Policia italiane ka zhvilluar një megaoperacion dhe ka vendosur në pranga 55 persona, 27 prej të cilëve shqiptarë. Mediat italiane shkruajnë se dyshimet e para të policisë datojnë që në vitin 2018.
Karabinierët, nga kontrollet e tyre kishin vrenjtur se në një stacion autobusi në Tributina, gjithmonë kalonte një nigerian, duke shtyrë një karrocë me rrota, brenda së cilës kishte rroba të përdorura. Por pas një kontrolli, policia mësoi se brenda karrocës nuk kishte rroba, por kilogramë të tëra droge.
Pas dy vitesh intensive hetimesh, ndjekje dhe përgjimesh, policia e Romës ka arritur të godasë një nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare. Droga dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe tregtohej në Itali dhe Gjermani.
Droga dërgohej drejt Gjermanisë me autobusë dhe përmes linjës hekurudhore. Ndërsa sasia shpërndahej më së shumti nga nigerianë, të cilët kamufloheshin si endacakë e të pastrehë. Organizata, e cila drejtohej nga shqiptarë, kishte krijuar një sistem të mirëorganizuar. Operacioni është zhvilluar në tre shtete, Gjermani, Shqipëri dhe Itali. Në Shqipëri, droga dyshohet se prodhohej në Vlorë.
Të arrestuar janë 55 persona, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Ata janë identifikuar si 52 burra dhe 3 gra, ku më konkretisht, 27 shtetas janë shqiptarë, 23 nigerianë, 4 itailanë dhe 1 gambian.