Basha nga Vlora: Rama do të prishë 110.000 shtëpi. Njeriu që ju gënjeu dhe nuk bëri asgjë për 8 vjet, po ju gënjen prapë për legalizimet! Mos ia hap derën dështimit për të tretën herë! Basha në Vlorë: Të dielën Rama do të largohet bashkë me kriminelët, shitblerjen e votës dhe korrupsionin e tij. Shqiptarët do të votojnë 9 për ndryshim që të sjellim një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë për vendin. NJOFTIMI PËR TAKIMIN E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË VLORË Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar fushatën përmbyllëse në qytetin e Vlorës. Në fjalën e tij, Basha tha se njeriu që gënjeu dhe nuk bëri asgjë për 8 vite, tani po gënjen prapë për legalizimet, pasi ai ka ndërmend t’i prishë 110 mijë shtëpi. Kreu i opozitës gjithashtu u shpreh se ditën e diel, vota masive për numrin 9 do të largojë Ramën bashkë me kriminelët dhe shitblerësit e votës, si dhe do të sjell një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PD para qytetarëve në Vlorë. Lulzim Basha: Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja vlonjate dhe vlonjatë! Dita e mirë e Shqipërisë ka nisur nga Vlora, dita e fitores dhe e ndryshimit i cili do të nisë nga Vlora. Mirë se ju gjej më të bashkuar, më të vendosur, me shpirtin plot me shpresë, plot me dritë, plot me besim për 25 prillin, ditën e fitores së çdo vlonjati dhe të çdo vlonjateje. Vëllezër dhe motra për 8 vite me radhë, njeriu që nuk bëri asgjë, që e zbrazi Vlorën nga rinia e saj, që i la pensionistët e Vlorës në baltë, që shkatërroi bujqësinë e Vlorës, njeriu i cili premtoi hënën dhe diellin por ktheu Vlorën dhe çifligun e klientëve, të oligarkëve dhe të miqve të tij në resortin personal të pushimeve të tij, po vjen përsëri të trokasë me të njëjtat premtime të pambajtura, me të njëjtat dështime të 8 viteve më parë duke konsideruar Vlorën e tij dhe vlonjatët robërit e tij gabim historik sepse e di e gjithë Shqipëria, Vlora dhe vlonjatët i takojnë vetvetes, i takojnë Shqipërisë, i takojnë kombit dhe e kanë treguar në momentet më kritike se për atdhe, për demokraci, për liri nuk ka forcë që i ndal. Ndaj, edhe 3 ditë na ndajnë nga dita e ndarjes me 8 vite dështime, papunësi, mjerim ekonomik, premtime të pambajtura, në një nga zonat më të pasura të Shqipërisë dhe të Mesdheut, në perlën dhe margaritarin e Jonit ku sot duhet të gëlonte sipërmarrja e lirë që mbyll qepenat nga taksat e larta, ku sot duhet të gëlonin prodhimet e mrekullueshme të fermerëve vlonjatë që kalben pa dalë në treg. Ku sot duhet të kishim një nga flotat më të fuqishme dhe tregjet më të mëdha të peshkut për Shqipërinë dhe Ballkanin, por në fakt por në fakt kemi vetëm ndryshkun 8 vjeçar të Edi Ramës. E pra vëllezër e motra 8 vite dështime, 8 vite në shpin dhe në qaf të vlonjatëve dhe tani ka guximin të afrohet përsëri edhe të kërkoj edhe 4 vite të tjera për të vazhduar me premtimet e pambajtura, për të vazhduar me projektet 3D në sqetull dhe thesin e gënjeshtrave në shpin. 110 mijë shtëpi po bëhen gati t’i shkatërrojnë pas zgjedhjeve, e dëgjuat me veshët tuaj. Kërkon votën për t’i legalizuar por nuk ka ndër mend t’i legalizoj, por ka ndërmend t’i prishë siç prishi shtëpitë e Astirit mos t’i dëmshpërblej jetën, djersën, mundin e prindërve, e bijve vlonjat në emigracion. Ky është Edi Rama i vërtet, premton për votën dhe të nesërmen jo që vetëm që nuk e zbaton premtimin por ia kthen shpinën ndërsa qytetarëve i tregon forcën, brutalitetin, arrogancën e një pushteti të pashpirt për Vlorën, më të pashpirt për shqiptarët dhe Shqipërinë. Por siç e di mbarë Vlora, siç e di gjithë Shqipëria, orët e të keqes po mbarojnë. E diela do të jetë dita e fitores më të thellë dhe më të bukur. E pjesëmarrjes më të madh, paqësore, dinjitoze por të vendosur të vlonjatëve dhe mbarë shqiptarëve për ti thënë boll më. Boll më 8 vite shkatërrim dhe autorit të këtij shkatërrimi dhe për ti hapur zemrat për ndryshimin duke votuar numrin 9. Po Vlora do të votoj për ndryshimin. Vlora do të votoj për të tharë lotët e nënave vlonjate, sepse është qyteti me emigracionin më të lartë. Bijtë dhe bijat e Vlorës, të rinjtë e Vlorës do të votojnë për të patur këtu, në Vlorë, mundësitë europiane për shkollim, për arsimim, për marrjen e një profesioni dinjitoz, për veten e tyre dhe familjen e tyre, rini e mrekullueshme e Vlorës do të votoni numrin 9. Për prindërit tuaj, për prindërit tuaj të papunë, për nënat kokë ulur, për baballarët në kërkim të një pune, për gjyshërit dhe gjyshet tona të cilat kanë pensionet më të ulëta. 8 vite me radhë pensionet e rritura sa për një pako cigare. Rini e Vlorës jemi bashkë, jeni të fortë, jemi krenarë për ju, kemi besim tek ju! Bashkë ditën e diel, për prindërit tua, për gjyshërit dhe gjyshet tuaj, për ndryshimin votojmë numrin 9! Për fermerë e peshkatarë, sipërmarrës të vegjël, të mesëm e të mëdhenj, vlonjatë me shpirt sipërmarrje që kanë carë nga zero e janë bërë maja e kapitalizmit të lirë nga Italia në Amerikë, nga Gjermania në Britani por nuk ja dalin dot në Vlorën e kapur nga një njeri që në tetë vite ju ka vënë shkelmin në fyt që e bërë naftën për vlonjatët e shqiptarët më të shtrenjtën në botë pas Singaporit e të Suedisë që rriti çmimin e energjisë elektrike , që rriti çmimin faturave për çdo familje, që rriti taksat, tarifat dhe gjithçka për ta çliruar ekonominë tonë, për ti kthyer sipërmarrësve vlonjatë lirinë, dinjitetin, për t’i hequr stresin e makthin, terrorin e abuzimin e bandave të tatimorëve dhe të inspektorateve që gdhihen e ngrysen me duart në xhepat e sipërmarrjes vlonjate, me duart në xhepat e fermerëve, peshkatarëve, konsumatorëve të Vlorës, për të çliruar dhe vënë në lëvizje këtë qytet që ka mjaftueshëm ekonomi për të mbajtur një Shqipëri të tërë, ditën e diel votojmë numrin 9. Cilin numër? 9! Cilin numër?9. Vlora që e ndau Shqipërinë nga Lindja me Ismail Bej Vlorën dhe e bëri Europë. A do e pranojë më të kthehet përsëri në Lindje? A do e pranojë më të izolohet nga shansi ynë, mundësia jonë për të hapur negociatat brenda 100 ditëve të para të qeverisë së re që do të votoni me 25 prill, duke zgjedhur numrin 9? Për Europën 9, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE numrin? Cilin numër? Pa diskutim vëllezër dhe motra, këtë e di Vlora, këtë e di Shqipëria. E di tani edhe Edi Rama, i cili nga paniku i është kthyer marifeteve të vjetra, i është kthyer marifeteve të vjetra me shpresën e rrënuar se do të ndalë të pandalshmen. Por, ndryshimi nuk ndalet! Ne jemi bashkë krah për krah me gëzimin në shpirtrat tanë, me besimin tek e nesërmja që po vjen, për Vlorën, për vlonjatët, për Shqipërinë dhe bashkë do të vazhdojmë pa u trembur, pa u ndalur. Qytetarë dinjitoz, me paqe në zemrat tona dhe vendosmëri për të sjellë ndryshimin. Masivisht në kutitë e votimit. Një zgjim i ri ekonomik, një zgjim ekonomik kombëtar dhe një zgjim kulturor, një zgjim atdhetar, një zgjim europian po troket në derë. Vetëm 3 ditë për tu ndarë nga e keqa, vetëm 3 ditë për fitoren më të thellë të Vlorës e të mbarë Shqipërisë. Fitore që do ri takojë çdo shqiptari, do ti takojë çdo të riu e të reje, çdo të moshuari e çdo të moshuare. Fitore që do ti takojë edhe socialistëve kokulur të Vlorës e të gjithë Shqipërisë. Vëllezërve dhe motrave tona të cilët do të çlirojnë nga banda që do të marrë peng partinë e tyre, bashkohuni dhe ju me ne, bashkohuni me ndryshimin, votoni dhe ju si shumica dërrmuese e Vlorës dhe e Shqipërisë. Numrin? 9. Për familjet tuaja numrin? 9. Për të ardhmen e fëmijëve tuaj numrin? 9. Për Vlorën për Shqipërinë si gjithë Europa, numrin? 9. Bashkë për ndryshim! Vlora fiton! Shqipëria fiton!
“Të dielën Rama largohet bashkë me kriminelët”, Basha nga Vlora: Shqiptarët do të votojnë 9 për ndryshim që të sjellim një të ardhme më të sigurt
RELATED ARTICLES