Një 30-vjeçar është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u denoncua nga ish-e dashura e tij për përndjekje.
Nga shqyrtimi gjyqësor, shtetasi E.K., është gjetur fajtor mbi akuzën e ngritur nga organi i akuzës. Ndërkohë, ai ka apeluar në Gjykatën e Apelit masën e dënimit të dhënë nga Shkalla e Parë.
Ngjarja për të cilën akuzohet 30-vjeçari, ka ndodhur në muajin prill të vitit 2020, kohë kur edhe të gjithë shtetasit shqiptarë ndodheshin në karantinë për shkak të pandemisë COVID-19.
Kallzim në polici
Në Komisariatin e Policisë Nr.6. Tiranë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja L. S., e cila ka denoncuar se: Prej pesë muajsh ka qenë e lidhur me shtetasin E. K. Më datë 10.04.2020, kur ajo ka dalë nga banesa për të rregulluar telefonin, ka takuar këtë të fundit, i cili e ka pyetur “se përse nuk ia hapte telefonin”.
Më pas, ata kanë shkuar në shtëpinë e tij për të marrë një aparat tjetër celular, sepse ai ka pretenduar se nuk mund të rrinte pa folur me të. Rreth orës 17:00 të kësaj date, ai ka shkuar në banesën e 18-vjeçares dhe i ka dalë babai i saj, të cilit i ka thënë: “Sill vajzën ose do ju vras”.
Babai i saj, i ka thënë atij të rrinte larg tyre. Më datë 11.04.2010, rreth orës 09:00 ai është futur në banesën e vajzës pa dijeninë e saj dhe i ka kërkuar të dilnin për të folur së bashku. Ndërkohë, ai ka pasur një thikë në dorë dhe e ka kërcënuar se do të vriste veten para saj. Më pas, ka ardhur gjyshja e saj dhe ai ka dalë jashtë, por është futur sërish brenda, e ka tërhequr L., prej krahu, me qëllim ta nxirrte jashtë. L. S., ka shtuar se nuk do të ketë më lidhje me të, por ai e kërcënon me jetë.
Dëshmia e gjyshes së vajzës
Në vendin e gjykatës të siguruar nga gazeta “Panorama”, thuhet se shtetasja R. S., ka shpjeguar për grupin hetimor se është në dijeni se mbesa e saj kishte lidhje me shtetasin E. K., dhe kërkonte të ndahej prej tij, por ai nuk pranonte. Në lidhje me ngjarjen e datës 11.04.2020, ajo deklaron se kur është futur në banesë ka gjetur aty shtetasin E. K., i cili i kërkonte Ledjanës që të shkonte me të, por duke qenë se ajo nuk pranonte, ai e ka tërhequr atë prej krahu, duke pasur edhe një thikë në dorë. Ajo i ka bërtitur vazhdimisht E, por ai e ka kërcënuar me thikë. Më pas, ka ndërhyrë shtetasi S. S., i cili ka lajmëruar Policinë.
I pandehuri
Po ashtu, gjatë shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri E.K., është shprehur se ka qenë i lidhur me kallëzuesen prej shtatë muajsh dhe kanë menduar të fejohen, por babai i saj nuk ka qenë dakord. Ai ka shpjeguar se shpesh L, shkonte në shtëpinë e tij, por më datë 10.04.2020, ai e ka marrë në telefon dhe ajo nuk i është përgjigjur.
Pas disa thirrjeve, nga telefoni i saj i është përgjigjur një burrë, i cili e ka fyer dhe ofenduar. Më pas, ai ka shkuar në banesën e L., për t’u sqaruar. E., pretendon se ata nuk kanë debatuar apo të jenë konfliktuar, por në një moment L., ka lajmëruar të atin, duke i thënë se Erjoni kishte ardhur sërish në banesë dhe më pas është njoftuar Policia.
Ai shpjegon se ka pasur një thikë me vete që e kish marrë në shtëpinë e tij, por nuk e ka nxjerrë atë nga xhepi. Në lidhje me këtë çështje, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale thika dhe është vendosur kryerja e ekspertimit teknik në lidhje me të, si edhe e ekspertimit mjeko-ligjor në lidhje me të dëmtuarën./Panorama/