Në fjalën e tij me të rinjtë e Vaut të Dejës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal edhe te çështje të mprehta sociale, siç janë familjet e reja, strehimi i tyre, ndihma për fëmijët deri në 5 vjeç etj.
Lulzim Basha: “Tek ndërtimi i familjes po kështu kemi parashikuar dy masa. Masa e parë ka të bëjë me strehimin. Një nga problemet e çifteve të reja është që nuk sigurojnë dot një banesë.
Synimi kryesor është që të kemi themelimin e familjeve të reja se ka rënë numri i familjeve të reja, çifteve të reja. Pak na largohen në emigracion, ndërsa çiftet e reja nuk kanë mundësi të bashkëjetojnë, ku s’kanë mundësi të bashkëjetojnë e kanë shumë më të vështirë të fillojnë të kenë fëmijë.
Masa e dytë është që për çdo të porsalindur gjatë qeverisë Basha, për çdo të porsalindur deri në moshën 5 vjeç, ne do të paguajmë një bonus mujor, çek mujor prej 30 mijë lekësh të vjetra në muaj për të përballuar koston e një fëmije që nga pelenat kur është i vogël e deri 5 vjeç. Dhe po kështu për tekstet shkollore që përmenda.
Fëmijët shqiptarë do të kenë tekste shkollore të paguara nga shteti, sepse prindërit e tyre paguajnë taksat dhe e meritojnë që fëmijët e tyre të kenë tekste shkollore të paguara nga shteti siç i paguan Kosova që ka gjysmën e buxhetit tonë.
Plani ynë parashikon qartë, që për të gjithë familjet që kanë të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, shteti do ti subvencionojë 100% tarifat për bachelor dhe për master. Dhe për ata që i kanë të ardhurat mbi 640 mijë lekë do ti presë gjysmë për gjysmë, që asnjë shqiptare, asnjë shqiptar mos të futet në borxh për të shkolluar fëmijët e tyre.” – tha Basha.