Për disa çështje të Emigracionit në SHBA, avokati amerikan Kieran Both ka dhënë udhëzimet dhe sqarimet e duhura.
Pyetje nga lexuesit:
Vitin e kaluar, trafikantët më sollën në SHBA me pasaportë të rreme. Aty ku jetoja më parë jeta ime ishte e pashpresë dhe ata më bindën që do të më ndihmonin. I besova dhe bëra gabim të madh, pasi tani po më detyrojnë të punoj për ta. Nuk u shpëtoj dot, pasi më kërcënojnë që do të marrin policinë dhe t’i thonë që jam këtu në mënyrë të paligjshme. Nuk dua të jetoj më kështu, por kam frikë të kërkoj ndihmë për shkak të gjendjes sime./Anonime
Gjëja e parë që duhet të bësh është të sigurohesh që nuk je në rrezik. Mos u shqetëso për kërcënimet, sepse mund të gjesh ndihmë. Nëse je e shqetësuar për sigurinë tënde, lajmëro menjëherë policinë; nuk ka rrezik të të deportojnë, nëse ua shpjegon situatën tënde konkrete. Mund të marrësh menjëherë zyrën time në telefon ose zyrën e një avokati tjetër me përvojë në këto çështje. Mund të të ndihmojmë të gjesh një vend të sigurtë ku të rrish përkohësisht, të jesh e mbrojtur dhe t’u fshihesh trafikantëve. Në New York egziston një organizatë që quhet “Safe Horizon” e cila ndihmon viktimat që të gjejnë mbrojtje. Numrat e telefonit të organizatës mund t’i gjeni në fund të këtij artikulli. Organizata të ngjashme egzistojnë në çdo qytet të SHBA-së dhe policia lokale mund t’ju ndihmojë që t’i gjeni. Nuk ju detyron kush që të tregoni se cili është statusi juaj i emigracionit.
Kur të ndjehesh e mbrojtur, fillo mendo se si të marrësh një vizë T. Statusi jo-emigrues që merret përmes vizës T është për ata që janë ose kanë qenë viktima të trafikimit të qënieve njerëzore dhe që janë të gatshëm të ndihmojnë forcat e rendit me hetimin dhe ndjekjen penale të kriminelëve që janë përfshirë në këtë trafikim.
Trafikimi i qënieve njerëzore, është një formë skllavërie e ditëve tona. Trafikantët i joshin viktimat me premtime të rreme për punësim ose jetë më të mirë. Trafikantët shpesh përfitojnë nga varfëria dhe papunësia e njerëzve që nuk kanë mundësi të gjejnë ndihmë për të dalë nga gjendja e vështirë. Viza T u jep mundësinë viktimave që të qëndrojnë në SHBA për të ndihmuar autoritetet federale në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit të qënieve njerëzore.
Nëse një situatë e caktuar mund ose jo të konsiderohet “trafikim” varet nga lloji i punës, dhe nëse është përdorur forcë, mashtrim apo detyrim me dhunë për të siguruar apo mbajtur punën. Termi “formë e rëndë trafikimi” mund të ndahet në dy kategori.: Trafikim seksi: rekrutim, mbajtje fshehur, transportim, vënie në dispozicion ose marrje e një personi me qëllim përdorimin e këtij personi për kryerje akti seksual me qëllim përfitimi material ku akti seksual i tregëtuar është bërë i mundur nëpërmjet përdorimit të forcës, mashtrimit ose detyrimit me dhunë ose personi që është detyruar të kryejë një akt të tillë është nën moshën 18 vjeçare. Trafikim pune: rekrutim, mbajtje fshehur, transportim, vënie në dispozicion ose marrje e një personi për ta futur në punë nëpërmjet forcës, mashtrimit, detyrimit me dhunë për qëllim robërimi, peonazhi, skllavërie borxhi ose skllavërimi të pavullnetshëm.
Sipas ligjeve të SHBA-së, skllavërimi dhe robërimi i pavullnetshëm (të vësh dikë në shërbimin tënd duke përdorur forcë ose duke kërcënuar se do të përdorësh forcë) janë të paligjshme dhe viktimave të këtyre formave të rënda të trafikimit ligji amerikan u ofron shërbime dhe mbrojtje. Viktimat e formave të rënda të trafikimit kualifikohen për vizë joemigruese T. Kjo lloj vize u lejon viktimave të qëndrojnë në SHBA për të ndihmuar në hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të qënieve njerëzore. Tre vjet pasi i është dhënë viza T, viktima mund të bëjë kërkesë për green card.
Për t’u kualifikuar për vizë T duhet:
Të jeni ose të keni qenë viktimë e një forme të rëndë trafikimi të personave.
Të gjendeni fizikisht në Shtetet e Bashkuara, Samoan amerikane, ose Komonuelthin e Ishujve të Marianës Veriore, ose në një pikë hyrje, për shkak të trafikimit tuaj aty.
Të përmbushni çdo kërkesë të arsyeshme nga forcat e rendit për të ndihmuar në hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve të qënieve njerëzore.
Të dëshmoni që largimi nga Shtetet e Bashkuara, do t’ju shkaktonte vështirësi ekstreme si dhe dëme të rënda dhe të jashtëzakonshme.
Nëse në kohën e viktimizimit keni qenë nën moshën 18 vjeç, ose nëse nuk jeni në gjendje të bashkëpunoni me forcat e rendit për shkak të traumës fizike ose psikologjike, mund të kualifikoheni për vizë T pa qenë nevoja që të ndihmoni me hetimin apo ndjekjen penale.
Nëse jeni viktimë e një forme të rëndë trafikimi, duhet të paraqisni formularin I-914, Application for T Nonimmigrant Status. Në formular kërkohet informacion për të vendosur nëse kualifikoheni si dhe informacion për “pranueshmërinë” në Shtetet e Bashkuara. Duhet gjithashtu të paraqisni një deklaratë ku me fjalët tuaja tregoni për viktimizimin që ju është bërë. Mund të paraqisni gjithashtu dhe një vërtetim nga një agjenci e forcave të rendit. Keni gjithashtu mundësinë që të paraqisni prova shtesë që tregojnë që i keni përmbushur kërkesat e arsyeshme për të ndihmuar forcat e rendit. Këtu mund të përfshihen: procesverbalet e gjykimit, dokumentet gjyqësore; raportet e policisë, artikujt e lajmeve si dhe deklaratat nën betim. Nuk kërkohet tarifë për të aplikuar.
Familjarët më të afërt kanë të drejtë të marrin status në mënyrë indirekte. Nëse aplikanti kryesor është nën moshën 21 vjeç, ai ose ajo mund të aplikojë në emër të bashkëshortes/it, fëmijëve, prindërve dhe vëllezërve dhe motrave që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç. Nëse aplikanti kryesor është 21 vjeç e lart, ai ose ajo mund të aplikojnë në emër të bashkëshortes/it dhe fëmijëve. Aplikimi për anëtarët e familjes mund të bëhet njëkohësisht me aplikimin tuaj ose më vonë.
Ka 5,000 viza T në dispozicion çdo vit. Ky kufi nuk vihet për vizat për anëtarët e familjes. Në momentin që kapet maksimumi vjetor i vizave, aplikantët futen në listën e pritjes. Kjo listë u mundëson aplikantëve që nuk mund të marrin viza për shkak të numrit të kufizuar të tyre, të kenë prioritet në vitin në vazhdim.
USCIS-i së bashku me vizën T lëshon dhe dokumentin e lejes për të punuar (EAD). Viza T është e vlefshme për katër vjet dhe personi me vizë T ka të drejtë të aplikojë për green card tre vjet pas marrjes së kësaj vize dhe statusit përkatës.
Pavarësisht nga statusi i emigracionit që kanë, viktimat e trafikimit që është vërtetuar që janë të tilla, kualifikohen për përfitime dhe shërbime të financuara nga qeveria federale. Në momentin që vërtetohet që përsoni është viktimë trafikimi, ai ose ajo menjëherë kualifikohet për të njëjtat shërbime që i ofrohen një refugjati apo azilanti. Nëse viktima është nën moshën 18 vjeç, ai ose ajo kualifikohen pa qenë nevoja për vërtetim.
Një status tjetër që u jepet viktimave të trafikimit të qënieve njerëzore është viza joemigruese U. Për të marrë këtë vizë, viktimat duhet të paraqesin formularin I-918, Petition for U Nonimmigrant Status. Vizat U u jepen atyre personave që janë abuzuar fizikisht ose mendërisht si pasojë e të qënit viktimë e një veprimtarie kriminale të caktuar./Marrë nga Gazeta Iliria
Numrat e telefonit të organizatës “Safe Horizon” të vëna në shërbim për qëllimet e mëposhtme janë:
Për dhunën në familje: 800.621.HOPE (4673)
Për viktimat e krimit: 866.689.HELP (4357)
Për raste, përdhunimi, sulmi seksual apo inçesti: 212.227.3000 OSE 866.689.HELP (4357)