Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka reaguar ndaj mundësisë që institucionet e Kosovës të emërojnë persona të dënuar, në pozita të larta publike.
Duke mos përmendur emra të përveçëm, Kosnett ka shkruar në Twitter se i kundërshtojnë ashpër këto lëvizje.
“Çfarë mesazhi dërgon Kosova në botë, kur propozon një kriminel të dënuar të luftës për ta përfaqësuar atë si ambasador? A tregon kjo respekt për sundimin e ligjit? Ne padyshim e kundërshtojmë fort një lëvizje të tillë – mbetet të shihet”, ka shkruar ambasadori amerikanë në rrjetin social Twitter.
Ditëve të fundit në Kosovë është raportuar se Sylejman Selimi mund të emërohet ambasador i Kosovës në Shqipëri, ndërkaq, këto deklarata i ka mohuar të enjten ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi ishte arrestuar në maj të vitit 2013 dhe ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 duke u dënuar më 6 vjet burg.
Ndërsa, më 7 qershor 2018 është mbajtur rigjykimi për “Drenica 2”, më 11 qershor është mbajtur për “Drenica 1”.
Selimi ishte liruar me kusht, në janar të këtij viti dhe do të jetë nën mbikëqyrje të të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 30.10. 2020. Kallxo.com