Thuajse në çdo 5 minuta drita e telefonit të saj ndizet dhe një mesazh shfaqet në ekran. Zhurma e bën të ndërpresë shpeshherë bisedat, pas të cilave është e dhënë tërësisht. Fytyra pasqyron me përpikmëri llojin e mesazhit që ka marrë, edhe pse përpiqet ta fshehë.
E buzëqeshur kur dikush e komenton për takimin e sapo zhvilluar në një nga lagjet e Tiranës, për intervistën live në një nga televizionet e formateve gjeneraliste apo informative, për një shkrim në gazetë, për mesazhet inkurajuese e plot shpresë të dhëna në një studio televizive apo për qëndrimet e forta dhe të prera kundër padrejtësive.
E mërzitur kur kryefamiljarë, gra e burra, i shkruajnë për gjendjen në të cilën jetojnë apo për vështirësitë kur nuk marrin drejtësi.
E trishtuar kur të rinj e të reja i thonë se “ky vend nuk bëhet” dhe e lumtur kur prej tyre merr mesazhe shprese që “ndryshimi është më afër sesa mendojmë”. E palodhur për t’iu përgjigjur gjithsecilit apo për t’u angazhuar me të gjitha energjitë e saj për të gjetur zgjidhje.
Këto janë disa nga momentet e ditës së punës së Jorida Tabakut, nënës së re, që e shesh përditë në çdo rrugicë e lagje të Tiranës duke takuar pa pushim banorë të të gjitha grupmoshave. Bisedon me ata shtruar, si në shtëpinë e saj, tamam si një “gocë tironë”, siç e quajnë në familjet e vjetra tiranase.
“Ata janë energjia ime. Çdo banor që takoj, më bën ta dua këtë qytet edhe më shumë dhe të luftoj më shumë për të. Sepse secili prej tyre, në formën e vetë, me shqetësimet që ka, në çdo problem që ngre, ka për qëllim përmirësimin e jetës në këtë qytet që s’e njohim më, që ka humbur identitetin si pasojë e babëzisë e korrupsionit. Më kërkojnë që të jem zëri i tyre për të kërkuar drejtësi kudo, në media sot apo në parlament nesër”.
Politika i jep dhe i merr energji, si një mekanizëm që ruan ekuilibrin e ditës. Por ajo është “armiku” i kohës që dëshiron të kalojë me familjen, ngrohtësinë dhe qetësinë e së cilës e përshkruan në një mënyrë origjinale.
“Familja është gjithnjë si premiera e një filmi, asnjëherë monotone. Pas çdo dite të lodhshme pune, kthimi në shtëpi është episodi i radhës i një seriali të bukur, që zgjat përjetësisht”.
Familja është ishulli i saj i qetësisë. Aty ka gjithçka që i nevojitet. Ndërsa politika është gjithçka që ajo mund të bëjë për nevojat e të tjerëve dhe të vendit. Jeta akademike, thotë se është në funksion të të dyjave. Ky përkufizim e ka bërë të jetë e fokusuar në mënyrën e duhur në secilën prej tyre.
Për këtë arsye, për Joridën, familja dhe politika kanë qenë gjithnjë në harmoni me njëra – tjetrën. Por për t’i mbajtur ato në harmoni ka pasur mbështetjen e duhur. Nuk e fsheh që ndihet me fat që mbështetjen e ka marrë nga të dyja anët, si nga familja që ka ndërtuar me Saimirin ashtu edhe në familjen politike ku ka aderuar që në moshën 16 -vjeçare.
Aktivitetet e politikës mbyllen vonë. Takime gjatë ditës e mbledhje në darkë në selinë e PD. Kufizimet e pandemisë, gjithësesi, i kanë dhënë më shumë kohë për të kaluar me tre të vegjlit e saj, Dreni, Arba dhe Irisi.
“Ata janë lumturia dhe meraku më i madh, janë mendimi i parë dhe i fundit i ditës, janë forca ime”.
Arba dhe Dreni i ngjajnë të atit, pedagogut të Ekonomikut, për të cilin Jorida thotë që, me mbështetjen e përhershme e të padiskutueshme ia ka bërë më të lehtë jetën familjare dhe atë politike. Dreni kërkon gjithnjë vëmendje. I ndan në mes të motrat binjake, që janë shumë të dhëna pas leximit e pikturës, e kërkon të rrijë me to. Irisi ka tiparet e saj.
Saimiri bën shpesh gjërat që i takojnë asaj. Por vetëm në familje.
Në politikë Jorida kërkon të jetë vetvetja. Nuk i pëlqejnë konfliktet dhe retorika, por nuk ka tolerancë kur bëhet fjalë për padrejtësi apo për çështje të ekonomisë, pjesë e profilit të saj akademik.
Në familje, toleranca është sekreti i harmonisë. Nuk janë dy standarde, por forma e duhur për secilën prej dy familjeve mes të cilave ndaj jetën dhe kur i mbledh të gjitha, bashkë, në familjen e vogël ka 4 dashuri, 3 fëmijët dhe Saimiri. Por familja e madhe është gjithashtu dashuri më vete, me po aq forcë.