Nga krijimi te dështimi i madh. Gjithçka zgjati pak, por në 48 orët e saj Super League u shoqërua me ngjarje sa për një vit të tërë. Ishin pikërisht këto ngjarje, publike dhe të fshehta, që sollën fundin e projektit të ideuar dhe dizenjuar nga disa prej “gjigandëve” të futbollit europian. Pavarësisht statusit të tyre, nuk mund t’i rezistonin presionit nga të gjitha krahët.
Si fillim UEFA dhe FIFA mblodhën rreth vetes të gjithë pjesën tjetër të familjes së futbollit, Federata dhe klubet e tjerë jashtë Super League. Qeveritë e futbollit kërcënuan me përjashtim klubet themeluese dhe futbollistët e tyre.
Edhe politika bëri punën e saj. Liderët europianë si kryministi anglez, Boris Johson, ai italian Mario Dragi dhe presidenti francez Manuel Macron sulmuan publikisht turneun e sapo lindur. Por sipas gjasave, në fshehtësi, ata i ngritën në një tjetër nivel kërcënimet për klubet themelues. Këta të fundit nuk kishin llogaritur, që të kishin kundër edhe vartësit e tyre.
Emrat e mëdhenj të trainingut, I pari Jurgen Klopp dhe më pas Pep Guardiola thanë fjalën e tyre, duke marrë krahun e më të dobëtve dhe tifozëve që në fillim në rrjetet sociale dhe më pas në rrugë protestuan të bindur se po iu vidhej diçka që iu përkiste dhe e jetonin me pasion.
Në të njëjtin front morën vendin e tyre edhe futbollistët. Shumë prej tyre në rrjetet sociale kundërshtuan krijimin e ri, ndërsa të tjerë si ata të Liverpool dolën me një komunikatë për mediat.
I fortë dhe kundër ishte që në fillim reagimi mediatik, që e cilësoi Super League si “vdekjen e futbollit”.
Përballë një presioni të madh, Super League nisi të shkërmoqej. Manchester City ishte i pari që u tërhoq, ndërsa më pas të njëjtën rrugë ndoqën në një tjetër “Brexit” edhe pesë klubet e tjerë anglezë.
Kjo krijoi një efekt domino. Nga klubet spanjollë ishte Atletico Madrid që u largua, ndërsa nga italianët Inter doli I pari nga loja.
Nuk mund të bënin asgjë themeluesit më stoikë, që pas një mbedhje në orët e para të mëngjesit të së mërkurës vulosën fundin e projektit të tyre, që rrezikon të khehet në një njollë të errët në historinë e futbollit.