BallinaKryesoreApeli i Luçiano Boçit: Votoni, votoni, votoni

Apeli i Luçiano Boçit: Votoni, votoni, votoni

spot_img
spot_img

Nga Luçiano Boçi*

Partia Socialiste ju dha qytetarëve shqiptarë një arsye më shumë që t’i tregojnë asaj vendin me 25 prill. Nëse vota Kundër qeverisë ishte deri tani një thirrje gëzimi për lirinë e afërt, prej këtij çasti ajo është edhe një shfryrje dinjitare kundër përbuzjes cinike.
Pasi i shkeli me këmbë qytetarët e këtij vendi, i neglizhoi, i burgosi për fatura dritash, ju shkatërroi banesat, vendet e punës, mundësitë minimale për jetesë, pasi i degëdisi anë-e-kënd botës, Edi Rama ju tha shqiptarëve se edhe përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvend, prej sot e tutje, do të jenë po aq anonimë, të parëndësishëm, të neglizhueshëm e të kapërcyeshëm si ata.
Një njeri që shndërron përfaqësuesit e popullit në “të burgosur” që njihen me numra – jo me emra, që identifikohen me sigla – jo me fytyra, që votohen si ekuacione – jo si personalitete – nuk meriton asgjë më pak se Refuzimin masiv dhe përbuzjen e të gjithëve.
Cinizmi i Ramës ka arritur në këtë gjest politik, majën e tij.
Ai është sjellë në mënyrë cinike me shumë shtresa dhe njerëz. Talljet e tij do të mbeten në historinë e këtij vendi si gjurmët më të errta të komunikimit politik. Produkt i një epoke cinike – ai erdhi në politikë si Djali Plangprishës që kërkoi falje para Bllokut ish-komunist për anti-komunizmin e tij gjithashtu cinik. Për këtë arsye, politika e tij e zhvillimit të Tiranës bëri që ish-Blloku dhe shtëpitë e njerëzve që siguronin fizikisht paprekshmërinë e anëtarëve të Byrosë dhe Komitetit Qëndror të ngriheshin në vlerë tre herë më lart se tregu dhe pasuria e tyre të rritej shumë më shpejt se pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare.
Ai ricikloi në qeverinë e tij të gjithë pinjollët e familjeve më të shquara të komunizmit Stalinist shqiptar, të cilët me po atë mizori genetike – dëshmuan pangopësi, zbatuan dhunë morale dhe ekonomike (a ka dhunë më të madhe se kafshata e gojës?) mbi të gjithë popullsinë, vranë shtresën e mesme me një politikë fiskale absurde dhe e trajtuan këtë vend më keq se një çiflig.
Për tre vjet nën alibinë e një reforme ai e la vendin pa gjykata dhe qytetarin pa asnjë akses në systemin e drejtësisë, duke rikthyer heshtur një epokë të errët – ku prokurorin kriminel të komunizmit e zëvendësuan bandat e armatosura.
Por Edi Rama është sot një komedian cinik, karriera e të cilit sapo ka mbaruar. Bashkë me jehonën e të qeshurave që shpura e tij lëshon tash e parë nëpër tubime, ku shkëlqejnë sponsorët e fushatës me detyra në administratë, zyrtarët e përbuzshëm të një klike brejtësish, nevojtarët e lidhur pas bukës së gojës dhe nostalgjikët e komunizmit të dikurshëm. Edi Rama nuk bën më për të qeshur as veten.
Akti i tij i fundit e tejkalon sarkazmën cinike të një satrapi. Ai mendon se shqiptarët nuk e lexojnë simbologjinë e tij sarkastike, ku Ai është Mbret dhe të gjithë të tjerët janë numra, të burgosur të nevojës, lypsarë të rendit të ri grabitqar, themeluar prej tij. Deliri i cinizmit sapo e ka tejkaluar delirin e tij të madhështisë!
Dhe ky është momenti final për t’i thënë: Mjaft! Ka vetëm një mënyrë për t’i treguar këtij njeriu shpirt-zi se shqiptarët nuk janë kafshë, janë njerëz, se qytetarët nuk janë robër, as skllevër. Për t’i treguar se e ardhmja e Shqipërisë u përket qytetarëve me dinjitet, integritet dhe personalitet, njerëzve që nuk kanë frikë t’i vënë gjoksin dhe fytyrën punëve që e bëjnë këtë vend një Atdhe’ të denjë për shqiptarët, jo një fole minjsh për mbretin e kafshëve.
Votoni! Votoni! Votoni! Kjo është thirrja ime! Nuk më intereson si votoni, por në themel çdo vullnet individual i ngritur në votë – është shprehje e dinjitetit të qytetarëve të këtij vendi për t’u dhënë numrave një emër, dhe vendit një të ardhme.
Votoni! Edi Rama ka vdekur! Vota Juaj e varros atë përfundimisht – edhe si model, edhe si kujtesë!

*Luçiano Boçi është kandidat për deputet i PD në Elbasan.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular