Zbardhen të tjera detaje nga ekzekutimi i “Kumbarit” të Shkodrës. Nga sa mësohet, 46-vjeçari Bardhok Pllanaj ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Koplikut me mjetin e tij tip “Range Rover” dhe në vendin e quajtur Instituti i Misrit një mjet tip “Volkswagen Passat” me targa italiane është afruar në anën e shoferit dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të Bardhok Pllanajt, i cili po i jepte mjetit të tij.
I gjetur në befasi, Pllanaj ka tentuar të shpejtojë, por i ndodhur nën breshërinë e plumbave ka humbur kontrollin e makinës. Dyshohet se ekzekutorët kanë qenë tre persona, një prej tyre shofer i makinës, ndërsa dy të tjerët, të vendosur një në sediljen e makinës para dhe tjetri mbrapa tij, kanë hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të Pllanajt. Goditja ndaj Pllanajt ka vazhduar për rreth 300 metra.
Kur automjeti i Bardhok Pllanajt është përplasur me rrethimin e një biznesi, autorët për një moment kanë ndalur të shtënat. Por më pas kanë qëlluar sërish ndaj automjetit tip “Range Rover”, por mësohet se nuk kanë dalë nga automjeti i tyre.
Sipas grupit hetimor, kjo vrasje është e kryer nga profesionistë, të cilët kanë përdorur të njëjtat skema të vrasjeve të bujshme në Shkodër: Ekzekutim me automatik dhe djegie të automjetit për të zhdukur gjurmët. Automjeti tip “Passat” është gjetur i djegur në afërsi të stacionit të pompave në Dobraç.