Të enjten në orën 11:00, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ankimin për shkelje të ligjit nga ana e KQZ-së kur regjistroi Partinë Bindja Demokratike në garën elektorale të 30 qershorit. Por ky vendim ka ngjallur një debat, ndërsa edhe shoqatat që monitorojnë proceset zgjedhore e vlerësojnë në shkelje flagrante të ligjit.
Shoqatat të cilat monitorojnë proceset zgjedhore në vendin tonë kanë ngritur shqetësimin dhe e konsiderojnë në shkelje flagrante të ligjit vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për regjistrimin si subjekt garues në 30 qershor Partinë Bindja Demokratike.
Premto Gogo, nga koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, thotë se KQZ nuk mori parasysh as praktikën ligjore të ndjekur nga vetë ky institucion në vitet e shkuara.
Premto Gogo: Gjithë kjo që ndodhi është në kundërshtim me ligjin, me praktikën dhe vetë qëndrimin e saj para katër muajsh.
Për më tepër, thotë Gogo, “Bindja Demokratike” jo vetëm është regjistruar pa vendim të formës së prerë të gjykatës, por dhe në shkelje të afateve të vendosura.
Premto Gogo: Administrata gjithashtu ka mbyllur sytë.Në materialet paraprake të përgatitura para mbledhjes, gjithashtu ajo i quan ligjore ndërkohë që dokumentet janë përtej datës që mbaronte afati. Pra administrata ka pranuar dokumenta pasi ka kaluar afati.
Radio Televizioni Ora u interesua pranë gjykatës ndërsa në arsyetimin e vendimit, gjyqtari Ervin Pollozhani shprehet se bazuar ne provat e paraqitura dhe verifikimet e bëra, gjykata u bind për të pranuar kërkesën për regjistrimin e Partisë Bindja Demokratike.
Të enjten në orën 11:00 Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë ankimin e Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar, që e cilëson vendimin KQZ-së në shkelje të ligjit.
Një ditë më parë emisioni investigativ në RTV Ora, “BOOM”, denoncoi skandalin se Bindja Demokratike ka falsifikuar dhe tjetërsuar firmat e qytetarëve.