Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi do të zhvillojë paraditen e sotme Konventën Kombëtare për shpalosjen e propozimeve kryesore të LSI.
Kryemadhi bën me dije se disa prej propozimeve kryesore të LSI lidhen me zgjidhjen e papunësisë, përkrahjen për gruan dhe subvencion për çdo fermer dhe blegtor.
‘Mirëmëngjesi,
Ju ftoj sot të më ndiqni në orën 11:00 nga Konventa Kombëtare për shpalosjen e propozimeve kryesore të LSI.
Zgjidhje për papunësinë. Shpresë për rininë. Përkrahje për gruan. Subvencion për çdo fermer dhe blegtor.
Shqipëria shtëpia juaj’, shkruan në postimin e saj kryetarja e LS
Postimi i Kryemadhit nje dite me pare
Me grupin e punës së programit të LSI.
Pas një konsultimi të gjerë me shqiptarët filluam të hartojmë programin, i cili do t’i japë zgjidhje problemeve, që kanë kapur nga fyti jetën social-ekonomike të vendit.
Ne si LSI, nuk premtojmë parajsën, as zgjidhje të fantapolitikës, që bëhen për të rrëmbyer votat dhe pas zgjedhjeve ato hidhen në kutitë e plehrave. Ashtu siç ngelën vetëm në spote publicitare premtimet e Rilindjes për 300 mijë vendet e punës dhe dëbuan nga vendi më shumë se 400 mijë të rinj dhe të reja, burra dhe gra. Të “shëndetësisë falas”, që në fakt është shumë më e shtrenjtë se më parë. Uljes së taksave për 97% të shqiptarëve, që në fakt u kthye në “mrekullinë” e vetëm 4-5 oligarkëve, klientë të oborrit të Surrelit.
Ne si LSI, e kemi të shenjtë fjalën e dhënë. Ajo është detyrim për ne ndaj shqiptarëve. Programi ynë po hartohet për njerëzit e zakonshëm, për ata të cilët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre në Shqipëri.
Ne si LSI, duam t’i japim zgjidhje përfundimtare papunësisë dhe do e bëjmë të mundur këtë. LSI, si asnjë forcë tjetër politike shqiptare, e ka në themelin e programit të saj punësimin e shqiptarëve. Shqiptarë të punësuar me rroga të mirëpaguara, janë një garanci për të ardhmen e Kombit dhe familjes shqiptare.
Ne si LSI, do i kthejmë shpresën rinisë për ta parë veten dhe të ardhmen e tyre në Shqipëri, jo të marrin rrugët e emigrimit dhe do e realizojmë me çdo kusht këtë aspiratë. Dhe kush më mirë se ekipi i vajzave dhe djemve të LRI mund ta realizojë këtë.
Ne si LSI, në qendër të vëmendjes do të kemi përkrahjen ndaj gruas, ecjen përpara të saj në shoqëri, pavarësinë e saj ekonomike, që të mos kthehet në “skllave” të familjes, por në nënën e respektuar nga fëmijët, gruan e denjë në krah të burrit, vlerën e vërtetë të kombit. E kush më mirë se grupi i grave intelektuale, luftëtareve të pakompromise që ka LGI mund ta realizoje këtë.
Ne si LSI, do ndryshojmë thellësisht qasjen e deritanishme të politikës ndaj 50% të shqiptarëve. Ata janë konsideruar si qytetarë të dorës së dytë, nga shërbëtorët qeveritarë të oligarkëve dhe krimit. Fermerët dhe blegtorët, kontribuesit e 22% të PBB së vendit do marrin mbrapsht nga buxheti i shtetit kontributin e tyre në ekonominë shqiptare. Subvencionimi do të jetë për çdo kokë bagëti, për çdo koshere blete, çdo dynym të mbjellë, për çdo serë të ndërtuar, direkt te fermeri duke hequr hallkat dhe burokracitë e deritanishme ku fermerët harxhonin më shumë kohë dhe para për aplikime, se sa përfitonin nga subvencionet.
LSI do heqë akcizën e naftës për fermerët. Unë i jam përkushtuar personalisht kësaj pjese të programit dhe do jem çdo dite, në çdo fshat, në çdo shtëpi së bashku me ta për ta realizuar deri në fund këtë program që do ndryshojë realisht jetën e fermerit dhe blegtorit, të familjeve të tyre.
LSI nuk ka bërë ndonjëherë propagandë me fjalë boshe, por edhe si më parë fjala e LSI, është fjalë e mbajtur!