Reja pritet të bëjë ndryshime të mëdha në krahasim me formacionin që përdori kundër Andorrës, përveç Kumbullës që nuk është i disponueshëm për shkak dëmtimi, pritet të jetë jashtë edhe Lenjani, Memushaj dhe dyshja e sulmit Cikalleshi dhe Manaj.
Ndaj Andorrës fitorja ishte detyrim, por historia është ndryshe kur bëhet fjalë për Anglinë. Përballë “Tre Luanëve”, Shqipëria zbret në fushë pa presion, të vetëdijshëm se nuk janë favoritë, kjo është një përballje ku vështirë ti vendosësh kombëtares një objektiv fiks. Sigurisht dëshira për të marrë një rezultat pozitiv, një barazim, apo për të bërë një paraqitje të mirë është shumë e madhe, morali në radhët e kuqezinjve është i lartë por në çdo rast Anglia mbetet një rival i frikshëm, me lojtarë nga më të mirët në qarkullim. Trajneri Edy Reja është kritikuar shumë, me të drejtë ose jo, për skemën që aplikon, moduli 3-5-2 nxjerr nga roli ose lë në stol disa titullarë të rëndësishëm, si Myrto Uzuni.
Ndaj Anglisë, tekniku italian pritet të aplikojë një modul të ri, skemën 5-4-1, shkruan “Panorama Sport” për ti bërë vend Uzunit por gjithashtu i kushtëzuar edhe nga dëmtimi i Kumbullës. Në portë Berisha mbetet i pa prekshëm ndërsa përpara tij priten të rreshtohet, Albi Doka, Ismajli, Gjimshiti, Vesli dhe Hysaj në të majtë, rol që anësori e luan shpesh edhe tek Napoli. Në mesfushë nga minuta e parë mund të zbresin Bare dhe Laçi ndërsa Uzuni dhe Kamberi në krahë. Edhe gjatë konferencës për shtyp, Reja theksoi se Broja mund ta nis këtë sfidë si titullarë pasi e njeh mirë Anglinë, sulmuesi i Viteshe pritet të jetë sulmuesi i vetëm i deklaruar për këtë sfidë të dytë në kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.