Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës, njëkohësisht kandidat për deputet në këtë qark, Ferdinand Xhaferaj ka deklaruar se qyteti bregdetar adiministrohet nga një ekip që ka karakterin e një bande. Në një intervistë për “DurrësLajm”, Xhaferaj sulmon kundërshtarët politikë ndërsa thotë se kandidati socialist Lefter Koka dhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun Durrës, Adrian Çela janë të lidhur me elementë kriminalë.
Duke u ndalur te lista e Partisë Socialiste, Xhaferaj thotë se është pasqyrë e dosjes së bujshme “339”, pasi në të janë të përfshirë elementë të përfolur për korrupsion dhe dhunë.
“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe lista është pasqyrë e 339-ës. 40% e listës janë elementë të artikuluar në 339-n, elementë të përfolur për afera të rënda korruptive, janë elementë të përfolur për dhunë.”
Më tej, Xhaferaj komentoi edhe fletën e votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 25 prillit, e miratuar pak ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas kryedemokratit, PS zgjodhi një fletë votimi me numra dhe jo me emra pasi në listën e socialistëve janë kandidatë të përfolur në dosjen 339 si dhe sepse Rama nuk i vlerëson si emra bashkëpunëtorët e tij, por i llogarit si numra.
“Nëse Partia Demokratike është tërësisht e angazhuar që fleta e votimit të ishte me emra, ishte legale iniciativa e PS-së që të mos kishim emra po të kishim numra. Këtë mund ta shohësh në dy kënde të ndryshme, njëri kënd është që emrat që ka Partia Socialiste janë element të 339-ave apo të të gjithë kësaj masakre, abuzimi, kësaj urrejtje që ka në qytete për emrat e Partisë Socialiste. Një këndvështrim tjetër mund të jetë fryma autoritare që ka krijuar Edi Rama, mënyra sesi ka qeverisur, njerëzit që bashkëpunon nuk i llogarit si emra, por i llogarit si numra.”