BallinaKryesoreBasha marrëveshje bashkëpunimi me personat me aftësi të kufizuara: Produkt i një...

Basha marrëveshje bashkëpunimi me personat me aftësi të kufizuara: Produkt i një dialogu dhe negocimesh prej dy vitesh

spot_img
spot_img

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka firmosur ditën e sotme marrëveshjen e bashkëpunimit me PAK.

Basha tha se kjo marrëveshje është produkt i një dialogu dhe negocimesh prej dy vitesh e cila konkretizon angazhimet dhe zotimet e qeverisjes së ardhshme ndaj mijëra personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në Shqipëri.

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PD dhe të pjesëmarrësve të PAK:

Lulzim Basha: Të nderuar zonja dhe zotërinj, përfaqësues të organizatave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Është një nder dhe një kënaqësi për mua dhe Partinë Demokratike, koalicionin tonë që sot të ndodhemi së bashku në këtë takim për të konkluduar përmes marrëveshjes midis bashkimi të organizatave tuaja dhe Partisë Demokratike, një marrëveshje e cila konkretizon angazhimet dhe zotimet e qeverisjes së ardhshme ndaj mijëra personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në Shqipëri.

Kjo marrëveshje është produkt i një dialogu dhe negociate që ka nisur prej më shumë se dy vitesh. Rikthejmë në kujtesë me kënaqësi takimin tonë të fundit në selinë e një prej organizatave tuaja ku ajo që spikati ishte sinqeriteti, ishte fryma konstruktive e diskutimit dhe nuk mund të ishte i tillë pa patur edhe reflektimin vetëkritik për përgjegjësitë tona në të shkuarën që janë edhe një pjesë e rëndësishme e themelit mbi të cilat kemi ngritur angazhimet tona për të nesërmen. Kjo është një marrëveshje e cila është hartuar nga ekspertët tanë më të mirë dhe ekspertët më të mirë të organizatave tuaja që ka për qëllim të vendos një kulturë të re bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve legjitim të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Si e tillё unё do tё thoja se themeli i marrëveshjes nuk janë thjesht angazhimet qeveritare, buxhetore por ёshtё: sё pari vendosja e standardit europian i cili parashikon që nё gjithё vendimmarrjet e rëndësishme qё kanё tё bёjmё me çdo sferë, me çdo aspekt tё jetës, tё sfidave dhe tё pritshmërive tё personave me aftësi tё kufizuara, konsultimi, bashkërendimi, bashkёvendimarrja dhe angazhimi i përbashkët nё zbatimin e detyrimeve qё rrjedhin nga këto vendimmarrje, janë instrumenti qё e çon përpara kauzën e drejt dhe vuajtjet, dhimbjet dhe pritshmëritë e personave me aftësi tё kufizuara.

Prandaj jam nё veçanti falënderues dhe mirënjohës, drejtuesve tё organizatave, ekspertëve tuaj por edhe ekipit tonё qё ka insistuar qё ndryshimi i parё tё jetë njё ndryshim nё mentalitet, nё përqasje, siç e thash nё kulturën e re qeverisëse sepse fakti ёshtё qё nё këto 30 vite ky standard i mirëqenë nё Europë i konsultimit, i vendimmarrjes sё përbashkët, i vetadminsitrimit dhe i besimit reciprok e nё veçanti i besimit i qeverisё tek përfaqësuesit legjitim tek organizatat e personave me aftësi tё kufizuara ka njohur uljet e ngritjet e saj.

Sot unë do ta ndërmarr këtë angazhim në emër të Partisë Demokratike, të koalicionit tonë, Aleancës për Ndryshim dhe gjithë koalicionit tonë i cili më 25 prill me votën e shqiptarëve do të marrë përsipër barrën e qeverisjes. Dua të kujtojë se fillesat e bashkëpunimit tonë janë shumë më të hershme. Dua të kujtoj dhe të sjell në mendje se nëse bëhet fjalë për një lobim në kuptimin klasik të fjalës, lobi i parë dhe në fakt lobi i vetëm në të cilin kam patur krenarinë të jem anëtarë themelues në debutim tim si parlamentarë, si anëtarë i kuvendit të Shqipërisë ka qenë lobi për personat me aftësi të kufizuara.

E kuptoj këtë kohë sepse pozita si deputetë i mazhorancës dhe anëtarë i kabinetit, sillte edhe mundësinë për të ndihmuar sa të ishte e mundur, por edhe sfidën jo të vogël në politikë për t’ju kundërvënë partisë tënde, mazhorancës tënde, apo qeverisë tënde në veçanti në pozitat e drejtimit atëherë kur dukej se vendimmarrja nuk ishte në përputhje me ato standarde dhe me ato angazhime të cilat me të vërtetë do të ndihmonin kauzat e drejta të personave me aftësi të kufizuara. Shumë uji ka rrjedhur që nga ai moment, disa gjëra të mira janë arritur por janë hedhur edhe hapa prapa, në veçanti 8 vitet e fundit si në çdo fushë tjetër të jetës ka njohur një shkallë centralizimi ekstrem, një shkallë denigrimi të organizatave, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit, e cila nuk ka kursyer marrëdhënien e qeverisë së këtyre 8 viteve me organizatat të personave me aftësi të kufizuar.

Dhe për fat të keq gjithmonë ata që e kanë pësuar, ata që kanë vuajtur pasojat e kësaj qasje dhe kësaj sjellje janë mijëra persona me aftësi të kufizuar dhe qindra, mijëra familjarë të tyre.

Prandaj e theksoj edhe njëherë se  ndryshimi themelor do të vijë përmes kësaj përqasje të re, të re për Shqipërinë, por standard europian për çdo shoqëri europiane dhe për çdo vend dhe për çdo shtet që ne sot e marrin si shembull dhe nesër standardet e këtyre vendeve do t’i kemi po kështu shembuj për t’i përcaktuar në legjislacionin shqiptar dhe për t’i zbatuar së bashku me një dobi, me një interes të madh publik që është  shërbimi ndaj kësaj pjese të shoqërisë që përtej të qenarit pjesa më vunerabël është edhe  treguar se si  shoqëria i trajton, mënyra se si qeveria i trajton, është tregues i shkallës së emancipimit të qytetërimit dhe i natyrës dhe i fytyrës njerëzore të politikës së atij vendi. Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua t’ia kaloj fjalën njërit apo disa prej përfaqësuesve tuaj para se të kalojmë në katin përfundimtar të një pune më shumë se 3-vjeçare që është marrëveshja formale që do të nënshkruajmë së bashku dhe që do të përbëjë bazën e detyrimeve të qeverisjes së ardhshme në raport me personat me aftësi të kufizuar.

Sinan Tafaj: I nderuar zoti kryetar. Në cilësinë e presidentit të Bashkimit Shqiptar të  Organizatave të Aftësisë së Kufizuar më lejoni që t’ju falënderoj nga zemra në emër të personave me aftësi të kufizuar të Shqipërisë. Pse? Së parim është hera e parë që në 30 vjet një forcë politike si e juaja ofrohet për të ndërtuar partneritet dhe aleancë më këtë komunitet dhe për ta trajtuar kaq seriozisht sa të nënshkruhet një marrëveshje kaq e rëndësishme dhe kaq thelbësore. Për të sqaruar opinionin publik dhe vetë personat me aftësi të kufizuar që në Shqipëria së bashku me kujdestarët e tyre arrijnë afër 170 mijë, ju bëjmë të qartë se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për faktin se e para.

Personat me aftësi të kufizuara do të trajtohen me dinjitetin e tyre për të përfaqësuar vetveten në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet organizatave të tyre përfaqësuese pra që ata të jene partnerë siç e tha dhe zoti kryetar në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në të gjitha përpjekjet që shoqëria, qeveria do të bëjë për integrimin e tyre. Për hir të së vërtetës në tetë vitet e fundit janë bërë hapa mbrapsht por në vlerësimin tim siç e ka thënë edhe kryetarit në takimin që patëm, ka vend për të hetuar sepse qeveria duke shfrytëzuar përkthimin e gabuar të konventës na hoqi të drejtën për të folur, vendosur për veten tonë nëpërmjet organizatave tona dhe ja transferoi atë kompanive të biznesit të cilat sillen si OJF, si organizata që gjoja na shërbejnë ne, na ndihmojnë edhe na ofrojnë shërbime të tjera. Kjo kthesë tmerrësisht e rrezikshme dhe e rëndë për ne ndodhi në ligjin 93 të viti 2014 kundër të cilit ne protesta fort kundër ministrit të kohës, ministri i Punës që e inicioi sepse më pas “Lëvizja e Aftësisë së Kufizuar”, u dëmtua, u rëndua dhe përfaqësimi i personave me aftësi të kufizuar ishte tejet formal, tek-tuk me organizata, të cilat vetëm ngrinin dorë lepe-peqe, pa kuptuar se për çfarë firmosnin apo për çfarë votonin.

Së dyti, që është shumë e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuar, të kuptojnë se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do të kryhet një reformë më bashkëpunimin tonë, që të shkojë haku te i zoti dhe të mos ndodhin më ato dëme që iu janë shkaktuar personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet vendimeve të Këshillit të Ministrave që nga 2016, e veçanërisht ai i 5 Qershorit 2019, sipas të cilëve, pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar, humbet kuptimin dhe thelbin e saj si një pagesë që jepet për të kompensuar ato pasoja që sjell kufizimi dhe kushtëzohet me pasjen e një pensioni të invaliditetit apo të pleqërisë. Pra, kjo lloj pagese tashmë është dëmtuar, është reduktuar, po anulohet dhe janë prekur të gjitha kategoritë e aftësisë së kufizuar, përveç të verbërve. Unë besoj që ofrimi i bashkëpunimit me zotin Kryetar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe garancia për këtë së pari, është e kaluara dhe angazhimi i zotit Basha me aftësinë e kufizuar.

Pra, për hir të së vërtetës, ne kemi një histori tejet pozitive dhe të rëndësishme, kemi një sjellje tejet njerëzore të zotit Basha, në cilësinë e deputetit dhe të ministrit dhe deri edhe në një përplasje brenda partisë së tij apo brenda qeverisë, për interesat tona. Së dyti, është edhe kjo marrëveshja, që është e para në 30 vite që do të nënshkruhet mes nesh dhe një force politike për të cilën ne do bëjmë ç’është e mundur që me 25 prill të jetë ajo që i fiton zgjedhjet dhe ne këtë nuk do ta bëjmë sepse ne jemi bërë anëtarë të Partisë Demokratike, jo. Ne jemi një komunitet i pavarur dhe jashtë Partisë Demokratike por ama për interesat tona kemi ndërtuar një aleancë të qëndrueshme dhe shumë serioze dhe ne e kemi jetike në zbatimin e kësaj marrëveshje.

Por kjo marrëveshje nuk mund të zbatohet, nuk mund të marrë jetë nëse Partia Demokratike nuk do vijë në pushtet. Prandaj, thirrja ime është për të gjithë personat me aftësi të kufizuar të kuptojnë që askujt nuk i kërkohet të ndërrojë parti apo të bëjë këtë apo të bëjë atë. Thjeshtë i kërkohet që të kuptojnë që interesat e tyre, pagesat e tyre, shërbimet e tyre, të drejtat e tyre, vajtja përsëri nëpër shkolla sepse unë nuk e përmenda ajo quhet e drejta e shkollimit, janë hequr shumë të drejta, janë cenuar shumë të drejta. Rikthimi i gjithë këtyre të drejtave do të vijë vetëm në qoftë se ne si komunitet do përfshihemi dhe do pyetemi nga qeveria e ardhshme sipas kësaj marrëveshje që ne po nënshkruajmë. Në këto rrethana, i nderuar zoti kryetar, në emër të të gjithë personave me aftësi të kufizuar, ju uroj suksese dhe ju garantoj që ne do bëjmë ç’është e mundur në krahun tuaj. Gjithë të mirat.

Mark Zefi: Faleminderit kryetar! Në radhë të parë, ju uroj suksese dhe fitore. Së dyti, në emër të shoqatës së “Invalidëve të punës të Shqipërisë” që është një grup interesi prej 73,620 invalidë. Ju përshëndes për këtë takim që organizuat me ne persona të aftësisë së kufizuar, për të kristalizuar këtë marrëveshje, ashtu siç e tha edhe profesori, kolegu im, më përpara që kjo nuk ka filluar sot por ka vite që punohet, ashtu siç e thatë ju zoti kryetar, me ekipe, me ekspertë, për të kristalizuar një veprim që neve na mungon.

Mendoj dhe kemi besim që Partia Demokratike do ta realizojë, do ta bëjë realitet këtë angazhim të cilin e ka marrë duke i ngarkuar vetes një detyrë që për mendimin tim duhet të na mbështesë dhe në strukturat e saja të qeverisjes së re mendoj që duhet të ketë përfaqësues të aftë, specialistë dhe nga shtresa e personave me aftësi të kufizuara. Jo të trajtohemi si një grup komunitar që të na përbuzin jo nuk ka këmbën, jo nuk ka dorën, e të tjera e të tjera, por jemi të barabartë, mendoj, pavarësisht se nga ana fizike nuk kemi mundësi.

Kështu që duke parë dhe lexuar marrëveshjen ne jemi dakord që të bashkëpunojmë dhe të mbështetemi sipas programit dhe problematikës që është shtruar në marrëveshje. Tani që t’i kthehemi viteve të kaluara është një kohë e humbur por të themi realitetin, neve Shoqatës së invalidëve të punës të Shqipërisë na janë mohuar disa të drejta, do me thënë miratohet është në kushtetutë, me VKM miratuar, me udhëzime dhe na vendosën taksa siç është ajo e ndërtesës, e biznesit, e transportit. Nuk zbatohet ligji i njohjes së dëshmisë së invalidit. Janë shumë bashki  si Vlora, Shkodra, Durrësi etj., të cilat nuk njohin transportin kur ajo është e përshkruar në kushtetutë, kanë dalë udhëzimet e dikastereve përkatëse, dhe disa pushtetarë vendorë nuk e njohu.

Me të vërtetë autonomia vendore, jemi dakord por ne nuk jemi në një pabarazi jashtë konturit ligjor që të dali bashkia ose këshilli bashkiak të paguash taksën e ndërtesës, kur ajo është hequr me ligj, është e përshkruar në kushtetutë te neni 49 e tek të tjera. Prandaj duke pasur besimin ne jemi pro marrëveshjes dhe kërkojmë që Partia Demokratike bashkë me aleancën në programin e saj ti japi një rëndësi të veçantë këtij komuniteti me aftësi të kufizuar sepse është e nevojshme, ka nevojë dhe duhet mbështetur. Ju faleminderit.

Lulzim Basha: Ju faleminderit dhe tani ju ftoj ta kolaudojmë këtë punë siç e thatë jo vetëm disa mujore po disa vjeçare duke nënshkruar sot, duke vendosur nënshkrimin tonë dhe tuajin në këtë marrëveshje dhe duke dhënë në këtë mënyrë mesazhin e qartë dhe të pakthyeshëm se gjithçka  kemi rënë dakord, çdo zotim për të cilin jemi angazhuar, na lidh, na përkushton, na detyron që nga dita e parë e qeverisjes jo vetëm të korrigjojmë gabimet e rënda,  do thoja fajet e rënda që kanë rënduar mbi kurrizin e dhjetëra mijëra personave me aftësi të kufizuara këto tetë vite, por mbi të gjitha na angazhon që standardin europian, cilësinë europiane të trajtimit të personave me aftësi të kufizuara ta kemi si synimin, objektivin dhe shënjestrën e çdo mase që do të marrim këtej e tutje si një qeveri e përgjegjshme ndaj fatit të çdo qytetari e në veçanti e përgjegjshme dhe e ndjeshme ndaj qytetarëve me vulnerabilitete siç janë personat me aftësi të kufizuar dhe ndaj familjeve të tyre, sakrificës së familjeve shqiptare gjatë këtyre viteve, dhimbjeve dhe vuajtjeve që ka shkaktuar tetë vite krizë, në veçanti në fushën ekonomike dhe sociale.

Për familjet tuaja kjo është edhe më e rëndë për shkak të sfidave që paraqet kujdesi dhe kosto që duhet të përballojnë në raport me personat, me anëtarët e familjes me aftësi të kufizuara, ndaj edhe angazhimi ynë do të jetë jo thjesht dhe vetëm ai që materializon, mishëron të njëjtën ndjeshmëri dhe kujdes si çdo qeveri europiane ndaj personave me aftësi të kufizuara por që dhe e kthen këtë në vepra konkrete përmes financimeve publike dhe përmes tërheqjes dhe financimeve të Bashkimit Europian, të vendeve të tjera që na kanë ndihmuar dhe do na ndihmojnë edhe më shumë kur të shohin transparencën, dhembshurinë dhe seriozitetin me të cilin qeveria e re shqiptare do të trajtojë problemet tuaja dhe padiskutim dhe donatorëve të tjerë ku përfshihen shoqata dhe federata të ndryshme që unë e di që janë gati dhe mezi presin të rikthehen në krahun tuaj e t’ju ndihmojnë.

Kësaj radhe jo më me një qeveri që ka dëmtuar dhe ka goditur interesat tuaja por me një qeveri që i ka shkrirë vuajtjet, sfidat, pritshmëritë dhe projektet tuaja me projektet e saj duke vepruar kështu me të vërtetë si një entitet i vetëm në shërbim të mirëqenies, të shëndetit dhe integrimit të plotë të çdo qytetari shqiptar, të çdo vajze dhe djali, të ri edhe të reja, të çdo burri dhe gruaje, të çdo të moshuari dhe të moshuare me aftësi të kufizuara në shoqërinë shqiptare në çdo aspekt të jetës dhe të bashkëjetesës sonë të përbashkët. Ju ftoj pra që pas një kohe jo të shkurtër dialogu, negociatash, konsultimesh ta finalizojmë sot me këtë nënshkrim dhe ju garantoj se është hapi i parë që pas 25 Prillit të nisim zbatimin e kësaj marrëveshje, efektet e së cilës do ti ndjejnë të gjithë personat me aftësi të kufizuara, pa diskriminim të asnjë lloji, as klientelist, as nepotik, as politik, as gjeografik dhe të asnjë lloji.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular