën si të burgosur.

Të nesërmen i vuri përpara si bagëtinë dhe o çoi në katundin Kimëz, ku ishin grumbulluar edhe fshatarë të tjerë nga Gjegjani, Shkoza, Gojani etj. Mblodhi popullin, me burra e gra, dhe para të gjithëve rrahu rëndë priftin 65-vjeçar, Dom Nikoll Kimza, të cilin pastaj e nisi për në burgun e Shkodrës. Mandej urdhëroi që të zhvishej lakuriq gruaja e Preng Gjon Markut, Dila. Por meqenëse ajo kundërshtoi ashpërsisht, Togeri dha urdhër që të ndizej zjarr i madh dhe Dila të digjej me gjithë rroba. Ndërkohë, burri i saj, Prenga, mundi t’i zgjidhë duart dhe u largua me vrap në drejtim të maleve. Por, policët dhe ushtarët e Hodos e ndoqën dhe e vranë. Kjo ngjarje u përhap nëpër fshatrat përreth. Mbas disa ditëve, fjala i shkon edhe kushëririt të Prengës, Pal NIkoll Prendit, i cili ishte duke kryer studimet në Moskë, të Rusisë (rast i rrallë ky për mirditorët). Ai preket e zemërohet së tepërmi nga këto veprime kriminale. Kërkon disa ditë leje të kthehet në Tiranë, ku menjëherë i drejtohet udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe, të cilëve ua përshkruan atë që po ndodhte në Mirditë.

MASAT E KOÇI XOXES NDAJ HODO HABIBIT; NGA MIRDITORET TE ZADRIMORET

Masa e vetme që mori ministri i Punëve të Brendshme për bëmat e Hodo Habibit, ishte transferimi i tij nga Mirëdita në rrethin e Lezhës. Sapo u vendos në katundin Hajmel të Zadrimës, Toger Baba filloi zakonin e tij të vjetër. Ai mendoi se do ta kishte më të lehtë sesa në Mirditë, që të fuste në dorë zadrimoret e bukura. Por, ndofta nuk e dinte se shumë banorë të atyre fshatrave në Lezhës ishin shpërngulur shumë vjet më parë nga Mirëdita dhe i ruanin mirëfilli zakonet e tyre.

Ai zgjodhi si vendqëndrim të tij shtëpinë e Kol Simonit, një fshatar tridhjetëvjeçar, i cili nuk ishte përzierë kurrë në çështje politike. Por, ai kishte një motër të bukur, njëzetvjeçare, së cilës ia vuri syrin kafsha me emrin Hodo Habibi. Për të arritur lehtësisht qëllimin e tij, Togeri akuzoi vëllanë e saj se gjoja kishte pas strehuar të arratisurit.

E arrestoi atë dhe e mbajti të lidhur këmbë e duar në një dhomë të shtëpisë, duke ushtruar tortura mbi atë njeri krejtësisht të pafajshëm. Mbas dy ditësh e dy netësh dhune fizike e presionesh mbi Kolën, Toger Hodua arrestoi edhe të motrën e tij, Luçien, së cilës i propozoi që të kalonte disa net me të. Por, ajo nuk pranoi; edhe kur ai deshi ta përdhunonte, ajo reagoi fuqishëm. Nisi një kacafytje midis tyre. U gërvishtën e u gjakosën nga fytyra. U shqyen dhe u grisën edhe rrobat që ajo kishte veshur. Por, 20vjeçarja që luftonte për jetë a vdekje, i përmblodhi të gjitha forcat e saj dhe mundi të shkëputet nga thonjtë e asaj bishe të egër. Doli me vrap nga shtëpia dhe mundi të strehohet te të afërmit e saj, në pritje të zbardhjes së dritës, për t’u nisur drejt qytetit të Shkodrës.

TUK JAKOVA, SHPËTIMTARI I GRAVE NGA TOGER BABA

Toger Baba, i tërbuar nga zemërimi, urdhëroi katundin që ta dorëzonte Luçien brenda dy orëve, përndryshe do të pushkatonte vëllanë e saj. Katundi nuk e dorëzoi atë vajzë trime, e cila herët në agim, ashtu siç ishte, e rreckosur dhe e gjakosur, u nis për në Shkodër, ku kishin disa miq familjarë, ndër të cilët edhe Tuk Jakovën, asokohe funksionar i Partisë Komuniste. Toger Hodua nisi Kolë Simonin me ushtarët e tij gjoja për në burgun e Lezhës, po i porositi ata që ta vrisnin rrugës, me justifikimin sikur kishte dashur të arratisej. Dhe ashtu u bë. Fshatari i ndershëm dhe i patëkeq, Kolë Simoni, u pushkatua në të dalë të fshatit Hajmel, vetëm për tekat e Hodos.

Ndërkohë, Luçia, me të arritur në Shkodër, shkoi te shtëpia e Tuk Jakovës dhe ia tregoi me hollësi ngjarjen. Ai i dha një letër për t’ia dorëzuar Koçi Xoxes dhe ia pagoi paratë e udhëtimit deri në Tiranë. Koçi, me autoritetin e ministrit të Punëve të Brendshme, urdhëroi organet e hetuesisë dhe ato gjyqësore që ta ndiqnin pa vonesë këtë çështje.

Ato organe kishin në sirtarët e tyre edhe disa raporte të tjera të ardhura nga Mirdita dhe Lezha, nga persona të ndryshëm që ankoheshin për sjelljet mizore të togerit Hodo Habibi. Por, deri atëherë, ato sjellje kishin mbetur pa përgjigje. Tani ishte koha të hapeshin të gjitha përpara trupit gjykues. Mbasi u vërtetua plotësisht çështja, Gjykata e Shkodrës shkoi në vendin e ngjarjes, në Hajmel të Lezhës. Atje, në prani të popullit të mbledhur nga të gjitha katundet, u gjykua i pandehuri Hodo Habibi nga Kuçi i Kurveleshit dhe u dënua me vdekje e varje në litar.

Ndëshkimi shembullore i “Toger babës” u bë më së shumti për të gënjyer popullin, sikur gjoja ai kishte vepruar me kokën e tij dhe pa dijeninë e partisë, gjë që askush nuk mund ta besonte po edhe mbas vdekjes së tij, dhuna dhe masakrat komuniste në Mirditë vazhduan si më parë. Ato do të kulmonin në gushtin e vitit 1949, mbas vrasjes së sekretarit të partisë dhe deputetit të Mirditës, Bardhok Biba, nga Komiteti i Maleve.

Në Mirditë kishte edhe të tjerë si famëkeqi “Toger baba”, të ardhur nga jugu, por edhe vendës, siç do ta shohim më tej. Gjon Mark Ndoj, në librin e tij “Ndëshkimi i pafajësisë”, në faqet 130-131, tregon se si “Tre katër vjet ma vonë u njoftue nji mbledhje e rëndësishme…kishin ardhë shumë civilë oficera prej Tirane e drejtues të rretheve fqinjë. Nji arkivol i mbështjellë me nji cohë të kuqe ishte vendosë në nji vend të dukshëm. Kunora shifeshin pilë në nji makinë.

Mbasi u grumbulluan njerëzit, sekretari i parë foli i pari:-“Mblidhemi sot këtu për me nderue e me pohue krimin që u ba ndaj tij nga armiq të çdo ngjyre që ia duen të keqen partisë. I njoftun si Toger Baba, nji luftar trim…viktimë e shpifjeve të armikut të klasës e të Partisë. Toger Baba la nji emër të Nderuem në Mirditë, duke u ndeshë dhëmb për dhëmb me armiqtë…si një bir i denjë i partisë që ia don të mirën popullit…” Pra, komunistët u penduan që e ekzekutuan Hodo Habibin, një nga ushtarakët e tyre më aktivë, i cili kishte vepruar sipas udhëzimeve të partisë, të Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut, prandaj e panë të nevojshme që mbas pak vjetësh ta rehabilitonin, edhe për të inkurajuar të ngjashmit e tij/Panorama/ SUPLEMENTI UNE GRUAJA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular