Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen më 25 prill, pasi ka ardhur koha që të ecin së bashku drejt anëtarësimit në BE. “Për të sjellë ndryshimin dhe për të përmirësuar jetën e të gjithë shqiptarëve, na duhet të anëtarësohemi në Bashkimin Europian”, ka nënvizuar Basha në Twitter.
Po aty, në një video-mesazh të artistëve, fermerëve, juristëve, ekonomistëve, studentëve për rëndësinë e anëtarësimit të vendit në BE pas një periudhe kaq të gjatë pritjeje, kryetari i PD-së ka thënë fjalën e fundit duke kërkuar besimin e shqiptarëve për ta realizuar edhe këtë mision, ashtu siç ai përmbushi me sukses 12 vite më parë, anëtarësimin e vendit në NATO. “Europa është mbështetje e fuqishme për artin dhe kulturën. Europa është fonde për zhvillimin e bujqësisë dhe biznesit. Europa është lëvizje e lirë e njerëzve, tregti e lirë dhe investime të huaja. Europa është demokraci dhe institucione të pavarura. Europa është ekonomi që rrit mirëqenien dhe hap vende pune. Europa është mundësi të reja për arsim cilësor, – thonë pjesëmarrësit. Dhe Basha thekson në përfundim: “U bë shumë kohë pa një arritje të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët,. Ne e kemi gati vendin në familjen europiane. Ashtu siç punova fort për ta bërë realitet, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe lëvizjen e lirë pa viza, tani është koha të ecim të sigurt drejt qëllimit tonë të përbashkët, anëtarësimit në Europë. Unë e di si arrihet kjo. Bashkë mund ta bëjmë këtë realitet. Bashkohuni me mua.”