Universitetet kryesore kineze do të luajnë një rol më të madh në zhvillimin e vendit në pesë vjetët e ardhshëm dhe më tej, ndërsa ekonomia e dytë më e madhe në botë ka si qëllim të bëhet një qendër inovacioni.
“Tsinghua”, një ndër universitetet më prestigjioze në Kinë, ka pa dyshim një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.
Gjatë një turneu inspektimi në këtë universitet të hënën, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për krijimin e universiteteve të klasit botëror me karakteristika kineze, për t’i shërbyer rilindjes kombëtare.
Vizita u bë disa ditë përpara 110-vjetorit të krijimit të universitetit “Tsinghua”. Xi Jinping, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, përgëzoi stafin akademik, studentët dhe të diplomuarit e universitetit në emër të Komitetit Qendror të PKK-së.
Kina ka nevojë “më shumë se kurrë” për njohuri shkencore
Xi vizitoi Akademinë e Arteve dhe Dizajnit, një laborator të imazherisë dhe inteligjencës, një ekspozitë mbi arritjet kryesore të universitetit në fushën e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe një kënd sportiv.
Ai gjithashtu mësoi për reformën e universitetit “Tsinghua”, zhvillimin e burimeve njerëzore, inovacionin në arsim e kërkimin shkencor, si dhe rolin e universitetit në shërbim të zhvillimit kombëtar, përpara se të takonte përfaqësuesit e pedagogëve e të studentëve në një simpozium, ku mbajti edhe një fjalim të rëndësishëm.
Ky vit shënon 100-vjetorin e themelimit të PKK-së, vuri në dukje Xi, duke shtuar se 2021-shi është gjithashtu fillimi i rrugëtimit të ri të Kinës drejt modernizimit socialist. Zhvillimi i Kinës dhe i partisë së saj në pushtet “ka nevojë më shumë se kurrë për arsimin e lartë, njohuritë shkencore dhe talente të shkëlqyera”, theksoi ai.
Ai i inkurajoi të rinjtë kinezë të mbajnë përgjegjësitë e tyre historike dhe të përpiqen për përtëritjen kombëtare.
Sipas Planit të 14-të Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror Kombëtar (2021-2025) dhe Objektivave Afatgjata deri në Vitin 2035, Kina do të ndjekë zhvillimin e udhëhequr nga risitë dhe do të përpiqet të bëjë përparime të mëdha në drejtim të teknologjive kyçe.(foto nga VCG)