Edhe pak orë na ndajnë nga zyrtarizimi i listave të kandidatëve të dy partive kryesore në vend, ndërsa disa nga emrat nga të dyja kampet kanë nisur të dalin.
Mbledhja e kryesisë së PS ishte njoftuar në orën 18:00, ndërkohë që ka një shtyrje. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se kupola e PS do të mblidhet në orën 19:30 dhe do të fillojë diskutimit për emrat e secilit qark.
“Në listën e PS janë njoftuar risi në përbërjen e kandidaturave.
Pak minuta më parë kryeministri Rama njoftoi se Gjermeni nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve, duke iu bashkuar kështu disa deputetëve të tjerë që janë tërhequr nga kandidimi. Do të ketë risi në listat e PS si nga ana e shoqërisë civile, si për shembull Najada Çomo, e cila do të jetë në listën e Tiranës dhe Luljeta Bozo.
Pjesë e listës së sigurt janë dhe Lefter Koka në Durrës dhe Nasip Naço në Berat. Ky i fundit do të lërë jashtë loje me shumë gjasa deputetin Adnor Shameti. Po kështu ka disa prurje nga emigracioni, shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kryeministri Rama ka bërë të ditur përfshirjen e tre emrave në qarqet Durrës, Tiranë e Dibër. Nga grupi parlamentar aktual do të ketë shumë emra”, raportoi Gjençaj.