Pandemia Covid-19 zhbalancoi tërësisht zhvillimet ekonomike gjatë vitit 2020 duke shkaktuar humbje të mëdha tek disa kategori biznesesh, teksa solli fitime krejt të papritura tek disa të tjera.
Të gjitha këto ndryshime u shoqëruan në pjesën më të madhe me tkurrje të punësimit dhe indeksit të fondeve të pagave. Sipas statistikave afat shkurtra gjatë vitit 2020, Transporti Ajror ishte më i godituri sa i përket indeksit të punësimit i cili shënoi ulje me 56.5 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2020 në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Pas transportit ajror, pandemia dha goditjen më të madhe në punësim në bizneset e lidhura me turizmin, si hotelet (43%), agjencitë e udhëtimit (34.6%) baret dhe restorantet (27%).
Sektori i industrisë përpunuese, reflektoi pasojat më të mëdha në punësim pas turizmit. Më të goditurat ishin fabrikat e këpucëve të cilat panë ulje të kërkesës nga tregjet e huaja si pasojë e kufizimeve në lëvizje nga masat e zgjatuara të karantinës sidomos në vendet e BE. INSTAT raportoi se indeksi i punësimit në industrinë e përpunimit të lëkurëve dhe prodhimit të këpucëve shënoi rënie vjetore me 22 për qind në tremujorin e fundit të vitit.
Rënie vjetore të indeksit të punësimit shënuan edhe fabrikat e tekstilit dhe rikuperimi për këtë industri pritet të jetë i vështirë edhe këtë vit. Gjatë muajve të parë të vitit aktual masat e kufizimeve kanë qenë të pranishme në shumicën e vendeve të BE me të cilat Shqipëri eksporton. Shitjet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 18.5% në shkurt, ndërsa për 2 mujorin tkurrja është 11.8%. Eksportuesit pohojnë se ata janë në vështirësi të mëdha, për shkak të rënies së kërkesës nga partnerët e huaj, pas karantinave të reja që janë zbatuar nga shumë shtete muajt e fundit.
Rënia me ritme dyshifrore e indeksit të punësimit u vu re edhe në aktivitet e publikimit, industrinë nxjerrëse, prodhimin e drurit. Gjithashtu me ritme më të ulëta punësimi ka rënë edhe në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit.
Në krahun tjetër rritjen më të madhe vjetore në indeksin e punësimit e kanë shënuar aktivitetet e teknologjisë (programimi i kompjuterëve me 25%), grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve me 12 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2020 dhe Sektori i Prodhimi dhe Furnizimit me Ujë me 11%.
Ecuria pozitive e punësimit në sektorët e furnizimit me ujë dhe grumbullimit të mbetjeve reflekton rritjen e punësimit në sektorin shtetëror, duke qenë se një pjesë e bizneseve në grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve dhe furnizimit me ujë zotërohen nga bashkitë. Në tremujorin e fundit të vitit 2020 punësimi në shtet pësoi rritje vjetore me mbi 8000 persona, sipas të dhënave nga burimet administrative.
Sektorë të tjerë që njohën rritje të indeksit të punësimit lidhen me ndërtimin dhe energjinë. Sektori i energjisë dhe bizneset e lidhura më të shënuan rritje të indeksit të punësimit dhe gjithashtu programi i kompjuterëve shënoi rritje vjetore të indeksit me 9.6 për qind si rrjedhojë e përdorimit jo të zakonte që shkaktoi pandemia për punë dhe blerje në distancë.
Pak e shumë të njëjtën ecuri pati edhe indeksi i fondit të pagave në tremujorin e fundit të vitit 2020. Sipas të dhënave të INSTAT, (shih grafikun bashkëngjitur) rënien më të madhe të treguesit e kishin sektorët e lidhur me turizmin, hotele (46%), transporti ajror (43%), bare dhe restorante (35%), agjenci udhëtimit (29%) etj.
Në kundërt sektorët në pronësi të shtetit, grumbullimi i mbetjeve dhe furnizimi me ujë shënuan rritje të indeksit të pagave përkatësisht me 25 dhe 23 %./ B.Hoxha/Monitor
Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor