Vijon procesi i numërimit të votave, teksa janë numëruar më shumë se 80% e kutive në Shqipëri, ndërsa kanë dalë edhe rezultatet e para. Rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit u paraqiten në 5199 Qendra Votimi.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi u instaluan pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve.
Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë.
Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë. Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19.
Numërohen 4846 nga 5199 kuti, PS i merr mandatin LSI-së në Durrës, shkon në 74, PD 59
Ora 12:00- LSI humbet mandatin në Durrës, i cili i shkon PS. Teksa janë numëruar 4846 nga 5199 kuti, PS merr 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3. Gjithsesi ky është rezultati i momentit dhe nga numërimi i çdo kutije në këtë qark mund të ndryshojë.