Nga Ardit Gjinali
Nuk mund të shuhet shpresa për ndryshim, e tilla që qëndron në shpirtin e patjetërsuar të qytetarit të lirë dhe që nuk kapet dot nga çarku qeverisës që rreket të gllabërojë secilin fluks shoqëror që nuk pranon zgjedhën e një rendi keqqeverisës; rend që synon instalimin tërësor të autokracisë për të jetësuar vizionin negativ të absolutizmit dhe të kapjes së shtetit nga pushteti; këto vite janë pasqyra e një rrugëtimi që ka filluar me shkurajimin qytetar , vijuar me shpopullimin kombëtar dhe në një të ardhme të errët nën sundimin e errësirës që fsheh shpresën.
Rrugëtimi regresiv keqqeverisës është marshi tragjik funebër për shpresën e rrëmbyer dhe të dërguar në të paditurin drejtim nga timoni i mbrapshtisë me mendësi tepsie të ndryshkur dhe vizion të harruar për shkak të zhytjes komiko-dramatike drejt grykësisë së pashembullt për të uzurpuar shumëçka dhe për të kyçur secilën hapësirë që do të lejonte oksigjenin pastrues ndaj kutërbimit gjithëfarësh të aftësisë së munguar, nepotizmit të institucionalizuar dhe klientelizmit të skalitur në sjelljen qeverisëse; – e djeshmja e afërt dhe e sotmja , të tillat të trishta në palcë, por ulëritëse dhe akuzuese në fytyrën e munguar të secilit pushtet-ushtrues, sejmenë puthadorë të palavdishëm që lëshojnë jargët e pështirësisë së servilizmit për tu hakërryer vonshëm ndaj të tillit që shikon vjedhjen e mundësisë për një jetë më të mirë në vendin e tij, vëren trishtueshëm shpresën e fshehur nga një ansambël asfare njerëzor me fytyra njerëzore, ansambël që dëshmon njeriun e ri të krijuar në epruvetën autokratike, ku cinizmi takon talljen ndaj njeriut të zakonshëm, të tilla sjellje që dëshmojnë inferioritetin psikologjik dhe kompleksin ndaj njeriut të zakonshëm, por të lirë dhe të pakapur nga çengeli hiç- lëshues i thundrrës autokratike.
Secila vuajtje, ofshamë njerëzore, psherëtimë, secili lot revolte, ngashërim prej pësimit nga hileja dhe padrejtësia janë të tillat copëza që formësojnë mozaikun e zi të së keqes që pasqyron të tillin mur pushtet-mbajtës të besimit të cënuar, drejtës së shkelur, premtimit të gënjeshtërt dhe angazhimit të harruar……copëza të një mozaiku të zi që duhet copëzuar dhe i tilli mur për tu shembur nga reagimi i përbashkët demokratik qytetar përmes fuqisë së votës. Zbrazësit dhe shkretuesit e këtij vendi nuk mund të prezantohen nga instrumentat e propagandës famëkeqe si të tillët që po mbrojnë jetën e shqiptarëve të vuajtur dhe drobitur mjaftueshëm gjatë sagës keqqeverisëse; e tilla fisnike mosha e tretë që endet në vetminë e madhe të shkaktuar nga largimi i pasardhësve biologjikë për shkak të jetesës së pamundur në atdhe, – largimi i të njëjtëve është shuplaka e rëndë njerëzore në fytyrën jo-njerëzore të një enturazhi qeverisës- i tilli enturazh që përzuri shqiptarët për të sunduar shkretimin e gjithçka-je dhe shndërrimin e vendit në një plaçkë shumë-përdorimëshe në tregun e paskrupulltësisë para-politike- përdorimi i vaksinave elektorale nga Lindja politike si bonus elektoral nën fasadën e kinse merakut për jetën e shqiptarëve është hipokrizia e rradhës e një arradhe keqqeverisësish me regjinë e KryeKreut thuajse çerek-shekullor në pushtet.
Koha për një shpresë të re dhe për një jetë më të mirë në atdhe pëmes një ndryshimi të madh të jetësuar me votë qytetare është tani! Koha për ti kthyer Shqipërinë qytetarit dhe për të çliruar shtetin nga kapja e pushtetit është tani! Koha për një bashkim të madh për ditë më të mira dhe një besim të ri është tani! 25 Prilli është dita dhe data që thërret një bashkim të madh për një shpresë të re dhe një qeveri dhe Kryeministër normal, gjithashtu. 25 Prilli është marshi qytetar i shpresës në emër të jetës, ndryshimit të së tashmes dhe një të ardhmeje ndryshe në këtë vend; një marsh qytetar i shpresës për të ndëshkuar varrmihësit e shpresës në këtë vend. Bashkë sepse ka ende shpresë..