Nga Klara Bici
Duket se askush tanimë nuk mund t’i ndalë marrëzitë që është duke bërë qeveria “Rama” me Parisin e Vogël, ose në versionin më të besueshëm është ai vetë nismëtari i transformimeve negative që po i bëhen qytetit në bashkëpunim me Bashkine Korçës. U fillua me kullën e shëmtuar në qendër të qytetit, një objekt i kritikuar jo vetëm nga qytetarët korçarë por edhe nga specialistë të fushës, të cilët janë shprehur se kostoja e ndërtimit të saj prej 2.5 milionë euro, ishte tepër e lartë, dhe mbeti një objekti i dështuar betoni pa asnjë funksion dhe mungesë të theksuar estetike.
Vëmendja u zhvendos tek një nga monumentet me një histori të pasur dhe unike, Bibliotekës së qytetit Thimi Mitko, ndërtuar mbi kishën e vjetër të Shën Gjergjit një nga kishat më të vjetra të qytetit. Me një kosto marramendëse prej 3 milion eurosh, kosto e cila do të paguhet nga familjet korçare, zyrat e bashkisë së qytetit u zhvendosen duke shkatërruar tempullin e dijes dhe duke e transformuar atë në vendin ku do të prodhohen projekte dhe festa që nuk i shkojnë për shtatë qytetit të serenatave dhe frymëzuese të kulturës në mbarë vendin. Duke shkatërruar identitetin shpirtëror të kësaj ndërtese, rreth 300 mijë libra u zhvendosën nëpër bodrume…
Dhe vazhdojnë uzurpimet e rradhës dhe pazaret e pista me ish-maternitetin e qytetit, nga një grup i pangopur që e kanë kthyer këtë qytet, në një monopol vetëm të disa personave, me liri të plotë veprimi nga qeveria e dështimit Rama. Asgjë nuk është e qartë nëse objekti po rikonstruktohet nga shteti apo privati, nëse është privatizuar apo ështeëvjedhur. Cili do të jetë destinacioni i një objekti në qendër të qytetit ndërkohë që u la në degradim të theksuar për disa vite duke fshehur qëllimin me gënjeshtrën se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turizmit. A do të jetë ky objekt i përvetësuar me mënyrën e qeverise Rama, realisht në dobi të qytetarëve apo do të jetë hoteli i radhës me 50 ose më shumë dhoma…
Tani e ka radhën simboli kombëtar i patriotizmit dhe i sakrificave të atdhetarëve për përhapjen e dijes, Mësonjëtorja e parë Shqipe që është cunguar pa asnjë kompetencë kulturore dhe qytetarie, duke fyer jo vetëm korçaret, por një sërë brezash që janë frymëzuar nga historia dhe imazhi personifikues i qytetit tonë, transformimi i krenarisë së “vjetër” në një te “re” që nuk mbart asnjë lloj kujtimi ka ngritur një shqetësim të thellë tek qytetaria korçare! Nuk mund të pranojnë këtë masakër që po ju bëhet monumenteve kulturore simbol të qytetit tonë!
Prishja dhe transformimi i shumë ndërtesave po shkatërron kujtesën historike, kulturore, dhe shpirtërore të qytetit. Nuk ka sy apo mbështetje për varfërinë e dukshme dhe familjet që nuk mbyllin dot muajin, për mungesën e mbështetjes sociale dhe rininë që endet në ftohtësinë e papunësisë ektreme me sytë përtej kufirit. Në një kohë të vështirë pandemie, gjen vend të trishtë sakrifikimi, flijimi i monumenteve kulturore, historike dhe shpirtërore të rëndësishme të Parisit të vogël, nën dhimbjen e heshtur të qytetarëve te tij.