Nga Roland Bejko
Me furi të madhe u përhap dje lajmi në media dhe mediat sociale se Besnik Mustafaj ishte miratuar nga “rilindja” si anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Më bëri përshtypje në facebook ky lajm që u shoqërua me një kënaqësi të paparë sharjes, epitetesh e me gjithfarë konspiracionesh që shtriheshin qysh nga zanafilla e parcurit të tij si adoleshent, momentet kur u emërua mësues fërngjishtje në fshatrat e Tropojës, e deri në ditët e sotme si njeri që i shërben Edi Ramës dhe “besnik” i Partisë së vjetër të Punës..
I shtyrë nga kurioziteti, pyeta dy deputetë të cilët më thanë se z. Mustafaj së bashku me dy kandidaturat e tjera kanë qenë miratuar nga Komisioni i mediave që kryesohej nga zj. A.Vokshi si kandidatura të PD më 2018-ën. Me braktisjen e Parlamentit nga opozita, mbetën në sirtar dhe këto propozime, pa u kaluar për miratim në seancë.
Me sa duket, meqë erdhi fundi i mandatit të këtij Kuvendi dhe me që ka kaluar çdo lloj afati ligjor për vakancat në Këshillin Drejtues të RTSH-së, “rilindasit” u kujtuan ta konsumonin si proçedurë.
Por “rilindasit”, si rufjanë që janë, i paraqitën medias para seancës një shkresë tip, formale, që bëhet nga çdo komision përkatës për çdo material që kalon në seancë duke thënë “miratohet” ….. dhe poshtë saj shënohet emri i Kryetarit të Kuvendit pa firmë. Firma hidhet pas seancës nëse propozimi i komisionit miratohet në Kuvend, përndryshe, me atë shkresë, pra kur nuk miratohet, fshin Gramozi atë që s’thuhet, siç ndodhi në fakt edhe dje.
Kështu që kaq duhej. Kjo shkresë shërbeu si sallatë fshati para vaktit për të gjithë ata që mezi prisnin ta gjenin në gabim edhe një personalitet tjetër të PD dhe kulturës shqiptare.
Por, pas votimit në seancë me shumicën e votave, 74 kundër dhe 26 pro, të tri kandidaturat e opozitës u rrëzuan, pra nuk u miratuan nga Edi Rama dhe kukullat e tij aty.
Vini re. Mediat i bënë bujë dhe e quajtën si të miratuar kandidaturën e z. Mustafaj, jo pa qëllim. Peshkuan për disa orë ca mendjepeshqë që e hëngrën sapunin për djathë.
Pasi e rrëzuan Besnikun, gati e fshehën si lajm. U kujdesën që në opinion të vazhdohej me debatet mbi lajmin e parë. U interesonte kjo shfaqje ku ky personalitet, shkrimtar dhe politikan i veçantë të “shqyhej” nga piranjat e facebukut të cilët, pas çdo intelektuali në parti, mendojnë se fshihet me siguri një “tradhëtar” i mundshëm i “idealeve”.
Moralisht, mos miratimi i kandidaturës së z. Mustafaj nga Kuvendi, i bëri nder atij, se i shërbeu mbrojtjes së imazhit në sytë e publikut opozitar që me të drejtë refuzon çdo “dhuratë” nga Edi Rama, edhe pse ai pozicion në Këshillin Drejtues të RTSH i takonte opozitës reale dhe kishte kaluar në komisionin e mediave në 2018 me konsensusin e të gjitha palëve, pra edhe të soc-rilindsave.
Por mos aprovimi i z. Musrafaj në atë detyrë, është në thelb një gjë e keqe për funksionimin e atij Këshilli, i cili me mungesën e përfaqësuesve të opozitës, është duke marrë vendime “thagma” që i shkojnë për shtat interesave të drejtuesve të RTSH në dëm të interesit publik. Për të mos thënë që soc-rilindia do ti uzurpojë me njerëzit e vet edhe kuotat që i takojnë opozitës në Këshillin Drejtues të RTSH. Dhe ky është problemi real. Ky duhet të ishte kryelajmi, dhe jo fakti që emri i B. Mustafaj do votohej pro nga ky parlament.
Votimi kundër i soc-rilindjes ndaj Z. Mustafaj, në fakt, i mërziti pak ata që gëzuan shumë se zbuluan “agjentin e vjetër” në rradhët e PD-së. Duhet thënë se jo çdo e keqe që ndodh, ndodh vetëm për të keq, por e ka me vete edhe një të mirë; të paktën në rastin konkret u qetësua mileti kur mori vesh se B. Mustafaj nuk na qenka “agjent” i futur në rradhët e partisë nga ish sigurimi i shtetit, nga Nexhmia, apo, edhe nga Gramozi. Jo për gjë, por kishin dhe merakun se po të ishte i tillë, do na delegjitimohej edhe Komisioni i Përzgjedhjes së Kandidaturave e do na hidhej në erë gjithë procesi famëmadh.