Një ngjarje e rëndë është raportuar dje në media, ndërsa reagimet e opinionit publik kanë qenë të forta. Emisioni BOOM ka denoncuar një skandal të ndodhur në Spitalin e Vlorës.
Raportohet se qytetarja Anila Zeqiri kishte babain të shtruar në këtë spital që në dhjetor 2020 dhe nuk kishte asnjë informacion për të atin pas 4 muajsh. Pas raportimit të rastit, familjarët e zbuluan se ai kishte ndërruar jetë dhe prej 6 janarit mbahej në morg në kushte frigoriferike. Pas denoncimit, familjarët arritën të merrnin trupin e të ndjerit.
“Unë nuk e di se ku e kam babain. Kam marrë ambulancën për babin dhe e çova në spital, ku me morën emër e mbiemër. Ai ka qëndruar nga data 27 deri në datën 10 më kanë thënë që është shtruar në spital dhe unë i çoja ushqime”, tha Zeqiri.
Ajo sqaroi se pastaj i thanë se nuk ndodhej aty, por ndodhej në Tiranë. “Atje më thanë se nuk ishte aty dhe deri më sot kam ngelur kështu pezull. Nuk e di se sa më fshehën. Unë po çmendem se nuk e di nëse është gjallë apo ka ndërruar jetë”, tha Zeqiri.
Zeqiri ka shkuar në spital për të kërkuar informacion por nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje. Emisioni ka zbardhur bisedën mes familjarëve dhe mjekëve të spitalit.
“Ka ikur më 27 dhjetor, 2 herë në Tiranë. Ka ardhur dhe ka ikur sërish atje. Ka qenë në urgjencë dhe është nisur për në Tiranë më 27 dhjetor. Ti mos na kërko babain tënd ti, mos të të zë me dacka”, janë përgjigjur mjekët.
Sapo Ministria e Shëndetësisë kupton se ky rast do të behet mediatik, kontakton menjëherë familjarët. Pas ndjekjes që emisioni BOOM i bëri këtij rasti familjarët mundën të tërheqin trupin e të ndjerit nga morgu 70 ditë pasi kishte ndërruar jetë.