Nga Hamdi Nuhiju
Të dielën në Shqipëri mbahen zgjedhjet parlamentare ku favorit kryesor është opozita shqiptare në krye me Lulzim Bashën, ndërsa në të gjitha sondazhet kryeministri në ikje Edi Rama duket se është në disavantazh
Përveç gjërave që i ka bërë dhe nuk i ka bërë për shqiptarët e Shqipërisë, Edi Rama e për të cilat duhet të jap llogari, ekziston edhe një raport tjetër që ai detyrohet me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të përgjigjet në pyetjen: Çfarë bëri për shqiptarët e Maqedonisë
Shkurtimisht po përmendim disa gjëra ku duhej ndërhyrja e kryeministrit shqiptar
Gjatë qeverisjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama, ndodhën shumë gjëra në Maqedoninë e Veriut e që ishin në dëm të shqiptarëve, si për shembull rasti “Monstra”. Në asnjë moment nuk është ndjerë prezenca ose presioni i shtetit shqiptar në krye me kryeministrin Edi Rama për t`i detyruar autoritetet e Maqedonisë për t`i lëvizur gjërat para.
Qindra tekste fyese dhe denigruese shkollore ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe asnjë reagim nga kryeministri i mbarë shqiptarëve, por si duket vetëm i grigjës së tij, Edi Rama.
Shqiptarët e pambrojtur në vitin 2015, nuk gjetën as përkrahjen morale po as politike nga kryeministri Edi Rama.
Qindra shtetas shqiptarë të Shqipërisë në nivel mujor trajtohen në mënyrë jo njerëzore nga ana e autoriteteve maqedonase në kufi, duke i ndarë prej turmave dhe duke i kontrolluar në mënyrë speciale, Edi Rama i ka futur veshët në lesh, as që dëshironte të dëgjonte për hallet dhe brengat e tyre.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk përfituan as edhe një vaksinë të vetme nga shteti shqiptar si donacion që mund të drejtohej në ndonjë komunë ose institucion enkas për vaksinimin e tyre.
Katastrofa humanitare pas vërshimeve që goditën Hasanbegun dhe Haracinën, shteti shqiptar dhe Edi Rama as që nxorën një fjalë goje për t`i shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të humbura, e të mos flasim për t`i dal në ndihmë me mjetet e ushtrisë shqiptare si dhe shtetit shqiptar.
Edi Rama kryeministër dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në vend që falas të pajisen me shtetësinë dhe pasaportën shqiptare, ata nën dorë, duke korruptuar autoritetet shqiptare japin pasaporta me çmime deri në 10.000 euro. Sa për informacion, 5.000 euro nën dorë kushtonin pasaportat bullgare për maqedonasit që dëshironin të pajiseshin me to, si dhe pasaporta bullgare është pasaportë me kompetenca shumë më të mëdha sesa pasaporta shqiptare, pasi që Bullgaria është edhe pjesë e Bashkimit Evropian.
Republika e Turqisë me mijëra student nga Maqedonia e Veriut i shkollon falas në të gjitha nivelet, bachelor, master dhe doktoraturë, ndërsa Republika e Shqipërisë në krye me kryeministrin Edi Rama asnjë student shqiptarë të varfër nuk e ka shkolluar.
Rama Ik dhe mos u kthe më! Kur ti nuk ishe me ne në momentet më të vështira, por as në momentet e mira, nuk na duhesh as ne, por nuk i duhesh as Shqipërisë.
Shqipërisë i duhet një kryeministër i cili përveç që do të kujdeset për banorët e saj brenda territorit, ai duhet të kujdeset dhe të jetë baba edhe për shqiptarët që kanë ngelur jashtë kufijve zyrtar të Shqipërisë./ almakos/