Presidenti Ilir Meta deklaroi nga Durrësi se çdokush që më 25 prill do të ndikojë tek vota e lirë, s’ka për të pasur shpëtim.
Meta thotë se tashmë ka bërë aleancën me qytetarët për të denoncuar krimet zgjedhore dhe kush prek votën do të ketë ndëshkim spektakolar.
“E thërras këtë aleancë me qytetarët, për të sensibilizuar e përkrahur drejtpërdrejt çdo qytetar e funksionar që të denoncojë në Prokurori, KQZ edhe tek Presidenti me qëllim që askush mos i shmanget drejtësisë.
Përmes kësaj aleance do të garantojmë se kushdo që tenton të prekë votën e lirë s’do të ketë shpëtim, por ndëshkim të mrekullueshëm e spektakolar, siç e meriton një armik i Republikës. Kush prek votën, është armik.
Degradimi i zgjedhjeve sipas modeleve të Shijakut e Dibrës, na ka bërë të jemi kaq mbrapa sa të ëndërrojmë zgjedhje si në Kosovë e Maqedoni, e të ngelemi peng i çeljes së negociatave, kur Mali i Zi e ka bërë në 2012, Serbia në 2014 dhe ne në rast se do të arrijmë me pahir e me hir triumfin e demokracisë më 25 prill, ky proces do të shkojë pafund. Kemi qenë para tyre.
Do të trajtoj çdo denoncim, dhe do të publikoj faktet. Vetëm nëpërmjet ushtrimin e garantimit të votës do i japim fund krizës së legjitimitet”, paralajmëroi Meta.