LSI ka firmosur sot marrëveshjen e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike, në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pasi ka nënshkruar dokumentin me Kryetarin e PD Lulzim Bashën, ka sqaruar arsyet e bashkëpunimit të LSI që “në thelb ka socialdemokracinë” me një parti të djathtë.
“Sot është një ditë historike për LSI dhe PD, por më e rëndësishme do të ishte për të gjithë shqiptarët, – tha Kryemadhi, – sepse bashkimi dhe konsolidimi i një koalicioni përfundimtar përballë një sekti kriminal më 25 prill do të jetë i domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos për të rinjtë dhe të rejat tanë.
Sot LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë së Ramës dhe sot në një ditë që ne dakortësohemi formalisht për të bashkuar forcat dhe për të punuar me njeri tjetrin në shërbim të popullit shqiptar.
Partneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen, se ndryshimi është I paevitueshëm dhe se ditë më të mira kanë përpara për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
E di se do të ketë shumë prej atyre që do të thonë se LSI është nëj aprti që rrriten nga elektorali I së majtës. Por një parti si ne, LSI, ku në thelb të saj ka socialdemokracinë dhe së bashku me PD që është parti e djathtë dua të adresoj këtë gjë:
Ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete me identitetin e tyre, do të vijojmë që në kohëra mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njeri tjetrin duke vendosur përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!”