BallinaKryesorePROFIL/Si histori suksesi në jetë dhe biznes, një politikan ndryshe në shërbim...

PROFIL/Si histori suksesi në jetë dhe biznes, një politikan ndryshe në shërbim të njerëzve

spot_img
spot_img

Nga Mina HYSA

25 prilli po afron. Kampet politike po intensifikojnë fushatën në kërkim të fitores. Lideri i opozitës, kreu i PD Basha, dhe ekipi i tij po shkon para shqiptarëve me alternativë si kryeministër dhe me moral. E kundërta ndodh në kampin kundërshtar, ku kësaj here nuk përmendet më as timoni dhe tepsia… për alternativë, as bëhet fjalë. Lulzim Basha në fushën e lojës ka një ekip me personalitete, individë që kanë performuar më së miri, madje duke qenë dhe histori suksesi brenda dhe jashtë vendit. Pjesa më e madhe i janë bashkuar Bashës ndër vite në rrugëtimin e vështirë opozitar duke dhënë ekspertizën më të mirë sipas fushave për programin ekonomik të PD që do të çojë në zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Njëri prej tyre, ish-deputet dhe sërish kandidat për deputet, por edhe drejtues politik në Tiranë është një emër që mund të thuhet se është vlerë në PD.


Quhet Agron Shehaj, kandidat i PD në Tiranë dhe drejtues politik në Njësitë Administrative nr. 7 dhe nr. 5 në kryeqytet. Njihet në Vlorë, Tiranë dhe në Shqipëri si një person që krijon raporte të mira në komunitet, ku komunikimi i tij natyral është arti i takimeve me qytetarët.
Zoti Shehaj është histori suksesi në biznes, jo vetëm brenda vendit, por edhe matanë Adriatikut, në Itali. E ka të gjithën me djersë, ngritur me sakrificë në vendin fqinj e më pas aktivitetin e ka sjellë dhe në Shqipëri ku sot ka mijëra shqiptarë të punësuar në to. Ndihma që z. Shehaj u ka bërë familjeve shqiptare duke zbutur efektin social papunësi është e konsiderueshme për një vend të vogël si ne, sikurse dhe buxheti i shtetit ka përfituar nga taksat e biznesit të tij. Ky ishte kontributi i parë që Agron Shehaj i dha Shqipërisë vendit të tij. Siç e nisi me punë të mira si biznesmen, me dëshirën e mirë për të ndryshuar gjërat në këtë vend, Agroni do të vendoste të përfshihej në politikë aktive (sërish për njerëzit siç e pranon dhe vetë), duke iu bashkuar PD-së, partisë së parë antikomuniste, asaj që rrëzoi diktaturën më të egër, që zboi të majtën komuniste vendosur në pushtet me dhunë ku pjesë e persekucionit do të kishte dhe të afërmit.
Angazhimi në politikë si deputet i Vlorës
Siç duket rrënjët e trashëgimisë, lidershipi i z. Basha, por edhe politikat probiznes të PD-së duhet të kenë qenë të paktën tre nga arsyet që Agron Shehaj do t’i bashkëngjitej në opozitë Partisë Demokratike. “Gjaku nuk bëhet ujë”, kjo do ketë qenë deviza e Agronit përderisa vendosi të përfshihej në politikë, dihej në cilën prej dyerve të partive do të trokiste. Ai vjen nga një familje patriote vlonjate, e cila u përndoq nga regjimi komunist. Gjyshi, Sulo Shehaj, luftëtar në Luftën e Vlorës, ishte ndër personat e parë të burgosur politikisht pas vendosjes së komunizmit dhe vdiq në burg më 1948.
Agroni, përkrahës gjatë gjithë jetës i së djathtës dhe i Partisë Demokratike, vendosi që në vitin 2017 të përfshihej në politikën aktive. Pranoi ftesën e Lulzim Bashës për kandidim dhe u zgjodh deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë duke përfaqësuar Qarkun Vlorë. Si një qytetar që gjithçka e ka arritur me djersë, por edhe si ligjvënës që kërkon zbatim të ligjit sikurse në vendin ku u rrit, shkollua dhe u bë histori suksesi në Itali, Agron Shehaj në veprimtarinë e tij politike ka qenë zë i fortë, i pakompromis kundër korrupsionit qeveritar dhe kapjes së ekonomisë dhe qeverisjes, siç thotë z. Shehaj “nga një grup i vogël biznesmenësh grabitqarë”. Në këtë vend ku thuajse gjithçka është e kapur, kur të thuash të vërtetën e cila shpesh është e hidhur dhe pastaj të vjen goditja, Agron Shehaj me qytetarinë, i edukuar dhe i rritur si garant i ligjit dhe me guximin e labit bëri publik skandalin e “ndërtimit” të Unazës së Madhe të Tiranës nga një kompani fantazmë, duke i shpëtuar buxhetit rreth 30 milionë euro të parashikuara që sipas denoncimit të tij po pastroheshin në llogari personale në SHBA.


Kush është Agron Shehaj
Agron Shehaj është i martuar me Enidën dhe kanë dy djem e një vajzë. Në mars 1991, kur ishte vetëm 13 vjeç, Agroni emigroi me familjen në Itali, në një udhëtim të vështirë me anije drejt lirisë. Shkollën fillore dhe të mesme e përfundoi në Bolzano, ndërsa studimet universitare për ekonomi i kreu në Universitetin e Firences. Pas 15 vitesh në Itali, Agroni vendosi të kthehej në Shqipëri, nga e cila nuk u shkëput asnjëherë shpirtërisht. Në Shqipëri ai ktheu një ide të thjeshtë biznesi, për të ofruar shërbime përmes telefonit, në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare: “Intercom Data Service” sh.p.k, kompania që Agroni krijoi në vitin 2005, u bë kompania e parë shqiptare që eksportoi shërbime për tregun evropian. Kompanitë e themeluar prej tij sot ofrojnë shumëllojshmëri shërbimesh teknologjike, përfshi marketing dixhital, në Itali, Britani të Madhe dhe SHBA. Ato i kanë sjellë ekonomisë shqiptare qindra miliona euro nga jashtë dhe kanë punësuar deri më sot mbi 40 mijë persona, më së shumti të rinj, shumica e të cilëve kanë vazhduar më pas karriera të suksesshme në çdo fushë.
Ai është themeluesi i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”; fondacionit “Kujto Albania”, i cili ka ndërtuar arkivën online të krimeve dhe viktimave të komunizmit; klubit sportiv Spartaku për fëmijët në nevojë; Akademisë Link për trajnimin falas të të rinjve në teknologjitë dixhitale. Ai është mbështetës i kauzës së edukimit të fëmijëve me sindromën Doën dhe i organizatave në mbështetje të tyre.


Sërish kandidat për deputet dhe drejtues politik i PD
Në zgjedhjet e 25 prillit, Agron Shehaj garon i gjashti në listën e PD-së në qarkun Tiranë dhe drejton fushatën në njësite 5 dhe 7 në kryeqytet. E ka nisur menjëherë punën në terren së bashku me strukturat e degëve të PD duke bërë një skaner të situatës në këto dy njësi dhe duke lëvizur rrugë më rrugë, trokitur derë më derë për t’u shpjeguar qytetarëve programin e PD si dhe duke i ftuar të votojnë nr. 9.
Një risi e Agron Shehajt si politikan është që edhe ai shpesh personalisht jo vetëm në takime të organizuara në kuadër të fushatës, por ato spontane në rrugë personalisht takon qytetarë të shumtë të cilëve u shpjegon me detaje përfitimet që do të kenë përmes programit ekonomik të PD pas zgjedhjeve të 25 prillit me Lulzim Bashën Kryeministër. Takimet me sa më shumë njerëz, të moshave dhe shtresave dhe profesioneve të ndryshme janë në vëmendjen e Agron Shehajt, i cili dhe si një person i suksesshëm, por edhe si një njeri politik, shpalos para tyre dhe alternativat e zgjidhjeve me PD në pushtet dhe jep garancinë që ai do të jetë një zë i fuqishëm i mbrojtjes së interesit qytetar sikurse deri më tani.
“Në shërbim të njerëzve” – ky është angazhimi që i ka vënë vetes Agron Shehaj ndaj sikurse deri më tani do të vazhdojë në këto gjurmë. Deri më sot ka treguar se është një mbrojtës fanatik i interesit publik, një zë i fuqishëm ndaj padrejtësisë, së keqes dhe korrupsionit ndaj edhe në këtë sfidë politike në të cilën beson se do të rezultojë fitues Agroni do të ketë sërish një tjetër peshë mbi shpatulla; atë të të përfaqësuarit sikurse tani me dinjitet të qytetarëve në Parlament.
Agron Shehaj beson se Shqipëria do të bëhet. E ka pasur këtë besim që ditën kur i është bashkuar PD-së ndaj dhe shpesh e thotë dhe ka besimin se pas fitores spektakolare të pritshme më 25 prill “në këtë vend do të qeveriset ndershëm dhe për njerëzit”. Duke iu bashkuar Partisë Demokratike dhe votuar nr. 9 më 25 prill, duke u përfaqësuar nga njerëz si Agron Shehaj dhe të tjera personalitete që ka lista fituese e Lulzim Bashës, do të sillet ndryshimi, por do të rritet edhe llogaridhënia ndaj tyre për të mbajtur ato angazhime që i kanë vënë vetes në këtë fushatë elektorale. Palët pritet ta vënë njëra-tjetrën në provë; qytetarët të votojnë nr. 9, dhe Partia Demokratike dhe Lulzim Basha të ndryshojë Shqipërinë përmes zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular