Prokuroria e Posaçme ka bërë rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila liroi mjekun kardiolog, Edvin Prifti. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për “BalkanWeb” kërkesën që SPAK i bën Gjykatës së Lartë që ta rikthejë mjekun në burg. Shefi i kardiokirurgjisë Prifti u arrestua dhe më pas u la i lirë, nën akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’.
Priftit iu gjetën 250 mijë euro dhe afro 160 milion lekë të reja në shtëpi dhe zyrë, ndërsa aktualisht ndaj tij ka mbetur në fuqi masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës.
Kujtojmë se mjeku i njohur është zbuluar rastësisht nga SPAK, pasi kjo e fundit kishte vënë në përgjim sekretaren e gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, e cila u arrestua bashkë me gjyqtaren Enkeleida Hoxha dhe dhjetë persona të tjerë për vapën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Teksa SPAK e kishte vënë në përgjim Mallkuçin, zbulon se kjo e fundit fliste me mjekun Prifti për operacionin e nënës, për të cilin ai i kishte kërkuar para. Sakaq, në një intervistë për “News 24”, Prifti pak para se të arrestohej deklaroi se paratë e gjetura ishin të ligjshme dhe shtoi se ato janë të bashkëshortes të përfituara nga një kontratë shit-blerje me të motrën.